1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

250909 Afghanistan BTW

25 Shtator 2009

Sulmi ajror ndaj rrëmbyesve të një autoçisterbe në Afganistan gjatë të cilit janë vrarë edhe civilë e ka kthyer misionin gjerman atje në temë të fushatës elektorale.

https://p.dw.com/p/Jopi
Angela Merkel mes ushtarëve në Afganistan.
"Qëllimi ynë është i qartë: Afganistani duhet të ketë një forcë vetjake të sigurisë," thotë Angela Merkel.Fotografi: AP

Më 4 shtator 2009 një kolonel gjerman kërkoi nga amerikanët mbështetje për sulmet ajtore në hapësirat e Kundusit, në veri të Afganistanit. Talibanët kishin rrëmbyer më parë atje dy autoçisterna me benzinë dhe koloneli gjerman kishte frikë se islamistët radikalë donin t'i përdorin ato si bomba, kundër trupave të tij.

Ministri i Jashtëm Frank Walter Steinmeier.
"Afganistani vetëm mund të humbasë nëse ne heqim dorë," thotë ministri i Jashtëm Steinmeier.Fotografi: AP

Në sulmin ajror të kryer gjatë natës humbën jetën rreth 100 njerëz, në mesin e tyre edhe disa civilë. Ky rast ka bërë që misioni i Bundeswehrit në Hindukush të kthehet në temë të fushatës elektorale për zgjedhjet e 27 shtatorit edhe pse Unioni Kristiandemokrat (CDU) dhe Partia Socialdemokrate (SPD) janë përpjekur që kjo temë të mbetet jashtë fushate. Cilat janë qëndrimet e partive më të mëdha për këtë çështje?

Në cilat pika ka dallime?

Kancelaren gjermane Angela Merkel nga Unioni Kristiandemokrat (CDU) dhe kandidatin socialdemokrat (SPD) për kancelar Frank-Walter Steinmeier nuk i ndan asnjë qime floku kur flitet për misionin e ushtrisë gjermane në Afganistan. "Afganistani vetëm mund të humbasë nëse ne heqim dorë," thotë ministri i Jashtëm Steinmeier.

Të dy kandidatët për kancelar duan që në periudhën e ardhshme legjislative të krijojnë kushtet për tërheqjen e aktualisht 3 400 ushtarëve të Bundeswehrit nga Afganistani. Por që të dy refuzojnë të përmendin një datë konkrete. Që të dy refuzojnë një tërheqje të menjëhershme. "Kështu nuk bën, këtë ua kemi borxh aleatëve tanë. Këtë ua kemi para së gjithash borxh popullatës e cila gjatë luftës dhe konfliktit 30 vjeçar ka qenë e robëruar dhe ishte provuar nga të gjitha të drejtat. Të largohemi tani do të thotë që të gjitha gratë të kthehen në bodrume, ndërsa vajzat të mos shkojnë më në shkollë, bujqit të kultivojnë sërish drogën dhe shumë gjëra të tjera," thotë Steinmeier.

Afganistani duhet të ketë forcën e vetë të sigurisë

"Qëllimi ynë është i qartë: Afganistani duhet të ketë një forcë vetjake të sigurisë. Për këtë ka nevojë për trajnimin e ushtarëve dhe policëve. Kjo duhet të bisedohet me qeverinë afgane dhe me bashkësinë ndërkombëtare. Dhe pastaj ne bëjmë presion që Afganistani të marrë fatin e tij në duart e veta", thotë Merkel.

Tani në prag të zgjedhjeve askush nuk dëshiron që ushtarët gjermanë të qëndrojnë më gjatë se është e nevojshme në misione lufatarake. Edhe liberalët, aktualisht si forca më e madhe opozitare në vend janë pro angazhimit gjerman në Afganistan dhe për këtë kanë mbështetur politikën e koalicionit të madh, gjatë katër viteve të kaluara. Shefi i liberalëve (FDP) Gudio Westerwelle shprehet për një tërheqje të shpejtë, e cila megjithatë nuk duhet të bëhet me nxitim: "Talibanët do të krijonin sërish një rajon tërheqjeje për terroristët ku ata do të pajiseshin me armatim. Kjo mund të kërcënojë edhe sigurinë tonë këtu në mes të Evropës. Andaj sipas pikëpamjes sime është e drejtë që ne të mbështesim sektorin civil. Por, po ashtu është me rëndësi që rindërtimi civil të sigurohet edhe ushtarakisht".

Ushtarë gjermanë në Afganistan.
Rreth 55 përqind e zgjedhësve gjermanë mbështesin tërheqjen e Bundeswehrit nga Afganistani.Fotografi: AP

E majta "Die Linke" është partia e vetme në Bundestag që refuzon kategorikisht misionin e ushtrisë gjermane në Afganistan. "Jashtë Afganistanit" është një prej kërkesave kryesore të fushatës elektorale me të cilën e majta në krye me Oskar Lafontaine provon të bind elektoratin.

3 përqind e gjermanëve e lidhin votën me Afganistanin

Sipas një ankete të Institutit për hulumtimin e opinionit publik "Forsa", aktualisht rreth 55 përqind e zgjedhësve gjermanë mbështesin tërheqjen e Bundeswehrit nga Afganistani. Por për vetëm tre përqind e të anketuarëve politika e Afganistanit luan një rol të rëndësishëm në vendimin se kujt do t'ia japin votën. Për 57 përqind të tjerë misioni i ushtrisë gjermane në Afganistan nuk ka asnjë ndikim në votimet e ditës së dielë.

Autor : Sandra Petersmann / Esat Ahmeti

Redaktoi : Aida Cama