1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

(Mos)suksesi në arsim i fëmijëve me prejardhje të huaj në Gjermani

Anja Koch22 Tetor 2008

Këtë të mërkurë, në Drezden të Gjermanisë mblidhen krerët politikë, së bashku me kancelaren Merkel për të debatuar mundësinë e përmirësimit të kushteve në kopshte dhe shkolla. Po cilat janë kushtet për fëmijët e huaj?

https://p.dw.com/p/Fecs
Angela Merkel...të shoh nje herë, si duket gjendja?!Fotografi: AP

Nasanina është një 15 vjeçare, e lindur në Afganistan. Kur prindërit e saj erdhën në Gjermani, ajo nuk dinte asnjë fjalë të kësaj gjuhe. Edhe sot me prindërit e saj flet në gjuhën perse. Familjen e mbanë babai me një punë në piceri. Janë këto kushte të vështira për të qenë një nxënëse shembullore?

"Mendoj se shkolla është shumë e rëndësishme për të gjithë, sepse vetëm të shkolluarit kanë një ardhmëri më të sigurt. Unë së shpejti do të përfundojë maturën dhe dua të studjoj. Prandaj jam e bindur se do të kem një ardhmëri të mirë", mendon ajo.

Nasanina është në klasën e nëntë të gjimnazit në Drezden, një shkollë me kërkesa shumë të mëdha, ku nxënësit përgatiten edhe për universtitet. Por ajo e di se pse i duhet shkolla.

"Tani jetojmë në një vend të huaj dhe është shumë me rëndësi që të ndërtojmë bazat e një jete të mirë. Për ne është më vështirë se për gjermanët. Prandaj që tani duhet të fillojmë planifikimet dhe  të jemi të mirë në shkollë. Ne nuk kemi pasaportë gjermane, por në qoftë se bëjmë një jetë si duhet, e di që do ta marrim edhe nënshtetësinë", thekson ajo.

Nasanina është një nxënëse shembullore, megjithë prejardhjen e saj të huaj dhe vështirësive fillestare me gjuhën. Por ajo nuk është shembulli i vetëm, sepse gjithnjë e më shumë nxënës me prejardhje të huaj kryejnë maturën me notat më të mira. Madje më të mira se gjimnazistët gjermanë. Në qoftë se ndonjë prej fëmijëve të huaj ka arritur të futet në shkollat më të larta gjermane, zakonisht është më i suksesshëm se gjermanët. Ingrid Gogolin, profesore dhe edukatore në Hamburg mendon se "kjo mund të shpjegohet me faktin se prindërit me prejardhje të huaj presin prej fëmijëve një angazhim më të madh. Ndërkohë që suksesi në shkollë për ta është një dëshmi se të gjitha i kanë bërë si duhet."

Në veçanti të suksesshëm janë fëmijët me prejardhje të huaj në landet e ish- Gjermanisë lindore. 19 përqind e fëmijëve me prejardhje të huaj në këto lande kanë shkuar vitin e kaluar në gjimnaze. Na Saksoni, ku jeton edhe Nasanina, madje 52 përqind. Suksesi ndërlidhet ndoshta edhe me numrin e mjaftueshëm të vendeve në kopshte, ku ata me kohë e mësojnë gjuhën. Në landet e Gjermanisë perëndimore ende nuk ka vende sa duhet. Mirëpo megjithë këto zhvillime pozitive, sistemi i arsimit për fëmijët me prejardhje të huaj mbetet i vështirë. 13 përqind prej tyre nuk arrijnë kurfarë diplome, ndërkohë që tek fëmijët gjermanë kjo është vetëm dy përqind.

"Mendoj se situata për shkollimin e fëmijëve me prejardhje të huaj nuk është e mirë. Është më e keqe se në vendet tjera evropiane. Nuk shfrytëzohet sa duhet dhe sa mundet potenciali i fëmijëve me prejardhje të huaj", nënvizon ajo.

Një rol të veçantë negativ luan sistemi treshkallësh i arsimit. Fëmijët ndahen në bazë të aftësive të tyre pas klasës së katërt apo të gjashtë, në tri lloje të shkollave të ndryshme. Shumë shpesh kjo ndikon në shansat e mëvonshme të fëmijëve në tregun e punës. Ekspertët mendojnë se ndarja bëhet tepër heret, sepse fëmijët që rriten njëkohësisht me dy gjuhë e kanë më të vështirë që deri në këtë moshë të arrijnë nivelin e të tjerëve dhe të tregojnë aftësitë e tyre të vërteta. Shkolla duhet të kuptohet si një ofesrtë dhe jo pengesë, me qëllim që edhe të tjerët të jenë të suksesshëm si Nasanina.