1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në 2006 Ukraina nuk ka nevojë të importojë gaz nga Rusia

Herman Krauze6 Janar 2006

Dy ditë pas ujdisë në grindjen për gazin mes Rusisë dhe Ukrainës, kjo e fundit njoftoi, se gjatë vitit nuk do të ketë më nevojë për gazin nga fqinji lindor. Ndërkaq ish-kryeministrja ukrainase Julia Timoshenko deklaroi se do të ngrejë padi kundër marrëveshjes së arritur me shumë mundim me Rusinë.

https://p.dw.com/p/ArMj
Pika e tranzitit për transferimin e gazit në Boyarka pranë Kievit
Pika e tranzitit për transferimin e gazit në Boyarka pranë KievitFotografi: AP

"Ne nuk do të blejmë gaz rus në të ardhmen, sepse nuk kemi nevojë për të." Kështu deklaroi të premten një zëdhënës i sipërmarrësit ukrainas të gazit, Naftogas Krainy. Nëse Ukraina ka nevojë për gaz, atëherë ajo do ta blejë atë nga Azia Qëndrore.

Edhe kryeministri ukrainas, Juri Jehanurov, ka deklaruar, se Ukraina do të blejë gaz nga Turkmenistani për 52 dollarë. Gazi rus, që kushton 230 dollarë, nuk dëshirohet, edhe pse blerja e tij nëpërmjet një firme do të kushtojë 95 dollarë.

Përpara dy ditësh u ra dakord, që Ukraina ta marrë gazin me 96 dollarë nëpërmjet tregtarit ndërmjetës Ros Ukr Energo. Ukraina, sipas mendimit të koncernit Gazprom, ishte e detyruar të mos blinte më gaz të lirë nga Tukmenistani. Por në Kiev kjo shihet ndryshe: Ukraina do të blejë direkt 23 miliardë metër kub gaz në Turkmenistan.

Duket pra që konflikti për gazin është hapur sërish. Sfondi me sa duket ka të bëjë me një grindje të ashpër në politikën e brendëshme në Ukrainë. Ish-kryeministrja Julia Timoshenko - e cila u shkarkua nga presidenti Viktor Jushenko - po e shfrytëzon grindjen për gazin për një sulm të ashpër duke deklaruar: Presidenti në rajonin Ivano-Frankovsk merret me gdhendjen e pjatave të drurit. Ukrainasit mund të jenë krenarë për këtë, një president i veçantë, që ka aftësi të jashtëzakonshme. "Por unë dua që ai të kthehet në Kiev, për të marrë pjesë në zgjidhjen e krizës së gazit." Kështu shprehet pra Julia Timoshenko, e cila ka deklaruar se do të ngrejë padi kundër marrëveshjes së arritur për gazin.

Në mars zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Ukrainë. Ndaj edhe opozitarë të tjerë e kritikojnë ashpër presidentin dhe qeverinë. Sipas tyre, Ukraina i ka dhënë pjesë të rrjetit të saj Gazpromit. Por zyrtarisht nuk bëhet fjalë për një gjë të tillë.

Ndërkohë as Gazpromi në Moskë nuk di si t´i kuptojë deklaratat nga Kievi. Koncerni argumenton, se nëse Ukraina nuk do ta rrespektojë marrëveshjen e arritur, atëherë do të detyrohemi sërish të mendojmë për ndërprerjen e furnizimeve.