1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moska zyrtare: Ukraina duhet ta zgjidhë vetë krizën e saj

Ruth Dickhoven27 Nëntor 2004

Parlamenti ukrainas u mblodh në një mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth krizës politike në vend pas rezultateve të diskutueshme të zgjedhjeve presidenciale dhe i shpalli rezultatet e balotazhit të pavlefshme. Ndërkohë të premten e kaluar ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov e akuzoi Perëndimin se po ndërhyn më shumë se ç´duhet në çështjet e brendshme të Ukrainës.

https://p.dw.com/p/Aqub
Populli ukrainas nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve presidenciale
Populli ukrainas nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve presidencialeFotografi: AP

Mesa duket qeveria ruse po distancohet me kujdes nga Viktor Janukoviç. Ndonëse presidenti rus Vladimir Putin e uroi disa ditë më parë dy herë kandidatin e tij të preferuar për fitoren e zgjedhjeve, pas vendimit të gjykatës së lartë të Ukrainës për të mos i publikuar rezultatet e zgjedhjeve, qeveria në Moskë vendosi të kthehet mbrapsht. Ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov shpjegoi të premten e kaluar se:

"Ne jemi të bindur se kjo krizë do të mund të zgjidhet vetëm nga vetë populli i Ukrainës dhe zyrat e Ukrainës të cilat duhet të përdorin të gjitha mekanizmat që janë aprovuar nga partitë që marrin pjesë në parlament."


Sipas ministrit të jashtëm rus Lavrov, fajin për protestat e ditëve të kaluara të cilat pothuajse u kthyen në një konflikt të ri ndërkombëtar mes Lindjes dhe Perëndimit, e kishin vetëm evropianët dhe askush tjetër:

"Përpjekjet e disa shteteve për ta interpretuar situatën jashtë ligjeve të shtetit të Ukrainës, na shqetësuan disi. Sidomos kur disa metropole evropiane deklaruan se nuk i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve në Ukrainë. Sipas tyre Ukraina është pjesë e Perëndimit. Por populli i Ukrainës duhet ta vendosë vetë se kujt i përket. Nga ana gjeografike ky vend ndodhet mes Perëndimit dhe Rusisë. Mesa duket dikush po përpiqet të vërë një kufi të ri ndarës në Evropë" - tha Lavrov.


Por qeveria ruse dëshmon në të njejtën kohë se është e gatshme të bashkëpunojë me partnerët e saj të huaj. Kështu ministria e jashtme ruse vendosi më në fund që t´i japë Dalai Lamës vizën që ai priste që prej 12 vjetësh. Deri tani kërkesa e tij nuk ishte pranuar, për arsye se duheshin respektuar marrëdhëniet ruse me Kinën. Por tani ministria e jashtem ruse deklaroi: "Ne e respektojmë dëshirën e më shumë se 1 milionë budistëve që jetojnë në vendin tonë, udhëheqësi fetar i të cilëve është Dalai Lama."

Ky ndryshim i kursit politik ka për qëllim të dëshmojë se "Rusia është një vend i qytetëruar i cili i ndan vlerat morale njerëzore dhe integrohet shpejt në bashkësinë botërore". Ky kurs është pjesë e një fushate të re, e cila u diskutua të premten e kaluar për orë të tëra në Kremlin.