1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në paradhomën e BE - refugjatët në Serbi

9 Gusht 2018

Ai që vjen si refugjat në Ballkan thuajse e ka arritur objektivin e tij. Por hapi i fundit, hyrja në BE, është më i vështiri.

https://p.dw.com/p/32qfg
Serbien Belgrad Flüchtlinge
Fotografi: DW/D. Dedovic

Në afërsi të stacionit të autobuzëve të merret fryma. Në bregun e afërt të Sava-s ngrihen ndërtesa prestigjoze në qiellin e Beogradit. E gjallëruar nga paratë e investorëve arabë fytyra e lagjes së vjetër të portit të kryeqytetit të Serbisë po ndryshon me shpejtësi. Në një kohë që autobuzi hyn në rrugën që mban emrin e Gavrilo Principit, vrasësit të pasardhësit të fronit perandorak austriak Franz Ferdinand, një zonjë e vjetër i thotë së bijës: "Ne lindim dy fëmijë, ata 22. Prit edhe pak kur të na pushtojnë." Kur thotë këto fjalë ajo e hedh vështrimin te Miksaliste - dy baraka të mbështetura te njëra-tjetra me ngjyrë lejla - që shërbejnë si institucion i strehimit të refugjatëve. Ato financohen nga iniciativa private dhe organizata joqeveritare.

Këtu migrantët, shumica e të cilëve vijnë nga Lindja e Afërt dhe e Mesme, marrin përkujdesjen e parë në Beograd: diçka për të ngrënë, informacione se te cilat autoritete duhet të shkojnë, pak qetësi. 

Zbres nga autobusi dhe hy në ndërtesën kryesore. Disa të rinj luajnë ping-pong, të tjerët rrijnë vërdallë dhe bëjnë muhabet.

Shtatë herë në Kroaci

Serbien Belgrad Flüchtlinge
Fotografi: DW/D. Dedovic

Amira M. është e rraskapitur. Kurdja 36 vjeçare nga Iraku ka pesë muaj që ka marrë rrugën për në Evropë - me katër fëmijë dhe të shoqin Sarbas. Në strehimin e refugjatëve asaj i pëlqen të tërhiqet në dhomën për nëna dhe fëmijë, e cila është nën përkujdesjen e organizatës joqeveritare serbe Qendra Humanitare.

Amila tregon me anglishte të çalët, se familjes së saj sapo i është dashur të kthehet nga Kroacia, e detyruar nga policia, për herë të shtatë në Serbi. "Policia kroate na mori kartat nga celularët dhe na transportoi në kufi. Që atje duhet ta vazhdonim në këmbë rrugën."

"Bad luck", shton burri i Amiras Sarbas. Ai tregon për fshatin e tij, që ndodhet midis Kirkukut dhe Erbilit. Në fillim erdhi IS, që u kishte kërkuar para. Pastaj erdhën bombarduesit amerikanë. Luftëtarët e Shtetit Islamik u fshehën në shtëpi kurde. Amila dhe Sarbasi morrën arratinë me fëmijët nëpërmjet Turqisë dhe Bullgarisë në drejtim të Evropës Perëndimore - dhe përfunduan në Serbi.

Në vakum juridik

Dijana Korac-Mandic nga Qendra Humanitare është koordinatorja kryesore për projektet e refugjatëve të organizatës së saj në Serbi. Për mendimin e saj, numri i refugjatëve në Serbi është gjithçka tjetër, por jo alarmues, veçanërisht po ta krahasosh me vërshimin e dy vjetëve më parë. Mijëra vetë në pjesën më të madhe duan të vazhdojnë rrugën, në Evropën Perëndimore. "Vijnë në Beograd dhe regjistrohen si refugjatë. Kjo quhet Deklaratë e Qëllimit për kërkesën e azilit". Ata pastaj kanë 72 orë kohë, që të shfaqen në qendrën e refugjatëve ku i kanë caktuar. "Po të mos paraqesin pastaj kërkesë për azil, ata ndodhen në vakum juridik."

Serbien Belgrad Flüchtlinge
Fotografi: DW/D. Dedovic

Të dhënat e Organizatës së OKB-së për refugjatët duket se e konfirmojnë këtë. Në qershor 2018 në Serbi u regjistruan 739 refugjatë të rinj. Vetëm 22 paraqitën kërkesa për azil. Të gjithë të tjerët presin në Serbi për një rast për të vazhduar rrugën. Në paradhomën e Bashkimit Evropian nuk ka dëshirë të qëndrojë askush.

Në letër gjithçka është në rregull

Në Serbi ka 13 qendra pranimi të refugjatëve. Në to ai që vendos është Komisariati për Refugjatët dhe Migrimet, një organizatë brenda aparatit administrativ shtetëror. Komunikimi me publikun u nënshtrohet rregullave të rrepta. "Në letër është gjithçka në rregull. Në realitet ata kanë të bëjnë me nëpunës shtetërorë arrogantë dhe jo kompetentë", thotë Tanja B, e cila përkujdeset në Miksaliste për një projekt refugjatësh të financuar nga shtetet skandinave.

"A jeni të ndërgjegjshëm se po ushqeni bisha?"

Numri i refugjatëve në Serbi nuk është i madh:3500. Sa për krahasim: në tetor 2018 kishte më shumë se 180.000 refugjatë, të cilët qenë regjistruar në kalimin e tyre tranzit në Serbi. Shumica vijnë nga Afganistani. Në Serbinë e varfër kanë përshtypjen se numri i refugjatëve është shumë më i madh. Zilia sociale, edhe urrejtja nuk janë të dukshme, por ekzistojnë në mënyrë të fshehur. Një koment anonim në një faqe interneti të Miksaliste e shpreh në mënyrë brutale klimën zyrtarisht të ndrydhur ndaj refugjatëve:"A jeni të ndërgjegjshëm se po ushqeni bisha?"