1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në katër komuna veriore votohet për kryetar bashkie

Bekim Shehu
19 Maj 2019

Në katër komuna në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme. Të gjithë kandidatët për kryetar janë serbë, vetëm në një komunë garon edhe një shqiptar.

https://p.dw.com/p/3Igxf
Symbolbild Wahl
Fotografi: picture-alliance/Chromorange/E. Weingartner

Në katër komuna në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, të dielën (19.05) zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të këtyre komunave. Kryetarët e këtyre komunave, më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë proteste dhe pakënaqësie për vendosjen e taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë.

Por, pas shpalljes së zgjedhjeve në këto komuna nga ana e Presidentit të Kosovës, përfaqësuesit serbë vendosen sërish të marrin pjesë në këto zgjedhje pasi morën edhe miratimin e Beogradit zyrtar. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se subjekti politik "Srpska”, merr pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, në mënyrë që, siç tha "shqiptarët të mos i udhëheqin komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës”. Nga partitë serbe, vetëm lista "Srpska”, që e ka mbështetjen e Beogradit garon me kandidatët e saj në katër komunat veriore, ndërsa një kandidat shqiptar nga PDK, garon në Mitrovicën e Veriut.

Kosovo Wahlkampf Bürgermeisterwahl in Mitrovica
Fotografi: DW/M. Andrić-Rakić

Procesi i zgjedhjeve monitorohet

Në zgjedhjet për kryetar në katër komunat në veri të Kosovës, do të ketë 44 qendra të votimit me gjithsej 87 vendvotime. Të drejtë vote në Mitrovicën Veriore kanë 22 mijë e 242 persona, në Leposaviq 18 mijë e 390 persona, në Zveçan 9 mijë e 276 persona dhe në Zubin Potok 8 mijë e 612 persona. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Valmir Elezi, thotë se procesi zgjedhor në veri do të monitorohet nga vëzhguesit e akredituar nga KQZ, duke u bërë thirrje subjekteve politike për zgjedhje të drejta dhe demokratike.

"U bëj thirrje subjekteve politike, kandidatëve dhe mbështetësve të tyre, që t'u përmbahen ligjeve të Republikës së Kosovës dhe rregullave zgjedhore. Pa dyshim se subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre kanë rolin kryesor për proces zgjedhor të qetë, të lirë dhe demokratik. Prandaj, ne bëjmë thirrje që kjo të arrihet”, thotë Valmir Elezi, duke bërë të ditur se KQZ ka angazhuar 670 komisionerë.

Thirrje subjekteve politike që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në veri u ka bërë Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke ftuar qytetarët që të votojnë kandidatët më të mirë. "Ftoj subjektet politike, të cilat garojnë në zgjedhjet e 19 Majit 2019, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, duke marrë pjesë në këto zgjedhje. Gjithashtu ftoj qytetarët e këtyre Komunave për të dalë në këto zgjedhje dhe të votojnë kandidatët më të mirë, që do të punojnë në të mirën e qytetarëve të këtyre komunave. Bëj thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet tona dhe standardet më të larta demokratike ndërkombëtare”, është shprehur Haradinaj.

Apostolova: Respektim të integritetit të procesit zgjedhor

Drejtuesja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova kërkoi "zgjedhje transparente gjithëpërfshirëse dhe të besueshme që ofrojnë një përzgjedhje domethënëse të kandidatëve që janë themeli i demokracisë”.

Kosovo Wahlkampf Bürgermeisterwahl in Mitrovica
Fotografi: DW/M. Andrić-Rakić

"BE-ja pret që të gjithë aktorët e përfshirë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovës të respektojnë integritetin e procesit zgjedhor. BE-ja thekson rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të rekomandimeve të Misionit Vëzhgues të BE-së nga zgjedhjet e kaluara. Puna duhet të bëhet në përputhje me marrëveshjen e fundit të arritur në mes të gjitha partive politike në Kuvend”, thotë në deklaratën e saj shefja e zyrës së BE.

Nga ana tij kreu i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se "është e rëndësishme që zgjedhjet për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës të kalojnë pa incidente dhe në një atmosferë demokratike. Çdo përpjekje e mundshme për të rishikuar vullnetin zgjedhor të qytetarëve nga institucionet e Prishtinës duhet të parandalohet”, është shprehur për mediet lokale serbe Marko Gjuriq.

Për sigurinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zvecan, Zubin Potok dhe Leposavic, angazhohen policia e Kosovës me mbi 400 pjesëtarë, ndërkohë do të ketë prani më të shtuar edhe të pjesëtarëve të KFOR-it, megjithëse ata nuk do të jenë drejtpërdrejt të përfshirë në sigurinë e procesit zgjedhor në veri.