1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

130411 Westerwelle Libyen-Kontaktgruppe

13 Prill 2011

Përpjekjet për një zgjidhje diplomatike të konfliktit në Libi vazhdojnë edhe më tej. Dy javë pas krijimit, Grupi ndërkombëtar i kontaktit për Libinë zhvillon këtë të mërkurë takimin e tij të parë.

https://p.dw.com/p/10sWh
Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle pas takimit të Këshillit të Ministrave të BE-së në Luksemburg (12.04.2011), ku u diskutua për Libinë.Fotografi: picture-alliance/dpa

Ministri i Jashtëm Westerwelle sjell në Katar një mesazh të qartë:

"Qëllimi i njerëzve në Libi është një Libi e lirë, e pajtuar, pa Gaddafi-n dhe ky është edhe synimi ynë".

Kur thotë qëllimi ynë ministri i Jashtëm gjerman nënkupton qëllimin e qeverisë federale dhe Bashkimit Evropian. Sigurime të tjera ministri i Jashtëm gjerman nuk mund të japë, sepse edhe sot vlen ajo që Westerwelle deklaroi ditën e martë me homologët e tij në Luksemburg:

"Qeveria federale është e gatshme tashmë që të kontribuojë në lehtësimn e pasojave të luftës për njerëzit, por ushtria gjermane nuk do të marrë pjesë në luftë në Libi".

Ministri i Jashtëm i Katarit dhe gjithë të tjerët që formuan në fund të marsit në Londër Grupin e Kontaktit për Libinë dhe kanë ardhur në këtë takim, kanë qëndrim tjetër. Ata marrin pjesë ushtarakisht në mision. Vetë Katari ka dërguar avionë për realizimin e zonës së ndalim fluturimit. Por sipas ministrit Westerwelle edhe kjo në fund ndoshta nuk do ta zgjidhë konfliktin e Libisë.

"Ne nuk do të shohim zgjidhje ushtarake në Libi, me siguri që jo. Ne kemi nevojë për një zgjidhje politike. Për këtë ne na nevojitet një dialog, dhe dialogu duhet të organizohet në vend."

Dialogu politik do të jetë në fokus të takimit këtë të mërkurë (13.04.) në Doha. Të pranishëm do të jenë edhe presidenti i këshillit të përkohshëm kombëtar të rebelëve libianë, Jebrille, ish ministri i jashtëm i Libisë Kussa, përfaqësues të Bashkimit Afrikan si dhe disa ministra të jashtëm të Bashkimit Evropian. Çështjet që dominojnë në konferencën e sotme janë: a është i mundur një fillim i ri politik në Libi, apo vetëm pa Gaddafi-n? dhe: çfarë nevojitet për realizimin e dialogut të brendshëm libian?

Autor: Georg Schwarte / Mimoza Cika-Kelmendi

Redaktoi: Eliana Xhani