1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në gjueti votash

29 Qershor 2009

CDU dhe CSU gënjejnë veten nëse mendojnë, se rezultati i zgjedhjeve do të varet prej dhuratave tatimore.

https://p.dw.com/p/Id6y
Fotografi: dpa

Unioni Kristindemokrat/kristiansocial në Gjermani miratoi programin elektoral për zgjedhjet parlamentare në vjeshtë. Kryesitë e të dyja partive simotra miratuan njëzëri në Berlin dokumentin e programit elektoral, që parashikon lehtësimin e qytetarëve nga taksat si dhe impulse të reja për rritjen ekonomike. Kjo temë gjen jehonë në shtypin gjerman të së hënës.


Gazeta "Lausitzer Rundschau" komenton: "Kancelarja Merkel ndodhet deri më 27 shtator në çarkun e tatimeve, sepse në sfondin e 300 miliardë eurove borxhe të reja deri në vitin 2013 me sa duket as njerëzit e partisë së saj nuk besojnë, që ulja e taksave është e mundshme dhe se rritjet e tyre nuk janë të nevojshme. Do të ishte mirë nëse do qe ndryshe. Por përgjigjet mungojnë. Merkeli dhe shokët e saj të partisë duhet ta thonë qartë, se ku duan t' i gjejnë miliardat që mungojnë, ku duhet kursyer e shkurtuar. Por në vend që të flasin hapur ata vetëm llomotisin."


Gazeta "Münchener Merkur" vëren: "Normalisht qytetari i thjeshtë ngre supet kur është fjala për programet elektorale. Në letra shkruhet shumë, ka mësuar qytetari, dhe politikanët premtojnë shumë kur dalin në gjueti për vota. Por në sfondin e krizës botërore financiare arsyeja e zakonshme e qytetarit mund të shndërrohet në indinjatë prej rregullave stereotipe të lojës, sepse askush nuk lejon ta marrin për budalla, kështu siç po ndodh tani me grindjen e padurueshme për taksat. Kristiandemokratët e kristiansocialët gënjejnë veten nëse mendojnë, se rezultati i zgjedhjeve do të varet prej dhuratave tatimore. Në sfondin e borxheve tronditëse të shtetit askush nuk beson, se do të mbetet i paprekur nga përpjekjet për të shpëtuar buxhetet publike prej kolapsit. E përderisa është kështu, partitë e mëdha popullore duhet që mundësisht t'u thonë njerëzve të vërtetën në kohën e duhur, në vend që të ngrutësohen prej burracakërisë dhe frikës nga ndëshkimi përmes votës."

Autor: Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Pandeli Pani