1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mosnjohja e Kosovës nuk do ta pengojë zhvillimin e saj

Anila Shuka26 Maj 2008

Intervistë me Holm Sundhausen, profesor pranë Universitetit të Lirë në Berlin dhe ekspert për Evropën Juglindore

https://p.dw.com/p/E51m

DW: Serbia ndodhet para krijimit të koalicionit qeveritar. Cili kamp i ka shanset më të mëdha?

Sundhausen: Unë mendoj se shanset më të mëdha i kanë forcat proevropiane. Sepse socialistët nuk duan që ta anulojnë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në. Edhe në radhët e DSS-së ka njerëz që nuk janë të kënaqur me kursin e Koshtunicës. Në radhët e partisë socialiste nuk ka ende konsensus por ka një shumicë që është pro kursit evropian.

DW: Në se Koshtunica dhe radikalët bien dakord për të krijuar qeverinë, sa i qendrueshëm mund të jetë një koalicon i tillë?

Sundhausen: Kjo është e vështirë të thuhet për çdo koalicion. Mund të thuhet që përmirësimi i standardeve jetësore për socialistët është një pikë shumë e rëndësishme, sepse një pjesë shumë e madhe e klientëve të socialistëve për këtë shkak nuk votoi për socialistët. Përmirësimi i standardeve kushton para dhe pyetja është se nga vijnë paratë, në se BE-ja e mbështet Serbinë, atëherë kjo është një ndihmë, por kjo nuk do të mjaftonte. Edhe kampi tjetër nuk di se ku do t'i gjejë paratë, sepse Rusia nuk do të jetë në gjendje të sjellë atë standard që do ta arrinte BE-ja. Një koalicion i tillë nuk do ta kishte jetën shumë të gjatë. Në se disa deputetë do të largohen, atëherë shumica humbet. Kështu që unë mendoj, se mund të ketë një zvarritje, por për në planin afatgjat do të fitojnë proevropianët.

DW: A do të çonte një koalicion antievropian në izolimin e Serbisë?

Sundhausen: Ndoshta jo patjetër izolim, por do kjo sigurisht që do ta vështirësonte procesin e integrimit në Evropë. MSA-ja është nënshkruar por nuk ka hyrë në fuqi; ajo hyn në fuqi kur të plotësohet kushti i bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës. Do të ishte një sfidë e madhe për radikalët në se ata do të jenë në gjendje që t'i bashkangjiten këtij kursi.

DW: A do të sillte një koalicion i tillë rrezik për rajonin?

Sundhausen: Kjo do të sillte sigurisht një rrezik, sepse një qeveri e tillë mund të ngjallte trazira në Kosovë, mund të mbështeste nacionalistët në Republika Srpska, por se deri ku do të shkonin provokimet e tyre, kjo nuk dihet, sepse edhe Rusia paralajmëroi që nuk dëshiron të ketë konflikte të tjera. Në se qeveria do të ndjekë një kurs të tillë, atëherë ajo shumë shpejt mund të izolohet.

DW: A mendoni se një koalicion antievropian do të përpiqej të ndante faktikisht Kosovën?

Sundhausen: Në se kjo do të ndodhte, atëherë në pyetje do të ishte vetëm veriu i Kosovës. Se a do të ketë sërish negociata për këtë, kjo është vështirë të thuhet. Është problematike sepse nuk ka vetëm serbë në Kosovë, por ka edhe shqiptarë në Serbi. Nuk dihet se si do të sillet bashkësia ndërkombëtare në një situatë të tillë. Unë mendoj se do të ishte problem në se do të pranohej ndarja e Kosovës, dhe për momentin menodj se kjo gjë nuk do të ndodhë.

DW: Ndoshta jo bashkësia ndërkombëtare, por një qeveri e përbërë nga Koshtunica, Samarxhiçi dhe radikalët mund të përpiqej të ushtronte ndikimin e saj në Kosovë.

Sundhausen: Ata mund të përpiqen, por unë mendoj, se bashkësia ndërkombëtare është e fuqishme mjaft për ta penguar atë.

DW: Në Kosovë u zhvilluan edhe zgjedhjet lokale serbe. Cili do të jetë ndikimi i tyre për situatën e mëtejshme atje?

Sundhausen: Edhe këtu duhet bërë dallim ndërmjet enklavave në brendësi të Kosovës dhe Veriut të Kosovës. Unë mendoj se në brendësi të Kosovës, në enklavat serbe në një periudhë afatgjate situata do të qetësohet. Edhe serbët që jetojnë aty po e shikojnë me realizëm se një kurs konfrontimi nuk do të ketë kuptim dhe se u bën dëm edhe vetë atyre. Në veriun e Kosovës shumëçka do të varet nga mbështetja që do të vijë nga Beogradi. Në se nuk vjen mbështetje atëherë situata do të qetësohet shumë shpejt.

DW: Unmik-u nuk po pranon t'ia lërë vendin Eulex-it, ashtu siç kishin shpresuar evropianët, dhe ndërkohë tek shumë njerëz në Kosovë po krijohet përshtypja, se as Bashkësia Ndërkombëtare nuk e di se ç'po bën aktualisht në Kosovë. A pajtoheni ju me këtë tezë?

Sundhasuen: Ngjashëm si me krijimin e qeverisë në Serbi edhe këtu ajo po provon taktika. Po shqyrton se çfarë është e bëshme. Ajo që dihet deri tani janë synimet, të cilat janë të qarta. Çdokush e di se çfarë do BE-ja, çfarë duan kombet e bashkuara, megjithëse kjo e fundit nuk është shumë e qartë, por pyetja është edhe se çfarë është e mundshme. Politika është arti i së mundshmes, dhe kjo sajohet nëpër negociata.

DW: Kosova deri tani nuk është njohur nga vendet fqinje, me përjashtim të Shqipërisë. Sa të vështirë do ta ketë Kosova që të përparojë në të ardhmen në këto kushte?

Sundhausen: Unë mendoj se Kosova ashtu si edhe shumë shtete të tjera të vogla mund të jetë e suksesshme, në se arrin që si në ekonomi, politikë, kulturë dhe në arsim të ndërtojë struktura të qëndrueshme. Që çështja e njohjes do të zvarritet për shumë vite, kjo është e vërtetë. Por kjo është diçka e njohur edhe në politikën gjermane. Një situatë të ngjashme e kemi patur edhe në kohën e DDR-it. Por ajo nuk mund të jetë një pengesë për zhvillimin e mëtejshëm, si në raportet e jashtme të Kosovës, ashtu edhe në ato të Serbisë. Kjo është çështje ritualesh politike, të cilat nuk kanë pse ta pengojnë politikën, ato e vështirësojnë atë, por nuk e pengojnë patjetër. Unë mendoj se detyra kryesore këtu do të jetë që Kosova të arrijë një hov ekonomik dhe në se njerëzit, qoftë shqiptarët, qoftë serbët që jetojnë aty, e ndjejnë që i kanë më mirë punët, atëherë unë mendoj se edhe problemi i Kosovës do të zgjidhet vetvetiu.