1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Shqipëri ka interes të madh për kulturën gjermane

24 Shtator 2009

Intervistë e ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt.

https://p.dw.com/p/Jny6
Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt.
Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt.Fotografi: DW / Arben Muka

Deutsche Welle: Zoti Ambasador, sivjet Tetori gjerman përkon edhe me 20 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Si do ta përshkruanit rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike për gjithë ish vendet komuniste të Europës, përfshirë këtu edhe Shqipërinë?

Berdn Bochardt : Rënia e Murit të Berlinit ka rëndësi simbolike. Pothuajse, që në vitet e para pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ka pasur rezistencë ndaj diktaturave komuniste të Evropës Lindore. Kështu risjell ndërmend demonstratat popullore të vitit 1953 në Gjermaninë Lindore, ngjarjet e vitit 1956 në Hungari, Pranverën e Pragës në vitin 1968, aksionet e solidaritetit për Unionin e Tregtisë së Lirë në Poloni në vitet 1980/81 dhe më vonë. Në verën e vitit 1989 po bëhej gjithmonë e më e qartë se po afrohej fundi i regjimeve komuniste : u zhvilluan zgjedhjet e lira në Poloni, u hapën kufirinjtë mes Hungarisë dhe Austrisë dhe shumë ngjarje të tjera. Në të njëjtën kohë filloi një lëvizje proteste në ish Gjermaninë Lindore, që u shkallëzua si një protestë kundër zgjedhjeve të atëhershme lokale. Kjo çoi, më 9 nëntor 1989 në rënien e Murit të Berlinit, ngjarje që fitoi një domethënie të madhe simbolike: ky mur që ndante dukshëm pjesën e lirë të Berlinit nga ajo komuniste ishte shndërruar në një simbol represioni dhe diktature. Besoj, se rënia e tij ishte një impuls për të gjitha lëvizjet demokratike në Evropën Lindore. Ishte pikërisht 20 vjet më parë kur njerëzit në ish RDGJ së bashku me njerëz të tjerë nga Europa Qendrore, Lindore dhe Juglindore rrëzuan në mënyrë paqësore „perden e hekurt“ dhe përgatitën kështu rrugën për të kapërcyer ndarjen e Evropës. Sot, Gjermania e ribashkuar ka gjetur tashmë vendin e vet përkrah miqve dhe fqinjëve të saj dhe ka mundur në mënyrë të suksesshme të vendosë sistemin ekonomik demokratik në ish RDGJ, një sistem që kombinon lirinë, konkurrencën me ekuilibrin social. Pas ribashkimit prioriteti i Gjermanisë ishte ribashkimi i Evropës: lehtësimi, promovimi dhe mbështetja e integrimit të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në Bashkimin Evropian. E konsideroj BE-në si përpjekjen më të rëndësishme, që është ndërmarrë ndonjëherë, për të nxitur paqen, zhvillimin ekonomik, shoqëror, për të forcuar demokracinë dhe mbështetur të drejtat e njeriut. Në vitin 2003, në Samitin e Selanikut, krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve të BE-së vendosën ta shtrijnë këtë proces edhe drejt Evropës Juglindore. Jam i bindur se në një të ardhme të afërt ky proces i ribashkimit të Evropës do të realizohet me sukses duke përbushur kështu edhe një detyrë madhore që historia në mënyrë simbolike ka vënë në supet e Gjermanisë me rënien e Murit të Berlinit.

Kryeministri Sali Berisha tek Angela Merkle në Berlin.
Në një të ardhme të afërt procesi i ribashkimit të Evropës do të realizohet me sukses.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Deutsche Welle : Gjithë sa përshkruat, Zoti Bochardt, na ngjallin përfytyrimet për situatën revolucionare që i parapriu ngjarjes historike të rënies së Murit të Berlinit. A do të jetë këtë vit Tetori Gjerman, ndryshe nga vitet e kaluara, përderisa ai përkon në kohë me 20 vjetorin e kësaj ngjarjeje?

Berdn Bochardt: Tema kryesore e aktiviteteve tona gjatë „Tetorit Gjerman 2009“ do të jetë rënia e Murit të Berlinit. Ditët e Filmit Gjerman që do të startojnë në Akademinë e Filmit „Marubi“ nga data 5 tetor do të trajtojnë pikërisht këtë temë. Do të ketë edhe një ekspozitë artistike në hotel „Dajti“, e ndjekur nga një shfaqje teatrale „Fëmijët e Murit“. Gjithashtu dyert e ambasadës do të hapen për një ekspozitë e cila sqaron dhe ilustron sfondin politik të ngjarjeve të nëntorit 1989.

Deutsche Welle: Cilët janë partnerët tuaj lokalë dhe ndërkombëtarë në zhvillimin e javëvë të Tetorit Gjerman 2009?

Berdn Bochardt : Shumë nga miqtë tanë në Tiranë tashmë i kanë marrë katalogët e aktiviteteve në kuadër të „Tetorit Gjerman“. Ky i fundit përmban një listë të sponsorëve tanë, kryesorët janë kompania gjermane Dermapharm / Mibe e cila së fundmi ka blerë Profarma-n dhe AMC. Sponsorë të tjerë të rëndësishëm janë Banka gjermane ProCredit, uji mineral natyral Trebeshina, kompania austriake RËE Energy, Noshi Group, Merzedes Benz Autostar Albania dhe shumë të tjerë. Por ka edhe një numër shumë të madh partnerësh që kanë marrë pjesë në organizimin e këtyre Javëve të Kulturës së bashku me ne. Dëshiroj të përmend këtu shoqatën tonë kulturore gjermano-shqiptare „Robert Schwarz“, fondacionin NEHEMIA, ambasadat mike si ajo franceze, zvicerane dhe austriake si dhe institucionet shqiptare Ministria e Punëve të Jashtme, Bashkia Shkodër dhe të tjera

Deutsche Welle: Zoti ambasador, si mund të ndikone javët e Tetorit Gjerman, aktivitet tanimë tradicional,në forcimin e lidhjeve mes kulturave të dy vendeve, Gjermanisë dhe Shqipërisë? Mendoj se jemi dëshmitarë që bashkëpunimi mes tyre ndodhet në një stinë lulëzimi?

Berdn Bochardt : Ajo që vërtet më ka impresionuar gjatë dy viteve që ndodhem në Shqipëri, është interesi i madh për kulturën gjermane dhe në veçanti për gjuhën gjermane. Këtij interesi për gjuhën gjermane ne i jemi përgjigjur në mënyrë intensive. Këto vitet e fundit Gjermania ka intesifikuar mësimdhënien e gjuhës gjermane në universitete dhe shkolla. Kur kam ardhur këtu, kishte vetëm një mësues gjerman i cili jepte mësim në shkolla në Shqipëri, tanimë janë tetë. Këtë vit ne pothuaj arritëm të dyfishojmë numrin e bursave për qytetarët shqiptarë duke e çuar atë në afro 100. Shërbimi i Shkëmbimit Akademik Gjerman (DAAD) po ofron gjithashtu mbështetje për departamentin e gjermanishtes në universitetin e Tiranës me anë të një asistent lektori shtesë për gjuhën gjermane. Veç kësaj DAAD do të hapë në muajin tetor një zyrë në fakultetin e Ekonomisë, në universitetin e Tiranës. Në fushën e aktiviteteve kulturore Tetori Gjerman është shumë i gjerë. Si pëmenda pak më lart, sivjet ai do të prekë një subjekt të veçantë, me një domethënie të madhe për Gjermaninë dhe Shqipërinë: Rënien e komunizmit, e simbolizuar nga hapja e Murit të Berlinit 20 vjet më parë. Gjatë vitit të kaluar ne kemi zhvilluar një dialog me Shqipërinë për sa i përket eksperiencave të përbashkëta dhe të ndryshme në këtë fushë: Risjell në kujtesë vizitën e drejtueses së institucionit sonë përgjegjës për krimet e ish shërbimit sekret komunist gjerman si dhe drejtueses së institucionit përgjegjës për diktaturën komuniste në përgjithsi, Zonjës Marianne Bithler. Shpresoj që ky „Tetor Gjerman“ do të japë një kontribut në këtë debat. Edhe kjo është një fushë e suskesshme e bashkëpunimit tonë, çka i detyrohet edhe eksperiencave pjesërisht të njëjta me diktaturat komuniste.

Qenda gjermane në Tiranë.
Qenda gjermane në Tiranë.Fotografi: DW/ Arben Muka

Deutsche Welle : A ka projekte nga Qeveria Gjermane për të rritur dhe zgjeruar bashkëpunimin gjermano-shqiptar në fushën e edukimit, kulturës, si mundësi të shkëlqyera për rritjen e dialogut ndërkulturor mes dy poujve?

Berdn Bochardt : Gjatë dy viteve të fundit, janë bërë përpjekje të veçanta për të rritur shkëmbimet ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë në fushën e arsimit dhe kulturës. Në fushën e arsimit, së bashku me partnerët tanë shqiptarë ne arritëm të hapnim seksionin dygjuhësh në gjimnazin „Sami Frashëri“. Një tjetër fushë e pranisë së fortë gjermane është arsimi profesional: para pak ditësh inaguruam shkollën profesionale në Kamëz, e specializuar në përkujdesjen ndaj moshës së treta. Gjermania mbështet Akademinë Profesionale në Durrës, veçanërisht në fushën e bankës si edhe aktivitetet në formimin profesional të kishës katolike.Jemi duke punuar për një projekt më të madh për promovimin e arsimit profesional në veri të Shqipërisë, Lezhë, Shkodër, Kukës dhe Peshkopi.

Autor : Ani Ruci

Redaktoi : Aida Cama