1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Myntefering largohet

Anila Shuka, Berlin31 Tetor 2005

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Franc Myntefering nuk do të paraqesë kandidaturën në kongresin e ardhshëm të partisë

https://p.dw.com/p/Aqi0
Franc Myntefering të hënën në Berlin
Franc Myntefering të hënën në BerlinFotografi: AP

Ai tha, se megjithatë do të qendrojë në krye të partisë deri në përfundim të negociatave për koalicion. Myntefering e ka lënë të hapur pjesëmarrjen e tij në qeverinë e ardhshme. Shkak është emërimi i befasishëm i përfaqësueses së krahut të majtë të partisë, Andrea Nahles, në postin e sekretares së ardhshme të përgjithshme të socialdemokratëve. Në një dyluftim në kryesinë e SPD-së, të hënën, 35 vjeçarja Nahles arriti të fitonte kundër kandidatit të preferuar të kryetarit të partisë, Kajo Vaserhëfel. 23 antarë të kryesisë vendosën për Nahles, kurse 14 të tjerë për të preferuarin e Mynteferingut. Nahles, në këtë mënyrë është e vetmja kandidate që do të konkurrojë në kongresin e partisë, që do të zhvillohet në 14-16 nëntor në Karlsruhe.

"Unë e kisha planifikuar ripërtëritjen e partisë gjatë katër, pesë viteve të ardhshme, por kjo tani po ndodh më shpejt se ç’kisha parashikuar. Kjo nuk do të thotë patjetër keq", tha Myntefering të hënën.

Për shumë nga antarët e kryesisë ky lajm erdhi si bombë. Rezultati kaq i njëanshëm ishte një humbje e rëndë për Myntefering, i cili më parë ishte shprehur kundër ish-kryetares së të rinjve, Nahles. Kancelari aktual, Gerhard Shrëder tha, se i vjen shumë keq, por paralajmëroi se nuk kjo ngjarje nuk duhet të vërë në rrezik bisedimet për koalicion: "Gjermania ka nevojë për një qeveri të qendrueshme," tha Shrëderi, e kjo arrihet vetëm me një koalicion të madh.

Para se të vinte puna deri tek vendimi, në kryesi kishte patur grindje të jashtëzakonshme. Një nga antarët e kryesisë, Till Bakhaus nga Mecklenburg Vorpommern tha se ishte teper i zhgënjyer: "Mendoja se kishim një parti më të pjekur, tha ai mbas mbledhjes."

Mbas tërheqjes së Mynteferingut nga posti i kryetarit të partisë, pritet që të ketë vështirësi edhe në bisedimet aktuale, për koalicionin e ardhshëm me partinë tjetër të qendrës, Unionin Kristiandemokrat e Kristiansocial. Një nga përfaqësuesit e Unionit, Jyrgen Rytgers ka kërkuar nga SPD-ja "që kjo të demonstrojë aftësi vepruese."

Të mërkurën, në një tjetër seancë të jashtëzakonshme, socialdemokratët do të vendosin për personelin, që do të drejtojë partinë. Deri tani, nuk dihet ende se kush mund të jetë pasardhësi Mynteferingut. Kryetari degës së landit Thyringen, Kristof Maçie, ka propozuar kryeministrin e landit Rajnland Pfalc, Kurt Bek ose atë të Brandenburgut, Matias Placek. Ky i fundit, që prej shumë kohësh disktuohet si një nga krerët e ardhshëm të Partisë Socialdemokrate, i është përgjigjur të hënën pyetjeve të gazetarëve me fjalët: "Unë kurrë nuk i kam bërë bisht përgjegjësisë." Fjalën e fundit për kreun e partisë do ta thonë delegatët e kongresit, që do të mbahet në mesin e nëntorit në Karlsruhe.