1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Mos bini në grackën e „Shtetit Islamik“

Loay Mudhoon28 Mars 2016

Sulmet terroriste në Bruksel janë qartazi prova se i ashtuquajturi „Shteti Islamik“ po ndjek gjithnjë e më shumë strategjinë e përçarjes së shoqërive perëndimore. Kujdes e maturi, paralajmëron Loay Mudhoon.

https://p.dw.com/p/1IKRS
Syrien IS Kämpfer Symbolbild
Fotografi: Imago/ZUMA Press

Ushtarakisht i ashtuquajturi „Shteti Islamik“ prej muajsh ndodhet në tërheqje. Që nga fillimi i sulmeve ajrore të aleancës perëndimore-arabe, pseudokalifati ka humbur rreth 40% të territorit të kontrolluar prej tij në vendet bazë Siri e Irak. Edhe mjaft krerë të IS-it janë eliminuar nga koalicioni. Nga ana tjetër fluksi i luftëtarëve të huaj ka rënë ndjeshëm, që kur Turqia po e vëzhgon më fort kufirin me Sirinë.

Por jo vetëm sulmet ajrore e kanë vënë me shpatulla pas muri të ashtuquajturin “Shteti Islamik”, edhe sukseset e kurdëve dhe forcave irakiane të riformuara kanë dhënë kontributin e tyre për dhënien fund të ekspansionit të kalifatit. Duket se projekti xhidadist për shtetformim është lëkundur në themele, sepse pa ekspansionin ushtarak e ekonominë e plaçkitjes që rezulton prej saj, i ashtuquajturi “Shteti Islamik” nuk është i aftë të mbijetojë.

Mudhoon Loay Kommentarbild App
Loay Mudhoon

Zgjerim i zonës së luftimeve

Ka disa indikatorë që të bëjnë të mendosh se „Shteti Islamik“ në vitin 2016 mund të largohet nga territori bazë: Përgatitjet e koordinuara në shkallë ndërkombëtare për rimarrjen e Mosulit janë duke u intensifikuar. Por sa më shumë që kalifati i vetëshpallur të ndjehet ngushtë, aq më brutale e antinjerëzore do të bëhen metodat e tij dhe strategjitë e manovrimit nga kjo situatë.

Për të mbajtur gjallë ëndrrën e një kalifati botëror dhe për të larguar vëmendjen nga dobësia e tij, „Shteti Islamik“ ka nevojë urgjente për të paraqitur „përvoja suksesi”. Prandaj ai kërkon fusha të reja veprimi dhe përpiqet që të zërë vend në të gjitha shtetet islamike të kërcënuara nga shpërbërja, kryesisht në Afrikën Veriore. Vetëm para një konteksti të tillë mund ta shpjegosh strategjinë e IS-it për ashpërsimin e konflikteve: Përmes atentateve të qëllimshme në shtetet myslimane, ai përpiqet të mbjellë farën e përçarjes mes sunitëve dhe shiitëve dhe të krijojë imazhin e një lufte civile si në Irak, në epokën pas Sadam Huseinit. Seria e pashembullt e atentateve në Tunizi, Arabinë-Saudite, Kuvajt dhe Turqi mban nënshkrimin e IS-it.

Rezistencë populizmit

Edhe në Europë ekstremistët e „Shtetit Islamik“ kërkojnë më shumë se aksione publicitare, me goditjet e tyre ata duan të demonstrojnë forcë e të fitojnë përkrahës të rinj. Sumet në Paris e në Bruksel dëshmojnë më shumë se pseudokalifati po ndjek një strategji të ulët të polarizimit dhe përçarjes mes myslimanëve e jomyslimanëve në shoqëritë europiane të imigracionit.

Përmes vrasjes pa skrupuj të të pafajshmëve ata synojnë të nxisin qeveritë e shoqëritë europiane të reagojnë me veprime të ekzagjeruara, pra me reagime që do ta bënin të pamundur bashkëjetesën mes myslimanëve e jomyslimanëve në shoqëritë perëndimore. Këtu bën pjesë mbjellja e dyshimit për të gjithë myslimanët, ose kufizimi i të drejtave bazë. Sa i kuptueshëm është refleksi i reagimit të disa vendimmarrësve dhe opinionbërësve, që menjëherë pas Brukselit deklaruan se “jemi në luftë” –kjo retorikë e rrezikshme çon ujë në mullirin e IS-it. Sepse ajo e vendos në një shkallë me milicët terroristë veprimin e shteteve sovrane.

Nga ashpërsimi i mëtejshëm i situatës, ideologët e IS-it duan konfirmim për ligjërimin e tyre të viktimës, të përdorur zakonisht. Që perëndimi vërtet është futur në luftë me Islamin- dhe jo kundër një bande vrasësish. Në publikimet e tyre online ata nuk i fshehin qëllimet e strategjisë së tyre: Myslimanët në Europë do të përndiqeshin si pasojë e sulmeve terroriste, kështu që ata nuk kanë rrugëdalje tjetër, veç bashkimit me nihilistët e të ashtuquajturit “Shteti Islamik”. Por suksesi i kësaj strategjie të ulët të të ashtuquajturit “Shteti Islamik” varet edhe nga reagimet e demokracive perëndimore.

Ju mund të ofroni opinionin Tuaj në fund të këtij artikulli. Ne ju mirëpresim!