1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

130509 Serbien Gewerkschaften

14 Maj 2009

Shumë sindikata në Serbi janë të dobëta, të përçara dhe nuk kujdesen aspak për të drejtat e punonjësve. Dhe ata shpesh nuk shohin mundësi tjetër përveç metodave radikale të protestave.

https://p.dw.com/p/HpgB
Serbi, punëtor në makineri.
Shumë sipërmarrje nuk i kanë paguar për vite me radhë punëtorët e tyre.

Kudo në botë ekonomia vuan nga pasojat e krizës financiare. Por ndërsa shtetet, që i kanë përjetuar vitet e bumit ekonomik ajo i prek më pak, vendet, që nuk kanë qenë ekonomikisht të forta, kriza i godet me gjithë forcën e saj. Psh Serbinë, e cila prej vitit 1990 ndodhet në krizë të vazhdueshme. Vetëm 50-55 përqind e popullatës aktive ka punë – në Slloveni gjithashtu një vend, që bënte pjesë dikur në Jugosllavi, vetëm 75 përqind. Të punësuarit kanë pak siguri sociale, sidomos nënat, fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara, vuajnë prej kësaj. Sindikatat e shumta janë të dobëta, të përçara dhe nuk kujdesen aspak për të drejtat e punonjësve. Ata shpesh nuk shohin mundësi tjetër përveç metodave të protestës.

Grua duke grumbullar letra.
Pas dy dhjetëvjeçarësh krize të vazhdueshme njerëzit në Serbi janë aq të dëshpëruar, saqë janë të gatshëm për gjithçka.Fotografi: DW-TV

Kjo grua, që po qan u lutet të afërmve dhe miqve që t' ia falin dhimbjen, që u ka shkaktuar. Ajo bën pjesë në një grup prej 13 punëtorësh të fabrikës së lëkurave „Partizan“, të cilët për një javë e gjysëm ishin futur në grevë urie. Një aksion, që për disa prej tyre përbënte rrezik për jetën. Qëllimi i protestave ishte, mospagimi i rrogave, që prej 2006.

Punëtorët nga Kragujevci, një qytet industrial 100 kilometra larg Beogradit, nuk janë të vetmit, që kanë protestuar kohët e fundit në Serbi. Edhe punëtorët e tekstilit nga Novi Pazari, në Serbinë e Jugut kanë qenë në grevë urie. Ata kërkonin rrogat, që nuk i kishin marrë që prej vitit 1993. Pas disa ditësh grevë urie pa marrë reagime të zyrtarëve, ata kërcënuan se do t' i radikalizojnë protestat. Qeveria serbe nuk ua vuri veshin përsëri. Derisa kryetari i shoqatës së fabrikës së tekstilit, Zoran Bulatovic, vendosi të kryejë një aksion të pazakontë. "Që prej ditës së sotme unë do të ha prapë. Kam nevojë për ushqim. Që sot ky është ushqimi im."

Kështu tha Zoran Bulatovic para kamerave, që xhironin, mori gishtin e vetë, që sapo e kishte prerë dhe e futi në gojë. Një aksion spektakular, i cili u pa në televizion nga miliona vetë dhe që erdhi papritur jo vetëm për qeverinë, por edhe për sindikatat e mëdha të Beogradit. Paptritur, ndoshta sepse nuk kanë kontakt të ngushtë me shokët në provincë. Përveç kësaj, sindikatat në Serbi nuk kanë emër të mirë. Ato janë pasardhëset e sindikatave socialiste dhe punëtorët nuk kanë besim tek to, nuk kanë besim sidomos tek bosët sindikalistë. Ata ndjekin vetëm interesat e tyre, mendon gazetarja Jelica Putnikovic. „Për fat të keq në Serbi nuk ka udhëheqës sindikatash, që të kujdesen seriozisht për punëtorët. Në vend të kësaj ata mendojnë për veten e tyre, mendojnë se si t' i mbushin xhepat dhe të bëjnë udhëtime të bukura në seminaret sindikaliste. Dhe nuk ka as njerëz, që të mund të bashkonin punëtorët e pakënaqur për t' i organizuar në një revoltë të vërtetë. Kjo nuk duhet të jetë revoltë kundër qeverisë, por një luftë për më shumë të drejta për punonjësit."

Zgjedhjet lokale maj 2008,
Duket se për t' i tërhequr vemendjen qeverisë, në Serbi bëjnë punë vetëm metodat radikale. Zgjedhjet lokale maj 2008,Fotografi: Picture-Alliance /dpa

Një luftë, që në Serbi duket e pashpresë. Dhe kjo jo vetëm për shkak të sindikatave të dobëta. Që prej vitit 1990 vendi është duke kaluar nga një krizë në tjetrën. Që para krizës aktuale ekonomike botërore mesatarja e papunësisë, arrinte zyrtarisht thuajse 20 përqind. Por në fakt ishte 25 përqind. Kryesisht në rajonet në jug të Beogradit. Diferenca zyrtare e mirëqënies ekonomike ndërmjet qyteteve në provinca dhe kryeqytetit Beograd ishte 1:15. Pjesa më e madhe e industrisë në vend është e shkatërruar dhe nuk funksionon. Shumë prej saj u privatizua pas erës së Millosheviçit. Siç duket jo fare në mënyrë të pastër, thotë presidentja e këshillit për luftimin e korrupisonit Verica Barac. Prej vitesh ajo ndjek proceset e privatizimit në Serbi. „Mendoj se nën mantelin e privatizimit janë bërë shumë biznese të ndyra, si psh larje parash, blerje e lirë e imobilieve dhe tokave, për t' i shitur pastaj me çmim më të lartë."

Dhe kjo ka bërë, që shumë sipërmarrje të mos i paguajnë për vite me radhë punëtorët e tyre. Pas dy dhjetëvjeçarësh krize të vazhdueshme njerëzit në Serbi janë aq të dëshpëruar, saqë janë të gatshëm për gjithçka, biles edhe për të dëmtuar veten. Qeveria tani ka reaguar. Ajo ka negociuar për punëtorët e fabrikës së lëkurës „Partizan“ një kompromis ndërmjet personelit dhe drejtuesve të firmës. Në vend të pagesave me vonesë të rrogave punonjësit do të marrin kompensime. Përveç kësaj do të paguhen dy vjet sigurime shoqërore për arkën e pensioneve. Për punëtorët e tekstilit në Novi Pazar e ardhmja për fat të keq nuk është kaq e qartë, por për të po punohet seriozisht siguron qeveria.

Kjo nuk është fitore e plotë për të gjithë grevistët e urisë, por ata kanë arritur diçka. Duket se për t' i tërhequr vemendjen qeverisë, në Serbi bëjnë punë vetëm metodat radikale.

Autor: Sanja Blagojevic / Angelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama