1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në kërkim të dy biografive

Anila Shuka22 Tetor 2008

Mes 40 besimtarëve katolikë që janë propozuar nga autoritetet kishtare shqiptare për t'u shpallur shenjtorë janë edhe dy gjermanë. Një teolog nga Këlni po mundohet tani të plotësojë jetëshkrimet e tyre.

https://p.dw.com/p/FeHA
Fotografi: dpa - Bildarchiv

Se si ishte ora e fundit e jetës së Jozef Marksenit (Josef Marxen), ish-priftin gjerman të Jubës, nuk dihet. Thonë që e kanë pushkatuar në një pyll të Tiranës, më 17 nëntor 1946. Thonë që e kanë vrarë tinëzisht tek po përpiqej të dilte nga Shqipëria në drejtim të Kosovës. Po aq e turbullt është edhe zhdukja e ish-priftit të Velipojës Alfons Trackit. Në arkipeshkvinë e Shkodrës thuhet se ai ka vdekur si pasojë e torturave. Profesori i teologjisë Helmut Mol (Moll) ka kohë që po mbledh të dhënat biografike për këta dy priftërinj gjermanë që i kaluan në Shqipëri ditët e fundit të jetës.

Letër nga Shkodra

E tëra filloi dy vjet më parë, kur Prelat Molit i erdhi një letër nga arkipeshkvi i Shkodrës, Anxhelo Masafra (Angelo Massafra). Aty thuhej se Konferenca e Ipeshkëve Shqiptarë pat propozuar 40 persona për shenjtorë. Këta ishin peshkopë, priftërinj, besimtarë të thjeshtë, burra dhe gra që kishin sakrifikuar jetën për besimin katolik. Procedura ishte hapur që në vitin 2002 por vetëm dy vjet më parë u konstatua se në mesin e këtyre 40 njerëzve janë dy me emra gjermanë", rrëfen Mol për Dojçe Velen. Në letrën drejtuar Konferencës së Ipeshkëve Gjermanë (DBK) Massafra kërkonte se kush mund ta përpilojë fazën gjermane të jetës së këtyre dy priftërinjve.

Josef Marxen
Josef Marxen (1906-1946)Fotografi: Helmut Moll, Erzbistum Koeln

Helmut Moli si i ngarkuar i DBK-së për të ashtuquajturët "martirë të kishës katolike" iu vu punës për të mbledhur të dhëna për dy priftërinjtë. Përveç emrave, ai nuk dinte asgjë: "Muaj të tërë u përpoqa të gjeja diçka në internet, nëpër arkiva, pyeta njerëz të ndryshëm, kërkova nëpër librari, derisa hap pas hapi arrita të krijoja një variant të biografisë", rrëfen ai.

Mol është përgjegjës edhe për procedurën e shenjtërimit të martirëve nga Këlni, gjë që ia bëri më të lehtë plotësimin e biografisë së Jozef Marksenit që kishte lindur në Këln në vitin 1906. "Kur disa muaj më parë publikova një intervistë në gazetën lokale "Koelnischer Rundschau", m'u lajmërua i vëllai i Jozef Marksen-it, Alfons Marksen. Ai është 90 vjeç dhe jeton në Nordrajn Vestfali", thotë Mol. Gradualisht ai filloi të gjente edhe të afërm të tjerë të Marksen-it, të shpërndarë në Gjermani dhe Luksemburg. "Ata më sollën fotografi, letra, kujtime e të gjitha mund t'i përdorja për të plotësuar variantin e parë të biografisë në gazetën 'Klerus'".

Alfons Tracki
Alfons Tracki (1886-1946)Fotografi: Helmut Moll, Erzbistum Koeln

Më e vështirë është mbledhja e të dhënave për Alfons Trackin, për të cilin dihet që ka lindur në vitin 1886 në Silezinë e Epërme. "Sapo kam publikuar biografinë e tij në "Gazetën Sileziane" por nuk shpresoj të gjej të afërm gjaku, sepse Tracki ishte më i vjetër se Marksen. Dy fotografitë e vetme të Trackit janë nga Shqipëria", thotë Mol.

"Këlni me shenjtor"

Ishte ideja e Papa Gjon Palit II (që e kishte përjetuar vetë ateizmin e komunizmit në Poloni) që të shkruhej historia e priftërinjve, besimtarëve ose misionarëve që u bënë viktimë për shkak të bindjeve fetare. Mol ka publikuar ndërkohë dy vëllime me titullin "Dëshmitarët e Krishtit". Në të janë renditur biografitë e mbi 800 gjermanëve që janë martirizuar në shekullin e 20-të për shkak të besimit të tyre. Në vëllimin e tretë që pritet të dalë në vitin 2010 do të përfshihen edhe emrat e dy priftërinjve gjermanë që u bënë viktimë e diktaturës komuniste në Shqipëri e që së bashku me 38 persona të tjerë do të propozohen për shenjtorë. Procedura e shenjtërimit është e gjatë: Mol është i bindur që pas 10 vjetësh Papa do t'i shpallë shenjtorë. Këtë mesazh ai ua kumton edhe besimtarëve nga Këlni në çdo referat të tij: "Ata janë të gëzuar", thotë ai, "Këlnit do t'i shtohet edhe një shenjtor."