1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nëse nuk jemi vigjilentë „Shteti Islamik“ mund të rikthehet!

Rainer Hermann
18 Mars 2019

Edhe nëse i ashtuquajturi „Shteti Islamik“ e ka humbur tanimë të gjithë territorin e tij, rreziku i terrorizmit xhihadist nuk ka marrë fund mendon, Rainer Hermann i Frankfurter Allgemeinen Zeitung.

https://p.dw.com/p/3FAsc
Syrien IS - Kampf um Baghus -  Rauchwolken über der Provinz Deir Al Zor
Fotografi: Reuters/ANHA

Falë misionit të bashkuar të bashkësisë ndërkombëtare, i ashtuquajturi „Shteti Islamik" është mundur gati plotësisht, edhe nëse kjo mund të thuhet me një kufizim: të paktën ushtarakisht e përkohësisht. Por nuk duhet t'i jepemi iluzioneve edhe nëse luftëtari i fundit i IS-it dorëzohet, dhe merret nën kontroll toka e fundit e territorit të tij që para pesë vitesh ishte gati sa Britania e Madhe. Më shumë se një fazë e rëndësishme e fitores nuk është arritur. Bota nuk duhet të flejë mbi dafina, duke menduar se kaloi rreziku i terrorit xhihadist.

Kujdes edhe më tej

Kujdes në të ardhmen duhet pasur edhe për shkak të ideologjisë së salafizmit xhihadist, një pjesë e përhershme e arsenalit që ka frymëzuar akte terroriste. Por jo çdo salafist, pra jo çdokush nga ata që do të jetojë si myslimanët e parë është automatikisht një terrorist. Spektri është i gjerë, dhe shtrihet nga një salafizëm tërësisht jopolitik, deri tek përkrahësit e bindur, se utopia e tyre arrihet përmes dhunës, xhihadit.

Aktivizimi i forcave të tilla mund të ndodhë në çdo moment edhe pas fitores ushtarake ndaj „Shtetit Islamik." Ekspertët llogarisin me afër 30.000 vetë, luftëtarë të IS-it që kanë kaluar në ilegalitet në dy vitet e fundit. Ka gjasa që një pjesë e tyre do mund të integrohet në shoqëritë e mëparshme. Por shumë presin vetëm një shans të ri për luftë. E ai mund t'u ofrohet shpejt, nëse palët në konflikt, krijojnë pa dashur një vakuum, ose nëse SHBA tërhiqet nga Siria. IS-i do ta mbushte shumë shpejt çdo vakuum që do të krijohej, siç e bëri në vitin 2014.

IS dhe organizatat e tij paraardhëse në mënyrë të përsëritur nuk janë marrë seriozisht. Në fitoren e parafundit kundër IS-it në vitin 2008, numri i xhihadistëve që kaluan në ilegalitet në Irak llogaritej në disa qindra vetë. Tre vite më vonë, kjo organizatë u rikthye me një forcë të re, sepse komandantët e saj kishin mësuar nga gabimet e kaluara dhe ishin përshtatur me ambientin e ri. Edhe kësaj here nuk ka për të qenë ndryshe. Një pjesë e tyre, si edhe më parë do të tërhiqet në një luftë guerilase me atentate terroriste, për të vazhduar me përhapjen e frikës dhe tmerrit. Po ashtu ata do të përpiqen që ta transferojnë këtë luftë edhe në perëndim. Prandaj kërkohet vigjilencë e madhe.

Rainer Hermann, FAZ & Klett-Cotta
Rainer HermannFotografi: Helmut Fricke

Rinia ka nevojë për perspektiva

Vetëm një gjë të ndihmon që t'ua marrë terrenin ushqyes xhihadistëve: Në vendet e tyre të origjinës duhet të ketë kushte që mundësojnë pjesëmarrjen dhe drejtësinë shoqërore, që të rinjtë të mos mendojnë se terrori është rruga e tyre drejt së ardhmes. Edhe pse kushte të tilla në këto vende mungojnë, fitorja aktuale mbi IS-in ka një rëndësi të veçantë. Sepse IS-it i është marrë më në fund territori me të cilin ai „joshte" për të jetuar një „jetë islamike" në një „shtet islamik".