1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Beograd gjykohen gjashtë serbë të akuzuar për krime në Kroaci

9 Mars 2004
https://p.dw.com/p/Aqvf

Në Beograd filloi sot gjykimi kundër gjashtë serbëve të akuzuar për krime lufte në Kroaci. Ata akuzohen për krimet e bëra në vendin Ovcara, në afërsi të Vukovarit, ku sipas aktakuzës, me 20 dhe 21 nëntor të vitit 1991, kanë vrarë të paktën 192 civilë kroatë.
Në fillim të procesit para gjykatës speciale në Beograd u konstatua vdekja dje e të akuzuarit të shtatë, Mirko Vojinoviq. Shkaku i saktë i vdekjes ende nuk është kumtuar, por në janar të këtij viti, ai ka bërë përpjekje vetëvrasjeje duke kërcyer nga kati i dytë i spitalit në Novi Sad. Të tjerët akuzohet për organizimin e krimeve, keqtrajtimet dhe vrasjen e pjesëtarëve të ushtrisë kroate, të cilët më parë ishin dorëzuar. Këta përsona fillimisht janë keqtrajtuar fizikisht e më vonë në grupe prej 30 deri 40 përsonash, janë dërguar në afërsi të kooperativës bujqësore në Ovcara, ku janë ekzekutuar.
Miroljub Vujoviq, Stanko Vujanoviq, Jovica Periq, Ivan Anastasijeviq, Millan Vojnoviq dhe Predrag Maxharac kanë hedhur aktakuzën si të pabazë. Ndërkohë që në aktakuzë thuhet se Jovica Periq ka pranuar në tërësi krimin dhe e ka përshkruar deri në detaje mënyrën e ekzekutimit të kroatëve. Aktakuza kundër tyre është ngritur me tre dhjetor të vitit të kaluar. Për shkak të krimeve në Ovcarë akuzohen në Tribunalin e Hagës edhe tre ish oficerë të lartë të forcave serbe: Vesellin Shlivancanin, Mirosllav Radiq dhe Mille Mrkshiq.