1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në fakt përgjegjësinë politike e mbajnë Oto Schily dhe Steinmeier

Sonila Harasani20 Janar 2007

Shtypi i sotëm gjerman fokusohet tek komisioni hetimor për shërbimet sekrete të parlamentit gjerman, në lidhje me rastin e Murat Kurnazit, 24 vjeçarit me origjinë turke, që lindi dhe u rrit në Gjermani. Kurnaz ishte pothuajse 5 vjet në burgun ushtarak amerikan Guantanamo Bay në Kubë

https://p.dw.com/p/Arm1
Murat Kurnaz me avokatin para Komisionit të BE-së
Murat Kurnaz me avokatin para Komisionit të BE-sëFotografi: AP

Gazeta «Frankfurter Rundschau» komenton:

"Dihet se turku u kthye në shtëpi vetëm falë ndihmës së kancelares gjermane Angela Merkel. Për politikën aktuale është e rëndësishme. Ish shefi i shërbimit sekret gjerman BND, Hanning po i shërben pasarëshit të Shilit, Schäubles, si sekretar shteti, ndërkohë që Steinmeier është ministër i jashtëm. Por a mund të qëndrojnë ata në postet e tyre kur lanë një njeri të kalbet në burg? Ndonëse duket sikur ata kanë fakte të mjaftueshme, komsioni hetimor është ai që do të hedhë dritë mbi këtë rast kaq delikat. Dhe në rast se rezultati do të thotë që ndonjë ministër duhet të largohet nga posti i tij, atëherë edhe më mirë."

Gazeta «Tageszeitung» nga Berlini shkruan:

Në fakt përgjegjësinë politike e mbajnë ish ministri i brendshëm Oto Schily dhe ish koordinatori i shërbimit sekret Steinmeier, i cili është sot ministër i jashtëm. Mbi të gjitha Steinmeier duhet t´i shtrojë pyetjen vetes, se cilat vlera janë të rëndësishme për të kur përfaqëson sot në botë Gjermaninë. Ish ministri i jashtëm Joschka Fischer nuk duhet të ketë ditur shumë gjëra mbi fatin e Kurnazit. Por edhe se në rast Fischer nuk dinte asgjë apo fare pak mbi këtë rast, kjo nuk është shumë pozitive për qeverinë e vjetër. I gjelbri Fischer i ka mbajtur me qëllim sytë mbyllur, që të mos shihte se ç´bënte qeveria e tij."

Gazeta «Stuttgarter Zeitung» komenton:

Do të ishte skandaloze sikur shërbimi sekret gjerman të kish injoruar me vite të tëra, së bashku me ministrinë e jashtëm dhe kancelarinë, ofertën e amerikanëve për lirimin e Kurnazit. Por duket sikur kështu ka qënë. Ministri i jashtëm gjerman Steinmeier ishte asokohe shefi i zyrës së kancelarisë, pra kishte gjithçka në duar. Fundja në rast nevoje, ai do të duhet të mbajë përgjegjësinë politike. Por se cilat konsekuenca duhen nxjerrë tani, mund të thuhet vetëm pasi të jenë mbledhur të gjitha faktet. Vetëm atëherë do ta dimë se si është sjellë Steinmeieri. Debatimet mbi dorëheqjen e tij janë paksa negative një një kohë që ministri i jashtëm gjerman duhet të dëshmojë në parketin ndërkombëtar se ka kompetenca të mjaftueshme politike."


Gazeta "Kieler Nachrichten» komenton:

"Akuzat po shtohen. Në rast se qeveria e atëhershme kuq-gjelbër e dinte prej vitesh se Murat Kunraz ndodhej i burgosur dhe madje evitoi me qëllim kthimin e turko-gjermanit në atdhe, atëherë konsekuencat personale do të jenë të pashmangshme. Edhe në rast se përgjegjësia jurudike e Steinmeiert është ende e paqartë, nga ana morale ai po përjeton një presion të madh. Një ministër i jashtëm gjerman, që në kohën kur punonte si shef i zyrës së kancelarit dhe përgjegjës për shërbimin sekret, i cili nuk ka ndërmarrë çdo hap për lirimin e një të pafajshmi nga burgu famëkeq Guantanamo, nuk mund të konsiderohet si një politikan i mirë."

Dhe së fundi në gazetën "Westfalenpost» nga Hageni lexojmë:

"Kancelarja ka shprehur në mënyrë publike besimin e saj të plotë për ministrin e saj të jashtëm Steinmeier. Ky është një sinjal i qartë paralajmërues. Rasti i Kurnazit po i sjell telashe të papritura ministrit të jashtëm, i cili mesa duket ishte i informuar mbi fatin e gjermano-turkut Kurnaz. Tani akuzat janë të rënda. Në rast se ato janë të vërteta, atëherë Steinmeier duhet të japë dorëheqjen. Por kjo do të thoshte se koaliconi i madh do të humbste një nga ministrat më të mirë të saj. Por deri sa të jetë sqaruar përfundimisht kjo çështje, nuk do të ishte mirë të merreshin vendime. Në fakt skandali i vërtetë është se Amerika i shkel me këmbë të drejtat e njeriut në Guantanamo."