1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Bruksel Nikoliçit do t'i thuhen qartë disa gjëra

12 Qershor 2012

Intervistë me analistin e gazetës gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung" për rajonin juglindor Michael Martens para vizitës së presidentit të ri serb në Kosovë.

https://p.dw.com/p/15CtE
epa03259949 Serbian President Tomislav Nikolic (R) is congratulated by EU enlargement commissioner Stefan Fuele (L) during the presidential inauguration ceremony in Belgrade, Serbia, 11 June 2012. Nikolic was been inaugurated as Serbia's new president. EPA/ANDREJ CUKIC +++(c) dpa - Bildfunk+++
Stefan Fuele dhe Tomislav NikolicFotografi: picture-alliance/dpa

DW: Z. Martens, presidenti i ri seb, Nikoliç është të enjten në Bruksel. Me disa deklarata, si mohimi i gjenocidit në Srebrenicë, apo ajo për Vukovarin ai ka ngjallur kritika. Çfarë do të dëgjojë ai nga mikpritësit në Bruksel?

Martens: Po të marrësh për bazë deklaratat e para të Nikoliçit për Srebrenicën, Vukovarin apo për Kosovën e ke të vështirë të përfytyrosh që Serbia me një president të tillë do të plotësojë kriterin e fqinjësisë së mirë për anëtarësimin në BE. Kjo do të arrihet po qe se do të zhvendosej pushteti nga posti i presidentit, tek ai i kryeministrit, ndërkohë që as nuk e dimë se kush do të zgjidhet kryeministër. Megjithatë unë mendoj se zotit Nikoliç në Bruksel do t'i bëhet e qartë se një vend që dëshiron të bëhet pjesë e BE-së duhet të plotësojë disa kritere në marrëdhëniet me vendet fqinje.

DW: Nikoliçi e hapi mandatin me gabime. Si t'i shohim ato, si mungesë përvoje në parketin e pushtetit apo ai nuk ia del të heqë dot petkun nacionalist?

Michael Martens, Journalist, Buch "Heldensuche". Michael Martens, 2011. Honorarfrei unter Angabe des Copyrights. Fotograf: Heribert Corn. Copyright-Vermerk: Zsolnay/Heribert Corn/www.corn.at. *** Verwendung nur im Kontext mit der Berichterstattung über Michael Martens‘ „Heldensuche“ ***
Michael MartensFotografi: Zsolnay/Heribert Corn/www.corn.at


Martens: Nikoliç është nga njëra anë një politikan opozitar me shumë përvojë që ndodhet në politikë prej gati një çerekshekulli, nga ana tjetër ai gati nuk ka aspak përvojën e pushtetit që të jep një post qeveritar. Ai nuk ka përvojë me efektin e madh që ka një thjesht edhe një deklaratë e vetme e njeriut që nuk është më politikani opozitar, por njeriu në postin më të lartë shtetëror. Këtë ai duhet ta mësojë. Këtu shtojmë që transformimi i tij nga një nacionalist në një proeuropian natyrisht është më shumë një projekt aritmetik se sa bindja e tij politike. Nikoliç e kuptoi se me nacionalizmin serbomadh të përkrahësit të tij, Sheshejl do të qëndronte vetëm në opozitë.

DW: Pra gjithçka është thjesht taktikë...

Martens: Kjo nuk është vetëm taktikë për zgjedhjet e tanishme, por një taktikë që nga viti 2008. Ai ka hulumtuar me këshilltarët dhe demoskopët, se cila janë temat që të sjellin shumicën dhe pushtetin.

DW: Nikoliç thotë se politika ndaj Kosovës nuk ka për të ndryshuar edhe sikur të kushtojë BE-në, ta shohim dialogun me Kosovën të dështuar që tani?

Martens: Së pari mendoj se dialogu i ashtuquajtur teknik, që në të vërtetë është një dialog thellësisht politik, në pikëpamje afatmesme ka kuptim vetëm kur të mos takohen me njëri-tjetrin thjesht sekretarë shteti dhe drejtore departamentesh, por kur bisedojnë së bashku krerët më të lartë të Prishtinës dhe Beogradit, qofshin presidentët, apo kryetarët e qeverive. Po qe se kjo nuk bëhet atëherë megjithë gjasat që të arrihen ujdi të ndryshme, është shumë e vështirë që ato t'i mbijetojnë presionit politik, sepse nuk e kanë mbështetjen nga lart. Disa janë të mendimit se Nikoliçi mund të bëjë më lehtë lëshime, sepse djathtas nuk ka shumë konkurrencë në Serbi . Nuk jam shumë i sigurtë nëse do të dalë kjo llogari, sepse për një kurs të ri në politikën serbe ndaj Kosovës duhet krahas ujdisë me Tadiçin edhe guxim politik, një cilësi, për të cilën Nikoliçi nuk është dalluar në karrierën e deritanishme.

DW: Deklaratat e Nikoliçit për Srebrenicën dhe Vukovarin helmojnë marrëdhëniet fqinjësore, reagimet ishin të qarta. Në ceremoninë e marrjes së detyrës disa presidentë fqinjë nuk ishin prezentë. Çfarë duhet të bëjë tani Nikoliçi për ta përmirësuar gjendjen?

Martens: Ai duhet të distancohet shumë prerë nga deklaratat e mëparshme, dhe jo si deri më tani me po, por edhe, duke i keqësuar gjërat. Ai duhet të thotë pa "por" që nuk u qëndron më këtyre deklaratave. Por deri më tani nuk kemi parë që ai është në gjendje të kuptojë se kjo është e nevojshme. Mendoj se vendet e rajonit nuk kanë për t'ia shtruar qilimin e kuq në qoftë se nuk shkon më parë në Vukovar dhe Srebrenicë.

DW: Tadiçi dukej si shpresa e një Serbie europiane. Ai ndoqi një kurs pajtimi në rajon. Dështon ky kurs me Nikoliçin?

Martens: Duhet thënë se Tadiçi nuk është larguar tërësisht nga skena politike. Këtë nuk duhet ta harrojmë. Po ashtu nuk duhet ta harrojmë se politika e Tadiçit sidomos për ajo për Kosovën nuk dallon shumë nga pozicionet e Nikoliçit. Ndoshta nga ana retorike tingëllon ndryshe, por në thelb Tadiç dhe Nikoliç kanë të njëjtat pozicione. Ndërsa përsa i përket marrëdhënieve me Bosnjen, Kroacinë, Tadiçi ka arritur shumë, dhe nuk di se si do të kapë këtë moment Nikoliçi.

DW: Pritet që Nikoliç të vizitojë edhe veriun e Kosovës. Çfarë mesazhesh do të sjellë ai për qarqet e atjeshme?

Martens: Me shumë gjasa ai do të sjellë me vete paketën e zakonshme retorike të politikanëve kur shkojnë në Kosovë. Ai do të thotë se Serbia nuk do ta lëshojë kurrë Kosovën etj. Por nëse do të flasë diçka tjetër pas dyerve të mbyllura, apo nëse ky udhëtim ka edhe një qëllim tjetër jopublik, nuk mund ta gjykoj.

Autor: Lindita Arapi

Redaktoi: Amarildo Topi