1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Hamburg ka filluar (09.09.) për herë të katërt "Dialogu i Petersburgut"

Kristiane Hofmann10 Shtator 2004

Në forumin e sivjetshëm marrin pjesë rreth 150 përfaqësues të organizatave ruse dhe gjermane, nga politika, ekonomia, mediat dhe shkenca.

https://p.dw.com/p/ArSL

Në Hamburg kësaj radhe nuk kanë ardhur as kancelari Gerhard Shrëder e as
presidenti Vladimir Putin. Sulmet terroriste në vendin e tij kanë bërë që
presidenti rus të anuloë pjesëmarrëjen në takim. Andaj bisedimet kësaj
radhe do të zhvillohen vetëm në rrafshin shoqëror. Para së gjithash bëhet
fjalë për mirëkuptimin ndërmjet rusëve dhe gjermanëve si dhe çështjet e
ardhëshme në Evropë, projekte në rrafshin ekonomik dhe shkëmbimi intensiv i
përvojave ndërmjet të rinjëve. Megjithatë ngjarjet aktuale në Rusi kanë
mbizotëruar në ditën e parë të diskutimeve. Madje para fillimit është
shqyrtuar mundësia që takimi mos të mbahet fare, tha Klaus Mangold, njëri
prej organizatorëve të dialogut të Petersburgut:

"Ne arritëm pastaj në përfundimin se do të ishte mirë që të
zhvillojmë këtë dialog pasi që jemi të mendimit se pikërisht në kohët e
vështira është i rëndësishëm solidariteti dhe me këtë edhe bisedimet e
dialogu", nënvizoi Klaus Mangold.

Në vend se të flitet për rrjedhën e dramës së pengjeve në Beslan dhe komunikimit të keq tani duhet të diskutohet për organizimin e ndihmave humanitare. Përveç kësaj do të duhej që të veprohet bashkarisht kundër terrorizmit ndërkombëtar. Mjeku i
fëmijëve Leonid Roschall ka kritikuar raportimin e mediave perëndimore. Ai
ka provuar të vij në kontakt me pengmarrësit dhe të ndërmjetësoj. Shumë
informata kanë qenë jo të sakta dhe ai nuk sheh ndonjë lidhje me luftën në
Çeçeni.

"Sipas mendimit tim sot po vlon lufta e tretë botërore. Dhe siç më
duket mua është një luftë terroriste botërore. Ajo çka ndodhi në Osetinë
veriore nuk ka të bëjë fare me Çeçeninë. Kjo është një përpjekje për hapjen
e një vatre të re krize në Kaukazin verior. Kjo për faktin se osetët e
veriut dhe ingushenët nuk janë kuptuar mirë me njëri tjetrin gjatë vitete
të fundit", tha Roshal.

Terroristët do të përpiqen që të shfrytëzojnë këtë klimë për
krijimin e një shteti islamik, tha më tej Roshal.

Për dallim, ish-presidenti rus dhe njëri prej bashkëorganizatorëve
të dialogut të Petersburgut, Mihajl Gorbatçov kërkoi nga qeveria ruse që
drama e pengjeve të hetohet seriozisht dhe hapur - kjo pritet para së
gjithash nga popullata ruse:

"Ata presin nga qeveria masa reale për një zgjidhje
politike të konflitit çeçen i cili do t`i mundësonte popullit çeçen një
jetë normale. Ata duan të binden që do të kryhet një hetim serioz. Për këtë
është e nevojshme vërtetimi dhe një analizë e shkaqeve dhe pasojave të
ngjarjeve dhe kjo me pjesëmarrjen e parlamentit dhe shoqërisë. Shoqëria
ruse e pret një gjë të tillë", tha Mihajl Gorbatçov.

Transparenca e mangët në shoqërinë ruse është kritikuar edhe nga
organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut "Reporterët pa kufinj".
Sipas tyre mediat ruse nuk kanë patur mundësinë të raportojnë në mënyrë
objektive për dramën e pengjeve, tha Aleksej Simonov, themelues i
fondacionit për mbrojtjen e lirisë së fjalës, i cili në Rusi angazhohet për
mediat e kërcënuara. Pesë prej gjashtë kanaleve televizive i takojnë
shtetit, i gjashti qeverisë së Moskës. Sipas tij në Rusi mediat e lira
faktikisht nuk ekzistojnë më.