1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritikohet praktika e dëbimit të azilkërkuesve të refuzuar

Sabine Kinkartz23 Shtator 2016

Landet gjermane e kanë ashpërsuar trajtimin e azilkërkuesve të refuzuar vitet e fundit. Këtë vit, deri tani janë riatdhesuar 14.000 vetë. Midis tyre ka edhe shumë refugjatë të sëmurë.

https://p.dw.com/p/1K7Io
Leipzig Abgelehnte Asylbewerber werden zum Transport zum Flughafen abgeholt
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Willnow

Veçanërisht landi i Renanisë Veriore-Vestfalisë tregon qëndrim të ashpër, nën qeverinë e koalicionit të socialdemokratëve dhe të gjelbërve. Sipas qendrës së vëzhgimit të azilit Diakoni-Rheinland-Vestfali në aeroportin e Dyseldorfit, në katër vitet e shkuara numri i azilkërkuesve të larguar u shtua nga 1200 në rreth 3600 vetë. Midis atyre që dëbohen janë gjithnjë e më shumë migrantë të sëmurë. Shumica janë nga Ballkani dhe nga Turqia. Shumë prej të prekurve vuajnë nga sëmundje si diabeti, tensioni i lartë i gjakut, kanceri, HIV ose probleme të rënda psikike. "Që prej zbatimit së Paketës së Azilit II në pranverë të këtij viti, përjashtohen vetëm persona që janë të sëmurë rëndë dhe tek të cilët kthimi do ta përkeqësonte sëmundjen", thotë Dalia Höhne, një prej tri vëzhgueseve të azilit në Gjermani.

"Të drejtë për diagnozë të saktë të sëmundjes"

Kritika shqiptohen këto ditë nga Dhoma-Federale-e Psikoterapetëve (BPtK) në Berlin, e cila e kundërshton Paketën e Azilit II të qeverisë federale. "Ne kërkojmë që sëmundje të rënda ose që kërcënojnë jetën të shpallen në parim si sëmundje, të cilat e pengojnë dëbimin. Refugjatë që vuajnë nga probleme psikike, kanë të drejtë të kërkojnë një diagnostikim të saktë të sëmundjeve të tyre. Kjo nuk duhet të dështojë nga fakti se diagnostifikimi për institucionet është një sfidë e madhe, gjë për të cilën ka ankesa edhe në projektligj", tha presidenti i BPtK, Dietrich Munz në një deklaratë.

Munz thotë se në raste depresionesh ose edhe në sëmundje posttraumatike është "shumë i dendur rrezikimi i vetvetes. 40 përqind e pacientëve me PTBS kanë plane që të vrasin veten ose madje janë përpjekur ta vrasin veten. Veç kësaj është shumë e mundur, që PTBS të keqësohet, kur i sëmuri dërgohet sërish në atë vend që është i lidhur me përjetimet e tij traumatike", tha presidenti i BPTk.

Por dëbimet nuk zbatohen gjithmonë. Sipas të dhënave të Ministrisë Federale të Brendshme, nga janari 2015 deri në qershor 2016 janë ndërprerë më shumë se 600 dëbime. Shpesh pilotët refuzojnë që të transportojnë refugjatë që kundërshtojnë. Të tjerë nuk dëbohen sepse kanë sëmundje akute.

Symbolbild - Abschiebung Flüchtlinge
Fotografi: picture-alliance/dpa

Tone të ashpra të politikanëve

Por policia dhe disa politikanë të politikës së brendshme supozojnë se këtu kemi të bëjmë me një praktikë avokatësh dhe mjekësh, për të penguar dëbime të planifikuara. Kështu, Kryetari i Sindikatës së Policisë, Rainer Wendt dhe politikani i CSU-së, Hans-Peter Friedrich duan të veprojnë pa kompromis në rastin e dëbimeve. Gazetës Bild, Wendt i tha se ekziston një "industri e pengimit të dëbimeve". Friedrich, ish-ministër i Brendshëm dhe zëvendëskryetar i Grupit Parlamentar unionist në Bundestag kërkoi: "Ai që lejon që azilkërkuesit e refuzuar t'i kërcejnë në këtë mënyrë para hundës shtetit, shkatërron besimin e qytetarëve në aftësinë vepruese të shtetit. Prandaj direktivat juridike duhet të ndryshojnë."

Pasiguri te mjekët

Kjo ka shkaktuar pakënaqësi te mjekët. Dalia Höhne thotë se "dëgjoj që te mjekët ka pasiguri të madhe në lidhje me të ashtuquajturat dëshmi që je në gjendje të fluturosh. Para legjislacionit të ri për azilin mjaftonte një ekspertizë mjekësore e edhe psikologjike, e cila tregonte për shembull shkallën dhe pasojat e një sëmundjeje psikike, që një azilkërkues të mos dëbohej njëherë për njëherë. Tani pranohen vetëm raporte mjekësore, të cilat të mos jenë më të vjetra se 14 ditë dhe që të jenë plotësuar mbi kërkesa të rrepta formale. Është e diskutueshme se në ç'masë janë në gjendje mjekët në një kohë shumë të shkurtër dhe shumicën e herëve pa mbështetjen e përkthyesve, të bëjnë diagnostifikimin e gjerë ose të përjashtojnë sëmundje akute, të cilat do ta pengonin dëbimin." Höhne kërkon në këtë kuadër ndryshim masiv në trajtimin e refugjatëve. Ajo kërkon të përcaktohen standarde që të vlejnë në të gjithë Gjermaninë për riatdhesimin e azilkërkuesve të sëmurë.