1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Në mbrojtje të qytetarëve" aksioni për shpëtimin e bankave gjermane

Anila Shuka 15 Tetor 2008

Parlamenti gjerman debatoi për një pako masash për t'u ardhur në ndihmë bankave në krizë. Edhe partitë e opozitës e pranojnë këtë aksion të domosdoshëm për daljen nga kriza. Protestë pati vetëm jashtë parlamentit.

https://p.dw.com/p/FZs0
Bundestagu debaton mbi paketën e ndihmësFotografi: AP

Aktivistët e lëvizjes antiglobaliste ATTAC ishin veshur paradite me kostume bankierësh dhe kishin dalë para ndërtesës së Rajhstagut për të mbledhur para për bankat: Hypo Real Estate, Deutsche Bank, Commerzbank, për secilën nga disa thasë me kopje kartëmonedhash prej 5000 Eurosh.

Në atë çast kancelarja Angela Merkel po justifikonte në parlament aksionin e qeverisë së saj për të vënë në dispozicion të bankave 480 miliardë Euro garanci shtetërore. "Nuk ishte një vendim i lehtë për ne, por nuk po e bëjmë për t'u ndihmuar instituteve financiare, por për të mbrojtur ekonominë tonë, për të mbrojtur qytetarët", tha kancelarja.

400 miliardë Euro do të shërbejnë garanci për kredi ndër bankare. Ky instrument mjaft i rëndësishëm për qarkullimin e parasë ka qenë i paralizuar javën e fundit, pasi bankave u ka munguar besimi për t'i dhënë kredi njëra-tjetrës. Kjo është arsyeja se përse jo vetëm partitë e koalicionit të madh, por edhe opozita më majtiste në parlament është e mendimit se ky aksion shpëtimi është i pashmangshëm: "Kjo që po bëjmë është e drejtë në anën teknike, sepse bankat kanë nevojë për para që të mos falimentojnë", tha kryetari i kësaj partie dhe ish ministër i financave Oskar Lafontaine.

Pesë përqind e ka llogaritur qeveria gjermane riskun e moskthimit të garancisë që po vë për bankat, kjo do të thotë 20 miliardë Euro. Për këtë aksion ministri i financave autorizohet të marrë një kredi të re prej 100 miliardë Euro. Por Merkel theksoi në adresë të bankave se nuk ka "ndihmë pa shpërblim". Ajo kërkoi ndarjen e fitimit me shtetin dhe kufizimin e pagave të anëtarëve të bordit si dhe kufizimin e kredidhënies.

Pakoja pritet të miratohet Parlamenti qysh të premten, e më pas duhet të miratohet edhe nga Këshilli Federal. Barra e borxhit parashikohet të ndahet mes federatës (65 për qind) dhe landeve (35 për qind). Landet deri tani nuk janë dakord të heqin para nga tatimet për t'ua dhënë bankave. "Përfituesit duhet të paguajnë" - thonë aktivistët e ATTAC-ut. "Bankierët e kanë fajin, ata të paguajnë e jo tatimpaguesit," thotë Filip Henzel dhe propozon që kush ka vënë pasuri të madhe në 15 vitet e fundit le të dorëzojë tani një pjesë të saj.