1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Myslimanët në Gjermani dhe të porsaardhurit

Canan Topçu21 Shkurt 2016

Solidaritet dhe kritika! Si mendojnë myslimanët që kanë vite që jetojnë në Gjermani për refugjatët që kanë ardhur muajt e fundit? Canan Topçu ka biseduar me migrantë afganë, turq, arabë dhe boshnjakë.

https://p.dw.com/p/1Hz27
Deutschland Flüchtlinge Flughafen Schönefeld Berlin
Fotografi: DW/K. K. Ferguson

Fatah Qayumie sjell ndërmend përvojat e tij personale kur flet me refugjatët. Për integrimin e tij luajti rol të rëndësishëm fakti që procedura e azilit u zhvillua shumë shpejt, më pas ai filloi të ndjekë kurset e gjermanishtes. „Gjetja e një vendi pune është shumë, shumë e rëndësishme“, thotë Qayumie. Ai nuk sheh ndonjë avantazh për refugjatët që duhet të mbahen nga shteti. Kanë kaluar 30 vjet që kur Fatah Qayumie u arratis nga Afganistani me gruan e vajzën gjashtëmuajshe. Atij iu njoh azili pas gjashtë muajsh në Gjermani. Fillimisht ia nisi nga puna si pastrues, pastaj si taksist, më vonë tek posta derisa një ditë hapi firmën e tij.

"Janë shumë njëherësh"

Tani Fatah Qayumie është 51 vjeç, ka pesë fëmijë dhe shtëpinë e tij në një zonë të re banimi në Gießen. Në firmën e tij janë të punësuar 70 vetë, një shembull integrimi. Pse të mos ia dalin si ai edhe refugjatët e sapoardhur? Por Fatah Qayumie e shikon problemin tek numri i madh i refugjatëve. “Kanë ardhur shumë njëherësh”. Sipas Fatah Qayumie deklarata e Merkelit „Ne ia dalim mbanë“ bëri që të vijnë edhe refugjatë „që nuk e braktisin vendin për arsye ekonomike.“

Njëri nga të paktët myslimanë që e kritikon Merkelit për shkak të qëndrimit të saj në çështjen e refugjatëve. Shumica e lëvdojnë Merkelin. Një e re, vajza e një familjeje migrante turke nga Frankfurti thotë.“ Mendoj se mund dhe duhet ta jap kontributin tim në një „mikrokozmos“ sado të vogël, e vite më vonë të them se isha pjesë e kësaj sfide shoqërore, ia dola mbanë dhe kam bërë diçka konkrete.“ Me sa duket qëndrimi „NE“ i kanceleares motivon për të ndihmuar. Në të gjithë Gjermaninë komunitetet myslimane ndihmojnë refugjatët pa ndonjë mbështetje institucionale. Xhamive në Gjermani u mungon personeli dhe mjetet financiare. Ndryshe nga organizatat fetare katolike ato nuk marrin fonde nga shteti.

Deutschland Registrierung von Flüchtlingen
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Weigel

Frikë nga rritja e armiqësisë kundër myslimanëve

Ahmed Araychi është anëtar i një organizate në një xhami, ku shkojnë shumë myslimanë nga Maroku. Ai kërkon ta bëjë të njohur angazhimin e komunitetit të tij. “Po qe se Gjermania nuk i ka punët mirë, kjo na prek edhe ne, pra kemi detyrimin të japim kontributin tonë që vendi ynë t'ia dalë mbanë me këto probleme” thotë 40 vjeçari. Nga ana tjetër Araychi kritikon ankesat e shumta në një kohë kur njerëzit nuk i kanë punët keq. “Duhet të jemi të gjithë të gatshëm të heqim dorë nga diçka për të ndihmuar njerëzit në nevojë.” Gjermania është e fortë ekonomikisht dhe ka punë e mirëqenie thotë ai. Shumë pak myslimanë kanë frikë nga keqësimi i gjendjes ekonomike në Gjermani.

Frika më e madhe ekziston nga rritja e armiqësisë kundër fesë islame. Disa myslimane me shami koke kanë përshtypjen se ambienti përreth tyre është bërë më skeptik dhe armiqësor. Shumë kanë frikë nga prishja e imazhit përmes të sapoardhurve, 80% e të cilëve janë myslimanë.

Solidaritet me refugjatët

Ende nuk dihet se sa besimtarë janë refugjatët e rinj. Sipas ekspertëve një pjesë e refugjatëve ka ikur edhe nga terrori i të ashtuquajturit „Shteti Islamik“ dhe kështu ata kanë një marrëdhënie të dyzuar me fenë islame. Ayşe Eroğul është e shqetësuar „për kthim mbrapa në integrimin e myslimanëve, pas kaq vitesh përpjekje për pranim në shoqëri, kjo „sepse disa nga të sapoardhurit nuk i njohin rregullat në këtë vend dhe nuk sillen mirë“.

Por Selma Öztürk-Pınar nuk e ndan këtë mendim. 37 vjeçarja, vajzë e një „gastarbeiter-i“ turk thotë se „probleme në pranimin e të huajve ka pasur edhe më parë“. Juristja kërkon më shumë solidaritet me refugjatët. Ata janë të traumatizuar, vuajnë pas humbjes së vendlindjes dhe kanë nevojë për ndihmë pas ardhjes në Gjermani. Por ndryshe nga gjenerata e prindërve të saj, ajo mendon se refugjatët që vijnë këto kohë kanë një avantazh. Integrimi i tyre në shoqëri mund të kryhet më shpejt sepse „ekziston ndërkohë një infrastrukturë për këtë“, thotë Özturk-Pinar.

Flüchtlingsunterkunft in Würzburg
Fotografi: DW/N. Jolkver

Emigrantë të tjerë kanë besim tek politika gjermane dhe rrjeti institucional në vend. Tregtari i automjeteve, Mersudin Cehadarevic i ardhur në Gjermani nga Bosnja në vitin 1989 angazhohet në xhaminë e Frankfurtit. Ai është i shqetësuar sidomos për ata që janë të ekspozuar ndaj bombardimeve. Cehadarevic thotë se megjithëse vetë është mysliman nuk arrin t'i kuptojë luftërat në rajonet ku jetojnë myslimanët. „Pse sunitët, shiitët, turqit e kurdët vriten me njëri-tjetrin“, pse „idiotë trutharë“ pretendojnë se janë myslimanë dhe vrasin njerëz, mbetet një enigmë për Mersudin Cehadarevic. Ai e qetëson veten me një lutje. „Zot ndihmoji njerëzit të kthehen tek arsyeja dhe të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin.“