1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mjeshtrat përballë të rinjve - Zgjedhjet për Knesset-in izraelit

Tania Krämer/Lindita Arapi22 Janar 2013

Në Izrael këtë të martë zgjidhet një parlament i ri. Rreth 5,6 milionë votues do të zgjedhin 120 deputetët e Knesset-it. Sipas sondazheve shanset më të mëdha i ka Aleanca me orientim të djathtë e kryeministrit Netanjahu.

https://p.dw.com/p/17OmL
Fotografi: dapd

Në një qendër tregtare në Rehovot, një qytezë në Izralin e Mesëm, aktivistët militojnë për kandidatët dhe partitë e tyre. Në stendën e aleancës së djathtë Likud-Beitenu, Eyal, një aktivist tregohet shumë optimist: "Ne kemi nevojë për një kryeministët të fortë, shpresoj që Likud-i të marrë shumë vota". Ndësa një e moshuar konfirmon: "Ne e kemi kryeministrin më të mirë që mund të përfytyrohet", "ai mund të na japë siguri".

Vështirësitë e mjeshtrit

Megjithë shanset e mëdha, për t'u ngarkuar sërish me formimin e qeverisë edhe Netanjahu me përvojë përballet me vlera të lëkundshme në sondazhe. Afrimi i tij me partinë nacionaliste të djathtë, Beitenu, që ngjiti deri në postin e ministrit të Jashtëm edhe Avigdor Liebermannin, i ka kushtuar Netanjahut shmë vota. Ndërkohë që Liebermann duhej të largohej nga posti për shkak të akuzave për mashtrim, është për Netanjahun një barrë politike, të paktën për sa kohë që ai ende nuk ka dalë para gjyqit. Por Netanjahu qëndron para rrezikut të humbjes së votave dhe në kampin e djathtë.

Rrezik përbën ylli i ri në ngjitje në politikën izraelite, Naftali Bennett. 40 vjeçari në nëntor mori përsipër drejtimin e partisë me program kombëtar e fetar "Habait Hajehudi"- Shtëpia hebraike. Deri më tani kjo parti kishte tre vende në parlament. Sondazhet e nxjerrin atë tanimë me 12-14 vende në parlamentin izraelit.

Ylli i ri në ngjitje Naftali Bennett
Ylli i ri në ngjitje Naftali BennettFotografi: picture-alliance/dpa

Konkurrencë për Netanjahun

Naftali Bennett, një ish-biznesmen dhe ushtar elite i jep partisë një fytyrë të re dhe moderne. Votuesit e rinj e vlerësojnë atë për besueshmërinë që krijon se vërtet mund të ndryshojë diçka për Izraelin. Bennett flet me pasion për "pranverën izraelite" dhe rikthimin tek vlerat hebraike. "Prioriteti ynë është të zgjidhim problemet në Izrael. Çmimet e banesave janë rritur deri në 40%, të ardhurat nuk mjaftojnë më për të jetuar."

Në bisedë më Deutsche Welle-n ai shprehet se duhet të mos vazhdojmë më me politikën një herë Po dhe një herë Jo për shtetin palestinez. Bennett është kundër një shteti palestinez. Sipas tij, Izraeli duhet të aneksojë madje edhe të ashtuquajturat "zonat C" në Jordanin Perëndimor, gjë që do të thoshte 60% të këtij rajoni. Deklaratat e politikanit të ri nuk janë pritur mirë jashtë Izraelit.

Negociata të vështira

Megjithë zgjedhjet e reja në Izrael njerëzit nuk kanë shumë besim se gjërat do të ndryshojnë. Sipas gazetës "Haaretz" rreth 15% e votuesve ende janë të pavendesur se për cilën parti ta japin votën. Ndërkohë edhe Partia Izraelite e Punës ka shanse të mira të renditet partia e dytë në këto zgjedhje. Kampi i Majtë dhe i Qendrës ende nuk ka bërë të qartë nëse do të futej në një koalicion me Netanjahun. Vëzhguesit thonë se ndoshta Netanjahut do t'i nevojiten partnerë për të krijuar koalicionin qeverisës. Për shkak të peizazhit të përçarë politik në Izrael vëzhguesit presin negociata të zgjatura.