1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mirdita: Aktiviteti i ambasadës kosovare në Berlin do të ndikojë që të kemi njohje të reja

Esat Ahmeti14 Janar 2009

Misioni diplomatik i Kosovës në Berlin para ca ditësh ka nënshkruar edhe kontratën për objektin ku do të hapet ambasada. Në mikrofonin e DW-së flet i ngarkuari i parë me punë në këtë ambasadë Dr. Vilson Mirdita.

https://p.dw.com/p/GXsZ
Në foto i ngarkuari i parë me punë në ambasadën kosovare në Berlin, Dr. Vilson Mirdita
Në foto i ngarkuari i parë me punë në ambasadën kosovare në Berlin, Dr. Vilson MirditaFotografi: Dr. Vilson Mirdita

DW-Shqip

: Zoti Mirdita si po e përjetoni qëndrimin tuaj tani si përfaqësues diplomatik i Kosovës në kryeqytetin gjerman?

Dr. Vilson Mirdita: Po është e vërtetë: Gjermania nuk është një vend i panjohur për mua. Shtetin gjerman unë e falendëroj shumë, sepse këtu pata rastin të studioj dhe të promovoj. Prandaj ndihem i privilegjuar që jam zgjedhur nga qeveria e Kosovës për ta përfaqësuar vendin tim pikërisht në shtetin gjerman për të cilin kam një respekt shumë të madh.

Deri ku keni arritur për ta bërë funksionale ambasadën e parë kosovare në Berlin?

Pikësëpari ne duhet që të sigurojmë infrastrukturën dmth. të kemi zyrat e ambasadës, zyra për të cilat kemi nënshkruar edhe kontratën dhe shpresoj që në ditët e ardhshme do të bëjmë kompletimin e inventarit të duhur për të bërë pastaj edhe hapjen e ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin.

Kur do të jetë ajo në shërbim të shtetasve kosovarë me vendbanim të përkohshëm në Gjermani, kur pritet zyrtarisht fillimi i punës në këtë ambasadë?

Po datë të sigurt nuk mund t'u jap por shpresoj që ne së shpejti do të fillojmë të funksionojmë si ambasadë. Ndërsa me shërbimet konsullore ne duhet të presim edhe pak ditë prandaj iu drejtohem qytetarëve tanë që të kenë durim edhe pak ditë deri sa të kemi rekrutuar stafin i cili do t'i kryej këto shërbime.

Cili do të jetë prioriteti i punës suaj në Berlin, përfaqësimi politik i Kosovës në Gjermani apo lidhjet ekonomike në mes të Gjermanisë dhe Kosovës për të cilat kjo e fundit ka shumë nevojë?

Kosova për herë të parë në historinë e re të saj arriti që të ketë edhe përfaqësimin diplomatik në Gjermani që është një hap të cilin më parë nuk e kanë paramenduar shumë qarqe diplomatike. Prandaj është një moment shumë i rëndësishëm për ne, që me praninë tonë si mision diplomatik në një vend me ndikim siç është Gjermania, të promovojmë në mënyrën më të mirë arritjet tona si shtet demokratik. Njëkohësisht mendoj që Kosovës i duhen investime, sepse vetëm zhvillimi ekonomik mund ta qetësoj atë pjesë të rajonit të Ballkanit dhe është një nga prioritetet e qeverisë që të punojmë në këtë drejtim për të tërhequr sa më shumë investime nga afaristët gjermanë. Prandaj unë do të shfrytëzoja rastin të ftoj investitorët gjerman që të mos hezitojnë për të investuar kapitalin e tyre në Kosovë. Aktualisht qeveria e Kosovës vazhdon të punojë me hapa të përshpejtuar drejt zhvillimit ekonomik dhe me qëllimin që të bëjë tërheqjen e investimeve të huaja duke siguruar stabilitet më të qëndrueshëm dhe treg liberal.

Zoti Mirdita a do të ketë ndikim ambasada kosovare që vendet të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë një gjë të tillë?

Po është një nga detyrat parësore e jona. Dihet që në Berlin janë të akredituara më tepër se 180 misione diplomatike, kështu që mendoj se nëpërmjet kontakteve do t'i informojmë edhe ato vende që nuk na kanë njohur për të bërë njohje të reja. Dua të them se me dërgimin e notës qarkore pas akreditimit tonë në Berlin ne kemi marrë shumë përgjegje edhe nga vendet, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe ato përgjegje janë shumë pozitive. Ato na kanë ofruar bashkëpunim dhe me kontaktet e para e kemi vërejtur se aktiviteti i ambasadës do të ndikoj që të kemi edhe njohje të reja.

Po cilat janë kontaktet e juaja me ministrinë e jashtme të Gjermanisë?

Ne i kemi pasur kontaktet e para me protokolin e shtetit ku edhe jemi pajisur menjëherë mer ID diplomatike pastaj kemi patur kontakte me referate të ndryshme siç ishte referati 209 për politikë dhe me referatin për ekonominë.

Po cilat janë kontaktet me ambasadën e Shqipërisë, a ju ka ndihmuar ajo në hedhjen e hapave të parë në Berlin?

Me ambasadën e Shqipërisë kemi kontakte shumë të mira. Që nga fillimi i punës ajo na ka ndihmuar dhe mendoj që edhe në të ardhmen do të kemi një bashkëpunim shumë të mirë.

Zoti Mirdita po të kemi parasysh zhvillimet e fundit politike në dhe përreth Kosovës si dhe faktin që Gjermania është vendi i dytë donator bilateral për Kosovën çfarë prisni në të ardhmen nga shteti gjerman?

Së pari edhe njëherë dua t' i falendërohem shtetit gjerman për të gjitha ndihmat që ka dhënë për Kosovën jo vetëm gjatë kohës kur shumë refugjatë gjetën strehim në Gjermani por edhe para luftës. Mendoj që edhe tash Gjermania po jep kontributin e saj të rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës jo vetëm në atë ekonomik, kur dihet që Gjermania është një nga donatorët më të mëdhenj por edhe në aspektin politik si dhe në forcimin dhe aftësimin profesional të strukturave udhëheqëse. Për një përkrahje të tillë do të këtë nevojë edhe misioni ynë diplomatik, ku së bashku edhe me një numër bashkëpunëtorësh nga Ministria e Jashtme e Kosovës në fillim të shkurtit do të jemi pjesëmarrës në një specializim diplomatik ndërkombëtar të organizuar nga Ministria e Jashtme gjermane.

Çfarë prisni nga Deutsche Welle?

Radio Deutsche Welle ka qenë zëri shumë i dëgjuar në shumë periudha të vështira nëpër të cilat kaloi populli ynë. Shpresoj që edhe në të ardhmen ajo do të raportoj me dinjitet ashtu siç ka raportuar deri më tani si për ngjarjet në Kosovë ashtu dhe në rajon e në Gjermani ku jemi të përfaqësuar me një mërgatë shumë të madhe.