1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

021209 Obama Afghanistan

3 Dhjetor 2009

Planet për shtimin e trupave në Afganistan i kanë shqetësuar aleatët evropianë të SHBA-së. Sidomos në Gjermani spekulimet për dërgimin e ushtarëve shtesë në Afganistan po bëhen në një kohë shumë të papërshtatshme.

https://p.dw.com/p/KpSq
Ushtare gjermane ne Afganistan
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Pas fjalimit të presidentit amerikan Barack Obama qeveria gjermane po luan me faktorin kohë. Qeveria gjermane do të vendosë për kërkesat e presidentit Obama për një angazhim më të fuqishëm në Hindukush, vetëm pas konferencës ndërkombëtare për Afganistanin që do të mbahet në fund të janarit.

Ndihmë për strukturat civile në Afganistan, Shkolla e Policisë
Ndihmë për strukturat civile në Afganistan, Shkolla e PolicisëFotografi: picture-alliance/ dpa

Përparësi kanë objektivat dhe strategjitë dhe jo numri i ushtarëve, tha ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle: "Përpara konferencës për Afganistanin dhe diskutimeve strategjike në këtë konferencë, një debat për shtimin e trupave dhe pjesëmarrjes gjermane nuk është sipas pikëpamjes sonë as me kuptim, as me vend".

Sipas presidentit Obama vendet e Nato-s do të duhej të dërgonin 10.000 ushtarë shtesë. Sipas njoftimeve të medieve deri 2.500 syresh do të ishin vetëm nga Gjermania. Megjithatë Berlini reagon i përmbajtur. Ndërkohë që aleatët e tjerë i kishin të gatshme premtimet e tyre, qeverisë gjermane i nevojitet kohë. Kjo mund të sqarohet me faktin që në traditën e qeverisjes gjermane një përgjegje e përshtatshme duhet të përmbushë disa kritere: ajo duhet të fashisë dyshimet në skenën e brendshme politike, duhet t'i pëlqejë aleatit të ngushtë SHBA-së, të jetë në përputhje me rolin e Gjermanisë në Nato dhe të ketë parasysh rezervat e misionit të Bundeswehrit në Afganistan.

Premtime të përgjithshme

Tani për tani shefi i diplomacisë gjermane, Guido Westerwelle, kufizohet në premtimet e përgjithshme: "Ne gjermanët jemi të gatshëm të bëjmë më shumë për ngritjen e strukturave të policisë dhe shkollimin e policisë pasi vetëm kështu mund të ketë siguri të vetëmbajtur dhe transferim të përgjegjësive. Askush nuk dëshiron që ky mision të zgjasë si të thuash përjetësisht."

MPJ gjerman Guido Westerwelle
MPJ gjerman Guido WesterwelleFotografi: AP

Të enjten (3.12) në rend të ditës të parlamentit gjerman do të jetë zgjatja edhe me një vit e mandatit të aktual të Bundeswehrit në Afganistan. Për momentin mbetet gjithçka siç ishte: Bundeswehri me 4.500 ushtarët e tij është i treti për nga numri i ushtarëve në kuadër të trupave të ISAF-it. Në rast se qeveria gjermane do të plotësojë kërkesën e presidentit Obama për dërgimin e ushtarëve shtesë, atëherë në pranverë do t'i duhet sërish miratimi i parlamentit.

Kritika në Bundestag

Por në parlament kritikat për misionin shumë të shtrenjtë që filloi para tetë vitesh, sa vijnë e shtohen, sidomos në radhët e opozitës. Ndër kritikët më të ashpër të këtij misioni konsiderohet Gregor Gysi, shefi i grupit të partisë E Majta në Bundestag: "Gjermania do t'i shtojë trupat, fatkeqësisht! Ajo do të ndjekë rrugën e gabuar. Tani flitet për 2.000 deri në 2.500 e më vonë ndoshta do të bien dakord edhe për 1.500 ushtarë dhe do të thonë pastaj se arritët të ulni numrin. Por në thelb kjo është tërsisht e gabuar."

Gregor Gysi
Gregor GysiFotografi: AP

Në fjalimin e tij presidenti amerikan Barack Obama tha se është menduar që në verën e vitit 2011 të fillojë tërheqja e trupave. Përcaktimi i një date konkrete është për kancelaren gjermane Angela Merkel "i drejtë dhe kuptimplotë". Por se a do të vlejë kjo tërheqje edhe për Bundeswehrin mbetet çështje e hapur, të paktën deri në konferencën ndërkombëtare për Afganistanin.

Autor: Nina Werkhäuser / Esat Ahmeti
Redaktor: Pandeli Pani