1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

 MPJ Fisher ende në shënjestër të akuzave për aferën e vizave  Parlamenti gjerman diskuton për ratifikimin e Kushtetutës Evropiane  Mbretëresha britanike nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e martesës së të birit

P. P.24 Shkurt 2005
https://p.dw.com/p/ArwX
Çifti i lumtur në prag të martesës
Çifti i lumtur në prag të martesësFotografi: AP

Në shtypin e sotëm gjerman zë vend të gjërë afera e vizave të lëshuara prej ambasadave gjermane, prej të cilave mendohet se kanë përfituar trafikantët e qënieve njerëzore dhe nxitësit e prostitucionit. Gjithsesi kjo aferë është kthyer në një skandal politik për MPJ, Joshka Fisher. Në lidhje me këtë në gazetën "Handelsblatt" lexojmë:

"Skadali i vizave për momentin rrotullohet rreth çështjes se çfarë dhe në ç'moment ka ditur për këtë çështje ministri Fisher dhe si ka reaguar ai. Në rrezik për koalicionin qeveritar mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve kjo çështje shndërrohet vetëm, nëse partitë opozitare arrijnë që ta bëjnë fajtore qeverinë që me praktikën e saj liberale të dhënies së vizave, parë në kuadrin e numrit të madh të të papunëve në vend, ka cënuar sigurinë e brëndshme, dhe ka shkelur madje normat e partnerëve evropianë. Joshka Fisher ka mundësi që ta nxjerrë kokën nga rreziku në rast se flet hapur në kongresin e partisë ekologjike për landin NRW që zhvillohet ditën e shtunë."

Edhe gazeta e Berlin "taz" e përqëndron vëmendjen tek çështja se sa faj ka Ministri i Punëve të Jashtme, Joshka Fisher, në këtë mes:

"Çështja e klasifikimit politik të aferës së vizave përqëndrohet vetëm në një pikë, tek problemi se kur dhe sa ishte në dijeni për këtë problem ministri Fisher. Deri tani opozita ka sjellë dëshmi të pakundërshtueshme se ministrit të jashtëm i kanë shpëtuar gabime. Nga ana tjetër të bie në sy se deri tani edhe vetë Fisheri nuk ka guxuar të hedhë poshtë me siguri të plotë çdo lloj akuze. Në këtë mugëtirë është e qartë që të gjithë i kanë varur shpresat tek zbulimi i ndonjë dokumenti sekret që vërteton se gjithçka ka qenë e vërtetë. Por po të kishte ndonjë dokument të tillë me rëndësi kyçe, opozita do ta kishte shtënë me siguri në dorë deri tani. Me sa duket gjithçka do të mbetet në pështjellimin e koklavitur mes fakteve, akuzave dhe mbrojtjeve."

Temë tjetër që preokupon shtypin gjerman janë diskutimet për ratifikimin e Kushtetutës Evropiane. Diskutime të tilla u zhvilluan edhe në parlamentin gjerman, ku opozita kërkoi më tepër të drejta për Gjermaninë në kuadrin e marrjes së vendimeve nga Brukseli. Në lidhje me këtë në gazetën "Süddeutsche Zeitung" lexojmë:

"Evropa ushqehet sot sipas menusë të parashtruar prej marrëveshjes për Kushtetutën e BE-së. Evropa ushqehet prej shteteve të saj anëtare. Ata heqin dorë prej një pjese të sovranitetit të tyre, duke ushqyer në këtë mënyrë BE. Ndryshe kjo s'mund të bëhet. Për këtë heqja dorë prej sovranitetit është në natyrën e BE-së Kjo ishte e qartë përpara se të formësohej Kushtetuta Evropiane, apo të paktën që prej marrëveshjes së Mastrichtit. Kundër një gjëje të tillë nuk ke se ç'të kundërshtosh as duke u nisur prej kushtetutës gjermane. Vetëm në rast se kushtetuta gjermane do të duhej të tretej tërësisht si një lugë sheqeri në filxhanin e madh të kafesë evropiane, atëhere do të duhej që përpara se të ndodhte kjo të zhvillohej një referendum, sikurse parashikohet në nenin 146 të Kushtetutës."

Shtypi gjerman nuk e anashkalon as deklaratën e Mbretëreshës Britanike që nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e martesës së të birit, princit Charls me Camilla Parker Bowles. Sipas artikullshkruesit të "Fuldaer Zeitung" mesazhi që u transmetohet shumicës së britanikëve është, se familja mbretërore është tepër e çuditshme. Kurse gazeta "Berliner Kurier" i bën thirrje mbretëreshës që të marrë pjesë në gëzimin e të birit:

"Jo, nëna nuk ka si të mos marrë pjesë në martesën e fëmijës së saj, edhe në rast se nuk i pëlqen nusja apo dhëndërri. Rëndësi ka e mira e çiftit të ardhëshëm, dashuria dhe përgjegjësia që marrin për njëri-tjetrin. Ky do të ishte fati më i mirë për prindërit. Për këtë mbretëresha Elisabeth duhet të marrë pjesë në ceremoninë e martesës së të birit që do të zhvillohet më 8. prill në gjendjen civile në qytetin Windsor. Edhe mbretëreshat duhet të kapërdijnë ndonjëherë kafshata të pakëndëshme, kur është fjala për të mirën e fëmijëve të tyre."