1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në ç'gjendjе është bashkëjetesa gjermano-turke 15 vjet pas ngjarjes së tmerrshme të Solingenit?

Verica Spasovska28 Maj 2008

Sulmi ksenofob i Solingen-it ka tashmë përvjetorin e 15-të. Por ai është djegur aq thellë në kujtesën kolektive, saqë me plot të drejtë Ministri i Brendshëm Schäuble e cilësoi si 'pjesë të kulturës sonë të kujtimit'.

https://p.dw.com/p/E7PQ
Shtëpia e djegur e familjes Genc, ku turkja Mevlüde Genc humbi në sulmin e zjarrit të Solingenit para 15 vjetësh dy vajza dhe tri mbesa.
Shtëpia e djegur e familjes Genc, ku turkja Mevlüde Genc humbi në sulmin e zjarrit të Solingenit para 15 vjetësh dy vajza dhe tri mbesa.Fotografi: AP

Turkja Mevlüde Genc humbi në sulmin e zjarrit të Solingenit para 15 vjetësh dy vajza dhe tri mbesa. Por ajo ka refuzuar gjithnjë të bëjë përgjegjës gjermanët apo gjithë shoqërinë gjermane për veprën e tmerrshme. Gjermanët dhe turqit duhet të sillen me respekt ndaj njëri-tjetrit, thotë 65 vjeçarja, e cila e sheh veten si ambasadore të bashkëjetesës gjermano-turke. Në ç'gjendjе është bashkëjetesa gjermano-turke 15 vjet pas ngjarjes së tmerrshme?

Sulmi ksenofob i Solingen-it ka tashmë përvjetorin e 15. Por ai është djegur aq thellë në kujtesën kolektive, saqë me plot të drejtë Ministri i Brendshëm Schäuble e cilësoi si 'pjesë të kulturës sonë të kujtimit'. 'Sonës' do të thotë këtu të shoqërisë gjermane dhe të dy milionë e gjysmë turqve që jetojnë sot në Gjermani.

Se me ç'ndjeshmëri dhe mosbesim reagojnë turqit në Gjermani edhe 15 vjet pas sulmit të Solingen-it, këtë e tregoi fatkeqësia e tmerrshme e zjarrit e pak muajve më parë në Ludwigshafen, në të cilën humbën gjithashtu jetën disa njerëz, por e cila në dallim prej Solingen-it me shumë gjasa nuk kishte prapavijë ksenofobe. Fushata yshtëse e mediave turke në Gjermani, të cilat drejtuan me nxitim fajësimet nga pala gjermane, i hodhi edhe më shumë benzinë zjarrit. Debati i zjarrtë disajavor për integrimin që shpërtheu më pas hodhi dritë mbi marrëdhënien e vështirë midis shoqërisë gjermane dhe grupit të saj më të madh të imigrantëve.

Diksutimi tregon qartë: Të dyja palët, gjermanët dhe turqit në Gjermani duhet të vazhdojnë t'i afrohen njëri-tjetrit dhe t'i shohin në sy disa njohurive të pakëndshme: Shoqëria gjermane duhet të pranojë më në fund se Gjermania është vend imigrimi, për kohë tepër të gjatë ajo e ka ndrydhur këtë. Dhe ajo duhet të vërë më në fund nën kontroll gjendjen e mjeruar të shumicës së fëmijëve turq në arsim.

Më së voni që nga studimi Pisa e dimë që shanset e këqija për arsimim të fëmijëve të emigrantëve turq i kanë rrënjët para së gjithash tek dallimet sociale. Sepse fëmijët e familjeve, të cilat për arsye të prejardhjes sociale nuk i japin rëndësi arsimit, kanë që prej fillimit shanse të pakta për ngjitje profesionale. Shoqëria gjerman duhet t'i çojë më intensivisht përpara shanset për arsimim të fëmijëve të imigrantëve turq, duke këmbëngulur për shembull në një vit të detyrueshëm parashkollor për të shmangur herët deficitet e njohurive gjuhësore që mungojnë. Edhe shkollat gjithëditore nxisin bashkëjetesën e vetëkuptueshme të fëmijëve turq me ata gjermanë. Dhe: Gjermania duhet të këmbëngulë që mësimi i fesë myslimane të zhvillohet në kuadër të planeve arsimore shtetërore.

Nga ana tjetër imigrantët turq në Gjermani duhet të pranojnë se synimi është integrimi. Jo veçimi, por integrimi në shoqërinë gjermane dhe pranimi i rregullave, për shembull i barazisë midis burrit dhe gruas, duhet të jenë të vetëkuptueshme. Kush kërkon të jetojë gjithnjë në Gjermani duhet të jetë i gatshëm të mësojë gjermanisht. Sepse zotërimi i gjuhës gjermane është çelësi për ngjitjen profesionale. Kush flet mirë gjermanisht, gjen më lehtë punë sesa dikush me njohuri të dobta gjuhësore. Në fund mediat e shumta turke në Gjermani duhet të marrin edhe ato përgjegjësi për integrimin. Raportimi nga Ludwigshafen-i ishte aspak një faqe e lavdishme.

Të gjitha këto nuk duhet të gënjejnë për faktin që vitet e kaluara janë ndërmarrë përpjekje më kuptim për përmirësimin e marrëdhënieve midis gjermanëve dhe turqve. Samiti i rregullit i integrimit, i cili mbledh në një tryezë përfaqësues relevantë të grupeve gjermane dhe turke, përbën një shembull. Xhamitë e shumta që janë ndërtuar kudo në Gjermani, një tjetër.

Pa dyshim, bashkëjetesa paqësore dhe tolerante midis gjermanëve dhe turqve në Gjermani mbetet punë e vështirë; por fitimi që mund të nxjerrin të dyja palët prej larmisë së kulturave të ndryshme, ia vlen. Kush kërkon të bindet për këtë, le të hedhë një vështrim tek historia përshtypjelënëse e suksesit e imigrantëve turq në Gjermani. Edhe këta janë një fasetë e marrëdhënies gjermano-turke.