1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Berlin filluan festimet për ribashkimin e Gjermanisë

2 Tetor 2018

Në kryeqytetin e Gjermanisë Berlin kanë nisur festimet për ditën e Ribashkimit të Gjermanisë. Kryetari i bashkisë së Berlinit Müller hapi në mbrëmje festën e qytetit. Ceremonia zyrtare zhvillohet të mërkurën.

https://p.dw.com/p/35sL3
DW Euromaxx, Streetart zum Tag der Deutschen Einheit
Fotografi: DW

Kryetari i bashkisë së Berlinit, Michael Müller tha në hapje të festës treditore të qytetit se motoja e festës "Vetëm me Ju" duhet të bëjë të qartë, se çfarë ka arritur Gjermania e ribashkuar. "Ky revolucion paqësor ndodhi vetëm sepse njerëzit debatuan së bashku për demokraci dhe për të drejtat e njeriut."

Mülleri shtoi se synimi duhet të mbeten kushte të barazvlershme jetese në Lindje dhe në Perëndim. "Këtu bën pjesë 28 vjet pas ribashkimit edhe që pagat dhe rrogat më në fund të barazohen dhe që dallimet në pensione më në fund të eleminohen."

Vizitorët e festës së qytetit mund të informohen për organe kushtetuese si Parlamenti federal (Bundestagu) dhe Këshilli Federal (Bundesrat) dhe të vizitojnë përfaqësitë e 16 landeve gjermane. Krahas lojërave me gjëza dhe informacioneve për kuriozitetet më të mëdha turistike, ofrohen edhe shumë specialitete kulinarike. Veç kësaj, përreth Portës së Brandenburgut prezantohen të gjitha organet kushtetuese si dhe më shumë se 200 partnerë si institute, fondacione, klube dhe shoqata.

Element bashkues është "Korsia e ribashkimit", e cila paraqet sipas alfabetit të 11.040 qytetet dhe bashkitë gjermane dhe që zgjatet për disa kilometra në territorin e festës së Berlinit.

Një kuriozitet i veçantë tërheqës është edhe struktura e lartë 25 metra e artistit francez të artit të rrugës JR: në tarracën e Portës së Brandenburgut është vendosur një fotografi origjinale e zmadhuar shumë herë e 10 nëntorit 1989, që tregon berlinezë që festojnë mbi Murin e Berlinit.

Festa përreth Portës së Brandenburgut dhe godinës së Rajshtagut shoqërohet me masa të forta sigurie. Organizatorët presin më shumë se një milion vizitorë.