1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Misioni EULEX fillon të vendoset në Kosovë

Bekim Shehu/Prishtinë23 Shtator 2008

Gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it, nuk do të vendosen në veri të Mitrovicës.

https://p.dw.com/p/FNTN
Iv de Kermabo, shef i misionit të EULEKSIT në Prishtinë
Iv de Kermabo, shef i misionit të EULEKSIT në PrishtinëFotografi: AP

Pjesëtarët e misionit të BE-së për polici dhe drejtësi EULEX kanë filluar të vendosen në Kosovë. Mbrëmjen e së hënës arriten 50 pjesëtarë të rinj, ndërsa, çdo javë në Kosovë do të arrijnë edhe nga 100 të tjerë. Shefi i misionit të EULEX, Yves de Kermabon, thotë se arritja në Kosovë e pjestarëve të misionit është një tregues i qartë se ky mision po bënë përpjekje që të shtrihet në terren.

Por, vështirësitë që do të ketë misioni që të shtrijë autoritetin në vendbanimet e dominuara nga serbët tashmë janë evidente. Administrata e Kombeve të Bashkuara, mori kontrollin në gjykatat në veri të Mitrovicës. Në fillim të tetorit do të fillojnë punën gjykatësit dhe prokurorët të UNMIK-ut, por, jo ata të misionit të BE-së, EULEX. Kjo për faktin që ky mision kundërshtohet nga serbët e Kosovës të mbështetur edhe nga qeveria e Beogradit. Zyrtarë nga ekipi planifikues i BE-së thonë se dislokimi i pjestarëve të EULEX do të shtrihet në të gjitha rajonet e Kosovës, ndërsa në veri të Kosovës dislokimi do të marrë koh,ë sepse duhet të bëhet më shumë kujdes. Sipas tyre, në këtë fazë gjykatësit dhe prokurorët e misionit nuk do të fillojnë punën në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës.

Zyrtarë të UNMIK-ut nga ana e tyre thonë se nuk është përgjegjësi e tyre që të ndihmojnë vendosjen e pjestarëve të EULEX në pjesën veriore të Mitrovicës, por, detyra e tyre është që të rifunksionalizojnë gjykatat dhe në këtë pjesë të respektohet rendi dhe ligji. Zëvëndësshefi i UNMIK-ut, Dejvid Harland, ka thënë se gjatë tre muajve të ardhshëm, misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë do të zvogëlohet për 70 për qind, por prapë se prapë ky mision do të mbetet i pranishëm në Kosovë, ndërsa më i koncentruar do të jetë në zonat e banuara me serbë. Kjo është paraparë në një fazë të caktuar edhe në planin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Por, ai poashtu ka paraparë që vendosja e misionit EULEX -it në vendbanimet serbe të bëhet gradualisht dhe në biseda të vazhdueshme me autoritetet e Beogradit.