1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mungesë transparence? - Partitë në Maqedoni dhe fondet e tyre të fushatës elektorale

2 Qershor 2011

Partitë politike pjesëmarëse në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni, kanë shpenzuar më shumë para se sa kanë siguruar mjete financiare nga donatorët. Partitë kanë obligim të tregojnë burimin e fondeve, ndryshe gjobiten.

https://p.dw.com/p/11Sy8
Nga fushata e PDSH-së.
Nga fushata e PDSH-së.Fotografi: DW

Komisioni shtetëror zgjedhor ka publikuar raportet për shpenzimet financiare të partive politike në fushatën parazgjedhore, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit. Në bazë të ligjit të ri për kodin zgjedhor, partitë kanë qenë të obliguara, që në ditën e 11 të fushatës ti dorëzojnë raportet financiare në të cilën duhet të skatësohen donatorët dhe personat fizik dhe juridik që ndihmojnë financiarisht fushatën e partive. Në bazë të raportit të publikuar, komisioni shtetëror kundër korupsionit ka konstatuar se katër parti politike,VMRO-DPMNE, BDI, PDSH dhe LDP kanë shpenzuar më shumë para se sa kishin të siguruara mjete financiare në llogaritë partiake për fushatë.

“VMRO-DPMNE ka siguruar rreth 800 mijë euro ndërsa ka shpenzuar 1.6 milion euro, BDI ka shprenzuar 150 mijë euro, ndërsa nga donatorët ka siguruar vetëm 18 mijë euro, PDSH ka shpenzuar 16 mijë euro, kurse nga donatorët ka grumbulluar 11 mijë euro,” - është shprehur, Vojisllav Zafirofski, kryetar i komisionit shtetëror kundër korupsionit.

Partia më e madhe opozitare maqedonase, LSDM, ka marrë kredi nga një bankë vendase, e cila sipas komisionit antikorupsion nuk mund të llogaritet si donacion. Të gjitha partitë politike janë informuar për shkeljen e Ligjit për financimin e fushatës parazgjedhore.

Nga fushata elektorale e VMRO DPMNE për zgjedhjet parlamentare në Maqedoni.
Nga fushata elektorale e VMRO DPMNE për zgjedhjet parlamentare në Maqedoni.Fotografi: MIA

Kryetarja e “Transparencë-zero korrupsion”, Sllagjana Taseva, është e mendimit se të gjitha partitë që tejkalojnë limitin ligjor për financim të fushatës, të dënohen me masa më rigoroze

“Nuk është i mjaftueshëm vetëm dënimi me para sepse partitë e kanë mundësinë t'i paguajnë gjobat. Duhet të shqyrtohet mundësia që këtyre partive t'u ndalohet pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ose ndonjë masë edhe më e reptë”, - thotë Sllagjana Taseva.

Gjithnjë sipas saj, përveç komisionit antikorrupsion duhet të reagojë edhe drejtoria për të hyrat publike dhe policia financiare, sepse opinioni duhet ta dijë se nga financohen partitë politike dhe pse ato nuk arrijnë të mbulojnë tepricën e mjeteve financiare.

Eksperti Sasho Ordanovski është i mendimit se partitë në periudhën e fushatave shndërrohen në çerdhe të korrupsionit.

“Jam idhtar i ashpërsimit të rregullave ligjore për ato subjekte politike, të cilat keqpërdorin mjete financiare për fushatë zgjedhore. Duhet të shqyrtohet mundësia që për keqpërdoruesit të pasojë edhe dënim me burg. Vetëm në këtë mënyre partitë do të mund të disiplinohen”,- shprehet Ordanovski.

Partitë politike, organizatore të fushatës parazgjedhore janë të obliguara, që në përfundim të fushatës, të dorëzojnë në komisionin shtetëror zgjedhor, raportin përfundimtar financiar, për të gjitha mjetet financiare që janë shpenzuar gjatë fushatës.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: E. Xhani