1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

200510 Thailand Lage

20 Maj 2010

Pas disa të shtënash të rralla të enjten në mëngjes në Bangkok, qeveria vendosi që ndalimqarkullimi të zgjatet edhe me tri ditë të tjera. Ky do të vlejë jo vetëm për Bangkokun, por edhe për provincat përreth.

https://p.dw.com/p/NSVA
Protestuesit u kanë vënë zjarrin rreth 30 ndërtesave në zonën tregtare të BangkokutFotografi: AP

Edhe gjatë mëngjesit të sotëm (20.05) në qendër të kryeqytetit tajlandez ka pasur sërish të shtëna të veçuara. Qendra e qytetit, përreth zonës së kryqëzimit Rajaprasong konsiderohet si zonë e rrezikshme dhe vazhdon të mbahet e bllokuar prej ushtarëve. Në qendrat tregtare, një pjesë e të cilave vazhdojnë të digjen, qëndrojnë sipas të dhënave të ushtarakëve të fshehur kundërshtarë militantë të qeverisë.

Shumë e tensionuar paraqitet gjendja në tempullin budist, Wat Patum Wanaram, që ndodhet shumë afër qendrës tregtare, në të cilin kanë gjetur strehë fëmijë dhe gra. Ndër dymijë vetët e futur në tempull të mërkurën në mbrëmje, duhet të ketë edhe persona të armatosur. Një zëdhënës i policisë njoftoi se mjekët dhe forcat e shtëpimit kanë gjetur nëntë trupa pa jetë në territorin e tempullit. Ushtarë të armatosur kanë rrethuar tempullin.

Thailand Unruhen in Bangkok Flash-Galerie
Fotografi: AP

Kundërshtarë militantë të qeverisë, që nuk kanë qenë dakord me vendimin e komandantëve të tyre për t'u dhënë fund aksioneve të protestës, dolën si të tërbuar të mërkurën në mbrëmje nëpër rrugët e qytetit duke shkaktuar dhunë. Central World, një qendër luksurioze tregtare në afërsi të Rajaprasong vazhdon të digjet dhe është shkatërruar pjesërisht. Zjarri u është vënë edhe 30 ndërtesave të tjera, ndër to qendra tregtare, hotele, ndërtesa administrate dhe ajo e Bursës së Tajlandës. Të enjten në mëngjes zjarri iu vu edhe një qendre gjigande tregtare. Për të vënë gjendjen nën kontroll, qeveria ka vendosur ta zgjasë ndalimin e qarkullimit edhe për disa ditë.

Reagimet për mënyrën e trajtimit të kundërshtarëve të qeverisë nga forcat e rendit, janë të ndryshme. Banorët e kryeqytetit i vlerësojnë ato në përgjithësi pozitivisht, sepse aksioni disamujor i protestës së këmishëkuqëve e ka paralizuar pjesërisht jetën publike dhe ekonomike të kryeqytetit.

Netët e ardhshme ndalimqarkullimi nuk do të vlejë vetëm për Bangkokun, por edhe për provincat përreth.

Autor: Bernd Musch-Borowska/Aida Cama
Redaktor: Pandeli Pani