1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në kërkim të veprimeve - bilanc i dobët i BE-së në lidhje me mbrojtjen kundër terrorizmit

Bernd Rigert16 Mars 2004

Lufta kundër terrorit në Bashkimin Evropian deri më tash ka qenë vetëm një çështje teorike. Pas sulmeve të fundit në Madrid kjo çështje ka hyrë në rendin e politikës ditore. Vështirësitë që kanë të bëjnë me shkëmbimin e informatave, si dhe regjistrimin e të dhënave në kuadër të bashkëpunimit të policisë brenda vendeve anëtare të Bashkimit Evropian mbetën të hapura dhe mundësia për kryerjen e atentateve vazhdon të mbetet e madhe.

https://p.dw.com/p/ArI2
Veturë e policisë spanjolle kontrollon rrugët e Madridit
Veturë e policisë spanjolle kontrollon rrugët e MadriditFotografi: Johannes Beck/DW


"Ekzistojnë instrumente evropiane, por ato përdoren shumë keq. Marrëveshja për ratifikim është shumë e ngadalshme dhe mjetet për sigurinë nuk përdoren në masë ose ato nuk kuptohen sa duhet nga njesitë e sigurimeve dhe institucioneve gjyqësore të vendeve anëtare".

Ky vendim shkatërrues i Bashkimit Evropian mbi politikën kundër terrorizmit është një citim nga një raport i besueshëm, që sekretariati i këshillit evropian e paraqiti dy ditë para sulmeve në Madrid. Bilanci i bashkëpunëtorëve të këtij këshilli është tmerrues dhe i frikshëm.

Betimet e shenjta të burrështetasve dhe udhëheqësve të qeverive për ta luftuar terrorizmin në mënyrë të përbashkët, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, mbetën pa goditje të efektshme dhe bindëse. Posaqërisht shkëmbimi i njohurive dhe të dhënave në mes të shërbimeve të fshehta të Evropës dhe institucioneve shtetërore policore, po has në vështirësi të shumta. Me EUROPOLIN ekziston një institucion për hetime, por kompetencat në luftën kundër terrorizmit janë shumë të vogla.

Marrëveshjet për forcimin e Europolit do të vijnë në fuqi në vitet e ardhshme. Komisioni i Bashkimit Evropian pas vitit 2007 do të hulumtojë luftën kundër terrorizmit si dhe do të ndihmojë në zhvillimin e teknikës me të re.

Thirrjet për një institucion të fuqishëm në luftën kundër terrorizmit, të cilat si model kanë sistemin amerikan në ministrinë e mbrojtjes së vendit, po bëhen gjithnjë e më të zëshme. Këshilli i fundit i ministrave të drejtësisë së Austrisë e kishte formuar një zyre sekrete të ngjajshme me atë të shërbimit sekret amerikan, CIA, por një iniciatvë e tillë nuk ka gjetur përkrahje të duhur nga mekanizmat tjerë politikë. Në fakt në lidhje me këtë askush nuk është i gatshëm ta dorëzojë pavarësinë e vet.

Askush nuk mund të thotë nëse një zyrë qendrore do të kishte arritur të evitojë sulmet e ngjajshme si ato të fundit në Madrid. Para se terroristët në Spanjë të sulmonin caqet e planifikuara, ata në dallim prej herave tjera, nuk kanë lënë gjurmë në formë të telefonatave të dëgjuara apo udhëtimeve të dyshimta. Për një njësit evropian që është kundër terrorizmit flet edhe përvoja nga vitet e shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta që shtetet evropiane kanë pasur me grupet terroriste nacionale.

Për të luftuar organizatat terroriste si IRA, ETA, RAF dhe Brigadat e Kuqe në Britaninë e Madhe, Spanjë, Gjermani dhe Itali u formuan njësi speciale, për shkak se shërbimet policore regjionale ishin të mbingarkuara.

Deri në qershor të këtij viti duhet të formulohet fletëarresit në nivel evropian, ku institucioneve u mundësohet kapja e të dyshuarve në të gjitha vendet e kontinentit. Që moti janë të domosdoshme pasaporta të cilat nuk mund të falsifikohen si dhe evidentimi i të dhënave biometrike në procesin e dhënjës së vizave. Në veçanti ndihet një mungesë e sigurisë në verifikimin e trafikut rrugor dhe atij hekurudhor. Autorrugët dhe hekurudhat kanë ofruar një terren të mirë për terroristët në transportimin e armëve dhe qarkullimin e lirë të atentatorëve.

Anketimet më të reja tregojnë se rreth 80 përqind të qytetarëve evropian presin rezultate konkrete nga politikanët në luftën kundër terrorizmit. Bashkimit Evropian i është dashur një kohë e gjatë që së bashku me SHBA të vijnë deri te një definim, se çka paraqet terrorizmi në të vërtet. Udhëheqësitë e qeverive të mëdha në takimin e ardhshëm në radhë të parë do të diskutojnë mbi masat kundër terrorizmit.

Më të vërtetë është tragjike që një katastrofë si kjo e fundit në Madrid, duhet të detyrojë mekanizmat evropian të reagojnë. Xherba, Kasablanka, Bali, Mombasa, Stambolli. Lista e paralajmërimeve është e gjatë. Terrori tani ka ardhur në zemër të Evropës dhe tani është momenti i fundit për një reagim të përbashkët. Minutat e heshtjes pa marrë parasysh kuptimin e tyre qëllim-mire, nuk mjaftojnë në zgjidhjen e problemeve.