1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Na njihni, pastaj na paragjykoni!'

23 Gusht 2012

Aktivistë të komunitetit rom në Korçë kanë gjetur një mënyrë origjinale për të ngritur problemet me të cilat përballen. Ata përgatitisin çdo javë një program televiziv që emetohet nga disa televizione lokale.

https://p.dw.com/p/15vMg
Gazetarë romë në përgatitje të emisionit televiziv
Gazetarë romë në përgatitje të emisionit televizivFotografi: DW/A.Muka

Programi televiziv ka një titull domethënës “Na njihni, pastaj na paragjykoni!”, zgjat 30 minuta dhe është i pari transmetim në gjuhën rome në Shqipëri. Në formatin e telerevistës, gazetarët dhe bashkëpunëtorët në terren përgatisin lajme, kronika, vëzhgime, intervista, portrete, minireportazhe, vox pop-e etj. Përpara se të niste projekti u përzgjodhën një grup djemsh e vajzash, që kishin prirje për të shkruar lajme, ose që kanë bashkëpunuar më herët me mediat lokale. Trajnerë nga Instituti i Medias në Tiranë, apo dhe nga institucione të tjera mediatike brenda dhe jashtë vendit kontribuan paraprakisht me seanca trajnimi dhe familjarizimi për stafin. Shtatorin e vitit të kaluar nisi transmetimi i programit të parë dhe aktualisht janë realizuar 36 të tilla.

Mbledhje e stafit të TV në gjuhën rome
Mbledhje e stafit të TV në gjuhën romeFotografi: DW/A.Muka

Kronika e reportazhe për problematikën e romëve

Arben Kosturi, ideator dhe drejtor i projektit, është prej rreth dy dekadash aktivist në mbrojtje të të drejtave për komunitetin rom. Ai kujton se për të sensibilizuar opinionin, por dhe për të gjallëruar jetën e vetë komunitetit kanë zhvilluar aktivitete e kanë ndërmarrë nisma nga më të ndryshmet. Kanë paraqitur peticione, kanë zhvilluar protesta, takime me autoritetet lokale, aktivitete kulturore kushtuar krijimtarisë dhe traditës rome etj. "Por e pamë që mund të përballonim dhe një program televiziv, si një mjet shumë efikas për t'i ndarë me të tjerët hallet dhe shqetësimet tona të përditshme," thotë Kosturi për DW.

Arben Kosturi, drejtor i programit
Arben Kosturi, drejtor i programit flet për DWFotografi: DW/A.Muka

“Kur them problematikën kemi parasysh që nga parashkollori dhe deri tek ai që është i papunë dhe i pastrehë, rastet e diskriminimit nga policia e prokuroria, nga bashkia, prefektura e kështu me radhë. Ne synojmë integrimin e komunitetit rom në shoqërinë shqiptare. Ne sensibilizojmë bashkinë, prefekturën, policinë, institucionet e arsimit, edukimit, i drejtohemi familjeve rome se si të merren me edukimin e fëmijëve, për të bërë rregullisht vaksinat, kontrollin tek mjeku i familjes etj. Për mua shqetësuese është dhe gjuha. Nëpërmjet këtij emisioni ne flasim gjuhën rome në mënyrë të pastër, në variantin zyrtar ndërkombëtar. Përveç gjuhës tregojmë dhe për kulturën rome, për trashëgiminë, për muzikën e cila është e paarritshme etj.”

Modele nga Kosova dhe Maqedonia

Aktivistët në Korçë tregojnë se nxitja për një format televiziv informativ–tematik ka ardhur dhe prej eksperiencës që kanë romët në Kosovë, të cilët kanë stacionin e tyre, nga rasti i Maqedonisë, ku janë dy stacione të tilla televizive, përvoja në Bullgari etj. Ata janë të kënaqur që shumë nga temat dhe problemet, që ata kanë ngritur kanë tërheqjen vëmendjen dhe të redaksive të tjera lokale, duke iu dhënë një tonalitet më të fuqishëm prezantimit të tyre në publik dhe kërkesës për gjetjen e rrugëzgjidhjeve.

Moderatori i programit, Jani Lluka nuk është rom, por thotë se angazhimi e ka bërë më të ndieshëm për t'u përkushtuar më shumë në respektimin e të drejtave për grupet e margjinalizuara sociale. Ai thotë për DW se në program zenë vend dhe tema që lidhen me komunitetin egjiptian, që jeton në qarkun e Korçës.

“Ftesa për bashkëpunim që më ka bërë stafi i programit më ka krijuar një satisfaksion. Sepse është një komunitet që ka vlera. Si artist gjithnjë e kam parë me syrin e vlerave që kanë si romët ashtu dhe egjiptianët. Vlerat e muzikës, vlerat e artit në tërësi, ato që mund t'i quaj vlerat e thurrjeve artistike.Këta kanë në gjirin e tyre dhe skulptorë këtu në Korçë, por pak njerëz i njohin këto. Shikoni, bëhet fjalë për një program që nuk është vetëm në frymë kritike, që jo vetëm proteston për gjëra që lihen pas dore me indiferencë dhe arrogancë, por që shfaq dhe një tërësi vlerash të traditës dhe të së tashmes.”

Jani Lluka, moderator i programit
Jani Lluka, moderator i programitFotografi: DW/A.Muka

Ndihmë logjistike dhe jehonë lokale

Kjo nismë do të kishte mbetur në letër pa ndihmën dhe mbështetjen e partenerëve. UNICEF-i akordoi një inventar të domosdoshëm teknik e teknologjik për regjistrimet në terren, montazhin, postproduksionin, pagesat e stafit për 6 muajt e parë etj. Televizioni lokal i Korçës “Kristal” ofroi studion dhe hapësirën programore çdo javë për emetimin e programit 30 minutësh. Por stafi mendoi që “Na njihni, pastaj na paragjykoni!” të bëhej prezent jo vetëm në qytetin e Korçës, por dhe në zona të tjera të qarkut, duke u ritransmetuar dhe nga një stacion televiziv lokale në Pogradec, gjithshtu dhe në qytetin e Elbasanit.

“Shumë shpejt, besoj deri në fund të muajit, të arrijmë transmetimin në Berat, Fier dhe pse jo edhe në Tiranë. Ideja ëashtë që të arrijmë ta japim në të gjitha televizionet lokale të Shqipërisë. Sa i takon shpërndarjes së programit jashtë territorit të vendit këtë jemi duke e zgjidhur me metodat e reja të mediave sociale”, thotë për DW, Arben Kosturi.

Kosturi shprehet se nuk do të lodhet së kërkuari ndihmë dhe mbështetje që programi të vijojë të emetohet. Prej muajsh të gjithë punojnë në mënyrë vullnetare. “Ne presim ndihmë dhe nga qeveria në Tiranë. Të tregojë që strategjitë që miraton për përmirësimin e jetës së komunitetit rom nuk janë thjesht gjëra në letër, por angazhime konkrete”, thotë Arben Kosturi për DW duke treguar një axhendë intensive takimesh me përfaqësues të institucioneve të ndryshme që pret ta realizojë me përfundimin e sezonit veror.

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi