1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Mund të jesh patriot, edhe kur i përket një pakice'

17 Shtator 2020

Qeveritë kanë detyrë që me informim dhe edukim të bëjnë të qartë se një pakicë kombëtare është pasurim i shoqërisë. Shfaqjet etniko-nacionaliste janë armiku i mbrojtjes së pakicave, thotë për DW Bernd Fabritius.

https://p.dw.com/p/3icBl
Bernd Fabritius, Beauftragter der Bundesregierung für Aussiedlerfragen
Fotografi: BMI

DW: Dr. Fabritius, në qendër të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës janë edhe pakicat përkatëse etnike. Çfarë bën pjesë në një marrëveshje të suksesshme për të drejtat e pakicave?

Bernd Fabritius: Në Evropë ne e kemi tashmë bazën ligjore për mbrojtjen e pakicave, që për mendimin tim është e rëndësishme në dialogun serbo-kosovar. Kemi dy rregulloret e Këshillit të Evropës, që Serbia tashmë i ka ratifikuar dhe që edhe i zbaton. Nga njëra anë është Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, që Serbia e ka ratifikuar në shtator 2001 dhe që ndalon diskriminimin për shkak të përkatësisë në një pakicë kombëtare dhe asimilimin kundër vullnetit të saj. Pra ajo mbron liritë, që kanë rëndësi esenciale për pjesëtarët e pakicave. Rregullorja e dytë e Këshillit të Europës është Karta për Gjuhët Rajonale dhe të Pakicave. Serbia e ka ratifikuar atë në vitin 2006.

Dhe kjo kartë i referohet të drejtës së patjetërsueshme të njerëzve për të përdorur në jetën private dhe publike gjuhën e tyre rajonale dhe të pakicës. Serbia e mbron pakicën gjermane, që jeton atje. Atje ka rreth 4.000 vetë, që i përkasin pakicës gjermane. Shumica jetojnë në Vojvodinë. Ata kryesisht flasin gjuhën e vendit dhe janë anëtarë patriotë të shtetit serb, por flasin edhe gjuhën gjermane. Pra Serbia mund të zbatojë një politikë pozitive ndaj pakicave. Ne këtë e shohim në kushtet e përgjithshme të pakicës gjermane atje.

Shumë gjëra tingëllojnë shumë mirë në teori dhe në formulimin e ligjeve apo marrëveshjeve. Megjithatë shpesh ka një diskurs, që karakterizohet nga mosbesimi dhe frika. Cilët mekanizma rekomandoni ju, me qëllim që ajo që është garantuar teorikisht, të ndiqet edhe nga praktika, duke u zbatuar?

Frika brenda një shoqërie është një fenomen, që e përjetoj relativisht shpesh në fushën e politikës së pakicave. Qeveritë kanë një detyrë esenciale, që përmes informimit dhe edukimit të shoqërisë të sigurojnë një qasje gjithëpërfshirëse dhe të bëjnë të qartë se një pakicë kombëtare është pasurim i shoqërisë të një vendi.

Shfaqjet etniko-nacionaliste janë armiku i mbrojtjes së pakicave. Ekziston gjithmonë një ekuilibër i ngushtë mes presionit të asimilimit dhe ruajtjes së identitetit kulturor të pakicës. Për ta thënë thjesht: mund të jesh një patriot i mirë, edhe kur i përket një pakice kombëtare. Në punën time me pakicat në Evropë kam përjetuar që pakicat kombëtare janë patriotë shumë të mirë ... Dhe çdo qeveri vepron me mençuri, nëse e sheh këtë si aspekt pozitiv.

Ju keni folur për të drejtat e pakicave. Nëse vështroni konfliktin midis Serbisë dhe Kosovës, megjithatë, puna çalon edhe tek detyrimet. Çfarë rekomandoni ju, në mënyrë që një pakicë të integrohet mirë?

Frika e përmendur brenda një shoqërie si aspekt negativ, si armiku i të gjitha politikave të mira të pakicave, lind pikërisht atëherë, kur pakica në shoqërinë shumicë zgjon përshtypjen, se ajo nuk bën pjesë me të vërtetë aty dhe se po ndjek tendenca përçarëse. Kjo nuk i kontribuon një politike pozitive të pakicave.

Një pakicë vepron gjithmonë me mençuri, kur e jeton në mënyrë konstruktive përkatësinë në zonën, ku jeton tradicionalisht, dhe kjo e bën atë të konsiderohet pakicë kombëtare.
Pra nëse një pakicë serbe jeton në Kosovë, kjo pakicë sigurisht vepron me mençuri, kur e sheh veten si pjesë të Kosovës dhe jeton atje me shoqërinë shumicë në mirëbesim.

Dhe është përgjegjësi reciproke për t'u kujdesur që partneri përkatës në të njëjtin vend të mos ketë frikë nga tjetri dhe të mos e shohë tjetrin si trup të huaj. Kjo do të thotë, se nëse shoqëria me shumicë kosovare i jep minoritetit serb, që jeton atje, me të vërtetë përshtypjen se të drejtat e pakicës serbe po ruhen në Kosovë, që ata jo vetëm pranohen, por mbështeten nga shteti kosovar, nëse serbët përdorin serbishten si gjuhën e tyre, atëherë argumenti i frikës nuk ka më vend aty. Atëherë nuk shkohet drejt largimit dhe ndarjes, por përkundrazi drejt përmirësimit të integrimit të kësaj pakice, pa folur për asimilim. E kundërta është po ashtu e vërtetë.

Ju përmendët fjalën kyçe, gjuhë, duke theksuar mbrojtjen e gjuhës së vërtetë amtare. Por ka edhe tendenca, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajone të tjera përreth, që pakicat etnike të mos mësojnë gjuhën e shumicës dhe ta refuzojnë atë. Çfarë rekomandoni ju atje?

Unë vetëm mund të rekomandoj si parim, dhe kjo nuk vlen vetëm për pakicat, që secili duhet të mësojë gjuhën e vendit, të folurën e njerëzve të tjerë në vend, sidomos kur janë shumica. Pra çdo anëtar i pakicave kombëtare gjuhën e vendit duhet ta mësojë vetë dhe t'ia përcjellë edhe fëmijëve si investim për të ardhmen. Nëse ka rezerva ndaj shoqërisë shumicë, ato duhet të evitohen sa më mirë dhe sa më parë të jetë e mundur, sepse në fund të fundit njeriu do të jetojë në atë vend. Kjo është për mendimin tim baza e një pozicionimi inteligjent të një pakice etnike. Çdo gjë tjetër do ta përmblidhja me termin tendencë separatizmi. Dhe kjo nuk pajtohet me qëndrimin e mençur të një pakice.

Separatizmi është pikërisht ai, nga i cili ka frikë shoqëria shumicë. Si mund të parandalohet separatizmi në zonën e tensionit midis lejimit të identitetit kulturor dhe respektit ndaj identitetit të tjetrit?

Unë mendoj se pavarësisht nëse i përkisni shumicës apo pakicës së shoqërisë, duhet të keni mjaft besim në vetvete, për ta lënë tjetrin që të jetë ndryshe.

Shoqëria shumicë nuk duhet të japë përshtypjen se dëshiron të asimilojë me forcë anëtarët e pakicës në shoqërinë shumicë. Dhe pakica duhet t'i përcjellë me besueshmëri shoqërisë shumicë se duke ruajtur identitetin e tyre, janë besnikë ndaj shtetit në të cilin jetojnë. Pakica ka gjithmonë nevojë për mbrojtje, jo shumica.

Mbrojtja e pakicave sigurisht që presupozon se çështjet e përkatësisë territoriale janë sqaruar dhe nuk vihen në dyshim! Unë jam pakicë, vetëm atëherë kur jetoj në një shtet tjetër, ku ka një shoqëri me shumicë tjetër. Nëse nuk e kam pranuar këtë, atëherë nuk e kam kuptuar se jam pakicë kombëtare.

Dhe prandaj ideja e mbrojtjes së pakicave funksionon vetëm atëherë, kur ata që e reklamojnë, e pranojnë për veten e tyre se janë pakicë. Nëse caktimi i territorit vihet në pikëpyetje, atëherë ne nuk jemi ende tek debati për mbrojtjen e pakicave.

Një aspekt i rëndësishëm i të drejtave të pakicave është pjesëmarrja në politikë. Në Ballkan është kështu, që pakicat etnike votojnë për partitë etnike. Shpesh ka kuorume, që e bëjnë më të lehtë pjesëmarrjen. Kjo etnizon në të njëjtën kohë diskursin politik ...

Nevojën për nxjtjen e pjesëmarrjes politike të pakicave etnike unë e konsideroj shumë të rëndësishme, në mënyrë që pakicat kombëtare të përjetojnë të ashtuquajturin diskriminim pozitiv. Sepse përndryshe atyre nuk u jepet mundësia e pjesëmarrjes politike, nëse shoqëria shumicë, si të thuash, vazhdimisht i mënjanon me vota ... I

Në Rumani një përfaqësues i pakicës etnike është president, në Maqedoninë e Veriut në fund të periudhës legjislative një etnik shqiptar do të bëhet kryeministër. Rezultate të këtij diskriminimi pozitiv?

... Mendoj se është shumë, shumë e rëndësishme, që politika e pakicave në të gjithë shoqërinë të shihet si e rëndësishme... përmes asaj "lere të secilin të jetë, ai që është" për të gjithë...

Fatkeqësisht, në Evropë kemi aktualisht tendencën e kundërt: nacionalizmi po rritet...

Mbrojtja e pakicave është jashtëzakonisht e rëndësishme, sidomos në Evropën e rinacionalizimit të marrëdhënieve të ndërsjella. Unë mendoj se pakicat janë një mundësi për paqen në Evropë. Ata janë lidhës për mirëkuptimin reciprok. Kështu që unë do t'u bëja thirrje të gjitha shteteve në Evropë që ta trajtojnë mbrojtjen e pakicave si një mundësi për përparimin e tyre të frytshëm.

Bernd Fabritius është i Ngarkuar i Qeverisë gjermane për Çështjet e të Shpërngulurve dhe Minoriteteve Nacionale.

Intervistoi: Adelheid Feilcke