1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Monitorim për premtimet që bëjnë kandidatët gjatë fushatës elektorale

Arben Muka15 Shkurt 2007

Koalicioni Shqiptar kundër Korrupsionit në Tiranë ka arritur të sigurojë nënshkrimin e kontratave të mbajtjes së premtimeve me 55 kandidatë për kryetarë bashkie dhe mbi 600 kandidatë për kryetarë komunash nga të gjitha forcat politike

https://p.dw.com/p/ArYZ
Tirana
TiranaFotografi: DW

Të premtosh para publikut gjatë një fushate elektorale, qofsh kandidat për kryetar bashkie apo komune, kjo nuk do të jetë thjesht vetemë një çështje teorike konceptimi dhe strategjie për të grumbulluar sa më shumë vota nga qytetarët. Por do të jetë dhe e matshme për të vëzhguar realizimin nga fjalët në vepra.

Këtë ide ka patur për herë të parë në Shqipëri, Koalicioni Kundër Korrupsionit, një rrjet organizatash joqeveritare, i cili ka arritur të firmosë deri më tani kontrata të mbajtjes së premtimeve para publikut të 55 kandidatëve për kryetarë bashkie dhe mbi 600 kandidatëve për kryetarë komunash nga zona të ndryshme të vendit, që përfaqësojnë dhe subjekte të ndryshme politike.

Genc Caushi, drejtor ekzekutiv në Koalicionin Shqiptar Kundër Korrupsionit thotë për Dë-në se „ajo që është bërë deri më tani është evidentimi i premtimeve, fiksimi i tyre, për të ndjekur në fazën e dytë pas ditës së zgjedhjeve, për kandidatët fitues se sa do ti realizojnë ato angazhime për të cilat dhe kanë dhe afatet kohore. Këto do ti bëhen prezente komunitetit.“

Fushata e Koalicionit „Për një qeverisje më të mirë“ kërkon të ndërhyjë në njërin prej mekanizmave më të çuditshëm dhe aspak seriozë të premtimeve fantazmagorike që janë bërë në fushatat elektorale dhe proceset referendare të 16 viteve të fundit të tranzicionit në Shqipëri.