1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në rrezik furnizimi me gaz

Isabela Kolar28 Dhjetor 2005

Lufta për gazin mes Moskës dhe Kievit është shprehje e një konflikti politik, në të cilën duhet të ndërhyjë për ndërmjetësim Bashkimi Evropian, veçanërisht Gjermania.

https://p.dw.com/p/Aqrg
Gaz nga Rusia. Stacioni komprimues Reckrod në Bad Hersfeld- Gjermani.
Gaz nga Rusia. Stacioni komprimues Reckrod në Bad Hersfeld- Gjermani.Fotografi: dpa

Rusia dhe Ukraina kanë një problem gazi me njëra-tjetrën. Monopolisti rus gjysmështetëror i gazit, Gasprom kërkon rreth 230 dollarë për 100 metra kub gaz. Ukraina nga ana e saj e pranon se çmimi i deritashëm miqësor prej 50 dollarësh për këtë sasi nuk mund të mbahet më. Në Kiev janë të gatshëm që të paguajnë më shumë, por ama me etapa.

Problemi i gazit në vetvete do të ishte punë që zgjidhej. Dhe të dyja palët nuk duhet të shkojnë siç qe planifikuar para Gjykatës së Arbitrazhit në Stokholm. Por në të ashtuquajturën luftë për gazin midis të dyja vendeve fjala nuk është vetëm për gazin. Gazi është në këtë konflikt edhe më shumë vetëm një mjet i politikës së jashtme.

Raportet midis Moskës dhe Kievit janë ftohur në mënyrë dramatike që prej Revolucionit të Portokalltë. Ukraina e ka kthyer vështrimin nga perëndimi, kërkon të futet në BE dhe në NATO. Moska është e shqetësuar për këtë dhe kërkon ndihmë, duke bërë një gabim të madh: sepse miqësia nuk lind me detyrim. Na lejoni që të marrim pjesë në sistemin ukrainas të tubacioneve të furnizimit dhe atëherë mund të flasim për çmime më të ulëta. Bjellorusët ishin të gatshëm për këtë dhe ata paguajnë tani vetëm 47 dollarë. Pra rrugë zgjidhjeje ka. Nëse ju ukrainasit tregoheni kokëfortë, ai që do të tregohet evropianoperëndimor, ai duhet të jetë në gjendje të paguajë edhe si evropianoperëndimorët. Nëse ju i vini pikëpyetje bazës së Detit të Zi të Flotës ruse në Sevastapol, atëherë le të flasim edhe njëherë me njëri-tjetrin se kujt i takon Krimeja.

Por që "era e ndryshimeve" në zgjedhjet parlamentare në Ukrainë të marsit të vitit të ardhshëm, të fryjë në dhomat e ftohta pa ngrohje gazi të banesave moskovite, për të sjellë në pushtet opozitën ukrainase pro-Moskës, kjo është një llogari ruse pa hanxhinë, e cila nuk duhet të dalë me sukses. Problemi i gazit duhet të zgjidhet, në këtë apo në atë mënyrë. Në fillim do të vidhet nga "gazi që kalon tranzit", për këtë punë në Kiev kanë përvojë.

Problemi politik që qëndron në sfondin e së gjithës është shumë më i vështirë për t'u zgjidhur. Kievi thërret për ndihmë perëndimin. Dhe me të vërtetë, ku kanë mbetur shprehjet e shqetësuara të politikanëve të perëndimit, të cilët, vetëm një vit ka kaluar, nga entuziazmi për revolucionin e portokalltë gati i lidhën nyje krahët e përqafimeve mentale me kolegët e tyre ukrainas. Ukrainës i bëjnë shantazh me gjakftohtësi dhe perëndimi hesht. Që njeri nga personat kryesorë të posaemëruar të Gaspromit dhe shefi i bordit mbikqyrës të projektit të gazsjellësit Gjermani-Rusi, ish-kancelari Gerhard Shrëder nuk ndihet, kjo nuk të çudit. Ndoshta ai e konsideron të gjithë këtë çështje një problem të brendshëm të Ukrainës.

Por Angela Merkeli, kancelarja e re gjermane duhet ta merrte tani fjalën. Interesi i saj i shpallur në raport me Moskën është që t'u krijojë vendeve si Polonia dhe vendet balltike më shumë mundësi për të thënë fjalën e tyre. Pra pse të mos i ofrohet mbështetje edhe Ukrainës? Dhe kjo jo vetëm për shkak të dashurisë kristjane. Sepse Gjermania merr 27 miliardë metra kub gaz përmes Ukrainës dhe është në këtë mënyrë përfituesja kryesore e këtij biznesi tranzit. Më 16 janar zonja Merkel do të shkojë në Moskë. Këtu ajo duhet të gjejë fjalë më të qarta se paraardhësi i saj. Rusisht në fund të fundit ajo di.