1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moska dhe BE-ja nënshkruajnë marrëveshjen e re të partneritetit

Horst Kläuser10 Maj 2005

Në Moskë u zhvillua takimi i 15-të i nivelit të lartë mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian. Ky takim ishte shenjë e thellimit të dukshëm të marrëveshjeve të bashkëpunimit mes të dy vendeve, sepse u shoqërua edhe me nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh, ndër të tjera marrëveshja e partneritetit, e cila do të thellojë këmbimet në fushën ekonomike dhe forcojë marrëdhëniet politike.

https://p.dw.com/p/ArPK
Fotografi: AP

Takimi i fundit i nivelit të lartë mes Rusisë dhe BE-së u zhvillua nën ndikimin e zhvillimeve të vrrullshme në Ukrainë dhe për këtë suksesi i tyre nuk qe i madh. Para takimit të sotëm të dyja palët shpresonin se do të bënin një hap të madh drejt njëri-tjetrit për ta vendosur mbi një bazë të re bashkëpunimin mes Rusisë dhe BE-së.

Duke shprehur interesin e palës ruse zëdhënësi i MPJ të Rusisë, Aleksandër Jakovenko, përpara takimit tha: "Ne mendojmë se përfundimi kryesor i takimit mes BE-së dhe Rusisë do të jetë nënshkrimi i katër dokumentave themelorë, që do të thotë praktikisht bashkëpunim në të gjithë sektorët. Kjo do të thotë jo vetëm krijimin e një Evrope pa vija ndarëse, dhe zhvillimin e kontakteve mes njerëzve, qarkullimin e lirë dhe pa viza, por edhe bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, të kulturës dhe të shkencës."

Por sado bukur që të tingëllojë qarkullimi i lirë dhe pa viza i qytetarëve, BE-ja është e gatshme që ta nënshkruajë këtë marrëveshje, vetëm në rast se Rusia shprehet e gatshme të ripranojë personat që kanë hyrë ilegalisht në territorin e vendeve të marrëvshjes së Shengenit, gjë për të cilën pala ruse e ka vështirë të pajtohet me një gjë të tillë.

BE-ja dhe Rusia nënshkruan në përfundim të takimit marrëveshjen e re të partneritetit. Presidenti i radhës i Këshillit të BE-së Jean-Claude Juncker i hodhi poshtë rezervat e palës ruse se Evropa ka ndër mend të zgjerojë zonën e saj të influencës drejt lndjes. Evropa nuk synon zona të reja influence, tha kryeministri i Luksenburgut. Edhe presidenti rus Vladimir Putin theksoi se Rusia dëshiron një Evropë pa vija demarkacioni. Kremlini ka frikë se me anëtarësimin e vendeve baltike dhe të Polonisë në BE marrëdhëniet e mira mes BE-së dhe Rusisë, sidomos ato mes Rusisë Gjermanisë dhe Francës mund të dëmtohen. Presidenti i Komisionit të Evropës, José Manuel Barroso, theksoi në një intervistë me radiostacionin "Echo Moskwi" se zgjerimi i BE-së drejt lindjes ka bërë që Rusia dhe BE-ja të jenë më pranë njëra-tjetrës.

Marrëveshja kryesore që nënshkruan të dyja palët ishte marrëveshja ekonomike. Evropa është e interesuar për naftën dhe gazin rus, ndërsa Moska për investime perendimore për rimëkëmbjen e ekonomisë ruse. Vëllimi bilateral tregëtar mes Rusisë dhe BE-së është 96,55 miliardë euro. Në këtë mënyrë Rusia zë vendin e pestë ndër partnerët tregëtarë të BE-së. Nga ana tjetër Rusia mbulon 30% të nevojave të BE-së për naftë dhe gaz.

Në marrëveshjen politike të dyja palët angazhohen për mbrojtjen e minoriteteve dhe bashkëpunimin në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Moska ngul këmbë sidomos për respektimin e të drejtave të minoritetit rus në vendet baltike.

Në lidhje me çështjen e heqjes së vizave për qytetarët rusë do të zhvillohen bisedime të mëtjeshme. Sepse BE-ja kërkon që Rusia të garantojë se do të ripranojë të gjithë personat që kanë hyrë ilegalisht në territorin e vendeve të marrëvshjes së Shengenit prej territorit rus.