1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Çeki qeveria do të legalizojë prostitucionin - Synohet të luftohet në radhë të parë prostitucioni me fëmijë

Sabine Shtër10 Gusht 2005

Qeveria social-liberale në Çeki synon laglizimin e prostitucionit. Projektligji, që duhet të kalojë në parlament, duhet të kontribuojë për reduktimin e prostitucionit dhe ajo që është më e rëndësishmja të luftojë prostitucionin me fëmijë. Me një ligj të tillë mund të punojnë legalisht vetëm gratë nga vendet e BE-së dhe ato nga vendet e "asocijuara" në BE. Por ata që preken nga rregullat e reja janë skeptikë. Edhe opozita e refuzon projektligjin.

https://p.dw.com/p/ArDb
Pamje nga Praga, Wenzelsplatz
Pamje nga Praga, WenzelsplatzFotografi: dpa

Andrea është një vajzë e re, me trup sportiv, rreth 25 vjeç, qukse dhe me flokë të lyera në ngjyrë të zezë. Ajo qëndron në rrugë në qytezën kufitare Çeb. Pas një farë ngurrimi ajo pranon të tregojë, se përse prostituuon në rrugë: "Prindërit më kanë vdekur. Unë nuk kisha para ndaj fillova ta bëj këtë, sepse më duhej të paguaja qiranë, ushqimin e gjithçka. Erdha në Gjermani për një periudhë, por jam kthyer përsëri në Çeki dhe dal në rrugë."

Andrea është çeke. Ajo ende mbahet mirë, thonë dy komisarët e rinj të policisë, të cilët patrullojnë rregullisht nëpër rrugët e qytezës Çeb. Normalisht gratë që prostituojnë s´kanë më dhëmbë në gojë, janë të pakujdesura dhe të droguara, kështu i përshkruan ato komisari Roman Adler. Sipas tij shumica janë gra rome. Klientët e tyre vijnë kryesisht nga Gjermania. Kronikat spektakolare të transmetuara nga televizionet private kanë bërë që gjithnjë e më shpesh burrat të kërkojnë fëmijë për prostitucion. Policia është e indinjuar: "Kur flas me gratë e skenës së prostitucionit në rrugë, ato konfirmojnë, se ka pasur një periudhë që kërkoheshin fëmijë. Fakti që kjo çështje u trajtua nga mediet, natyrisht që u bë edhe reklamë për njerëzit që e kërkojnë këtë. Ndaj ata nisën të vijnë këtu."

Në Çeb ka një bar, si dhe bodrume të shumta të shndërruara në kazino. Godinat rrallëherë janë të restauruara. Por gjermanët vijnë edhe në këto kushte. Biznesi me prostitucionin ecën. E bashkë me të edhe kriminaliteti i vogël dhe ai i organizuar. Policia nuk mund të ndërhyjë, thotë Roman Adler, duke marrë kthesën në një rrugë me shtëpi të vjetra. Në mbrëmje këtu ka shumë gra që presin. Edhe klubet përreth kuptohet menjëherë që merren me një biznes të tillë. Nëpër këto lokale punojnë kryesisht ukrainaset, ndërsa vendaset vijnë rrallë, thotë komisari. Prostitucioni nuk është i përkufizuar qartë si ndonjë akt penal. "Për aq kohë sa vajzat nuk largohen vetë dhe denoncojnë pronarët e klubeve apo tutorët, ne nuk mund të ndërhyjmë."

Qeveria çeke ka paraqitur një projektligj në parlament, që synon legalizimin e prostitucionit. Me këtë ajo shpreson që ta bëjë më transparent biznesin me seksin dhe të luftojë me efikasitet prostitucionin me fëmijë. Kusht është që prostitutat të regjistrohen dhe të paguajën taksa. Një ligj i ngjashëm ekziston edhe në Gjermani. Prostitucioni, me futjen e ketij ligji në fuqi nuk diskriminohet më si zanat. Gjithashtu prostitutat mund të pranohen në arkat ligjore të shëndetësisë dhe të sigurimit të pensioneve. Por, cila është ajo grua që pranon të regjistrohet publikisht në një zanat të tillë, shtron pyetjen Petr Strezj, pronar i një klubi nate në Çeb. "Ky ligj do të bëjë gjithashtu që prostitucioni ashtu si edhe në Gjermani që është legalizuar, vërtetë nuk do të jetë më në rrugë, por do të spostohet nëpër klube e shtëpi. E sot ky është një problem i madh në Gjermani."

Dëshira e këtij pronari klubi është: që të mësojmë nga Gjermania dhe ta bëjmë më mirë ligjin. Këtë madje e thonë edhe vet prostitutat e jo vetëm në Çeb. Zonja Ana, p.sh. një 55 vjeçare, trupvogël nga Praga. Pas divorsit me bashkëshortin ajo pati vështirësi financiare. Nga biznesi me seksin ajo ka siguruar jetesën: "Unë nuk mund ta kuptoj që t´i paguaj para shtetit, sepse puna jonë është e rrezikshme. Ne na kërcënojnë dhe luajmë me jetën tonë. Nëse vepron ky ligj atëherë shteti do të shndërrohet në një tutor të madh."

Në rast nevoje prostituttat në Çeki mund t´i drejtohen për ndihmë organizatës "La Strada". Kjo organizatë kujdeset p.sh. për gratë që janë të paralizuara nga frika e vdekjes, sepse tutorët ushtrojnë presion ndaj tyre. Petra Kutrakova angazhohet për këto gra dhe thotë, se projektligji i qeverisë nuk ndihmon aspak. "Si rjedhojë gratë do të detyrohen jo vetëm të dalin në ilegalitet, por edhe do të detyrohen të kryejnë akt penal dhe të marrin rrugën e kriminalitetit. Kjo sepse, nëse ato kapen disa herë pa paguar taksat, kjo do të përbënte një akt penal."

Ukrainaset, bullgaret apo gratë nga Maqedonia, që punojnë nëpër bordelle, për shkak të prejardhjes do të jenë të përjashtuara nga legalizimi dhe liçenca. Por projektligji pritet të paraqitet në parlament. Pozita e të prekurve është e qartë: të gjithë kanë frikë, se ligji mund ta përkeqësojë gjendjen e grave në tregun e prostitucionit, sepse kjo do t´i detyronte shumicën e tyre të dilnin në ilegalitet gjë që do t´u jepte dorë edhe kontrabandistëve të mishit të bardhë.