1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në SHBA ka probleme me pabarazinë racore

Dеnnis Stutе/Pandeli Pani20 Gusht 2014

Fergusoni nuk është një rast i veçantë, mendojnë sociologët dhe aktivistët për të drejtat e njeriut. Rasti i Brown shtron pyetje të rëndësishme në lidhje me racizmin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

https://p.dw.com/p/1CxDG
Fotografi: Getty Images

Sa Ferguson ka në SHBA? Çekuilibri në lokalitetin St. Louis është ekstrem: ndërsa dy të tretat e 21.000 banorëve janë afro-amerikanë, kryetari i komunës është i bardhë sikurse dhe pesë nga gjashtë anëtarët e këshillit bashkiak të qytetit. Në polici të bardhë janë 50 nga 53 të punësuarit. Trazirat që pasuan vrasjen e adoleshentit zezak Michael Brown nga një polic, reflektojnë këtë situatë, mendojnë shumë vëzhgues. "Pjesëmarrja e afro-amerikanëve në Ferguson ishte e keqe në të gjitha nivelet", thotë sociologu Darnell Hunt, drejtor i Qendrës për Studime Afro-Amerikane në Universitetin e Kalifornisë. "Kemi një gjendje si në vitet 1940, në kohën para lëvizjes për të drejtat civile."

Ferguson Polizeigewalt 17.08.2014
Fotografi: Getty Images

Po a është Fergusoni një rast i veçantë? Jo, besojnë sipas një studimi 80 për qind e afro-amerikanëve. Rasti i Brown ngre pyetje të rëndësishme në lidhje me racizmin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndër të bardhët e anketuar të këtij mendimi janë vetëm 37 për qind.

Rrezik që duhet të frenohet

Lexer Quamie, zëdhënëse e "Leadership Conference on Civil and Human Rights" thotë se Fergusoni është një shembull për atë që ka ndodhur prej vitesh në SHBA. Ajo tregon se ka pasur shumë raste që policët nuk janë dënuar, kur kanë qëlluar ndaj afroamerikanëve. Po ashtu është e përhapur ideja se të rinjtë e zinj janë të armatosur dhe përbëjnë një rrezik që duhet të frenohet.

Po ashtu ka dallime edhe në mënyrën se si trajtohen të bardhët dhe të zinjtë prej policisë. Në rastin e Fergusonit p.sh. vitin e kaluar 92% e kontrolleve janë bërë në shtëpitë e afro-amerikanëve dhe 93% e arrestimeve të drejtuesve të makinave kanë ndodhur për afro-amerikanë, edhe pse policët shumë më shpesh kanë gjetur gjëra ilegale tek të bardhët, 34% të rasteve, se sa tek të zinjtë 22%.

Miti i barazisë

"Nënat dhe baballarët e fëmijëve të zinj kurrë nuk mund të jenë të sigurt se nuk i arreston ose i keqtrajton policia," thotë Lexer Quamie. "Në shumë komunitete zezakësh, prindërit duhet të sigurojnë që fëmijët e tyre t'i dinë të drejtat e tyre dhe se si duhet të sillen në rastin e kontakteve me policinë." Prandaj shoqata e saj kërkon një numër ndryshimesh, përfshirë dhe një ndalim të kontrolleve policore të nisura për shkak të racës, si dhe një kontroll më të madh të autoriteteve lokale të policisë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë."

USA Proteste in Ferguson 18.08.2014
Fotografi: Reuters

Për sociologun Hunt rastet e spikatura të dhunës policore janë kryesisht një simptomë e problemeve më të thella: "Ne kemi një president të zi, por shumica e afro-amerikanëve janë në gjendje ekonomike më të keqe se 20 vjet më parë." Të zinjtë janë në disavantazh pothuajse në të gjitha fushat e jetës: papunësia e tyre është prej dekadash dy herë më e lartë se e të bardhëve, të ardhurat mesatare familjare të të zinjve janë një e treta nën mesataren kombëtare. Ata jetojnë në varfëri tri herë më shpesh se dënohen me burg katër herë më shpesh se të bardhët.

Në media propagandohet me forcë miti se në SHBA nuk ka më probleme me pabarazinë racore, thotë Hunt. "Por herë pas here ndodhin ngjarje si ajo në Ferguson, që na tregojnë se këtu diçka nuk është në rregull."