1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Naftësjellësi Baku/Ceyhan: Perëndimi dhe Kaukazi jugor përfitojnë, Rusia humbet influencë

Thomas Franke24 Maj 2005

Sot vihet në punë naftësjellësi nga Bakuja e Azerbajxhanit deri në Ceyhan të Turqisë. Do të zgjasë ca derisa sasia e parë e naftës të ketë përshkuar 1.760 kilometrat, por që nga ai çast në anijet cisternë në Detin Mesdhe do të ngarkohen çdo ditë një milion fuçi nafte. Në projektin gjigand përfshihen 11 koncerne, drejtimin e ka koncerni BP, i cili zotëron 30,1 për qind në këtë sipërmarrje. Pas tij renditet shoqëria azerbajxhanase e naftës. Naftësjellësi Baku/Ceyhan shihet si një nga më të rëndësishmit në botë. Me të synohet të fitojnë më shumë pavarësi nga nafta arabe dhe ruse shtetet e industrializuara perëndimore dhe të marrin hov ekonomik shtetet e reja në jug të Kaukazit. Cilët jan

https://p.dw.com/p/ArPB
Pamje nga shtrimi i naftësjellësit në lindje të Turqisë
Pamje nga shtrimi i naftësjellësit në lindje të TurqisëFotografi: dpa - Bildarchiv

� fituesit dhe humbësit prej projektit të madh me rëndësi gjeostrategjike? Thomas Franke mbi sfondin dhe pasojat politike.

Mike Bilbo, zëdhënësi i British Petroleum në Turqi, është ulur në një tarracë buzë Bosforit, ngushticës në mes të Stambollit. Çdo pak minuta para syve të tij kalon një anije cisternë: e zbrazët në drejtim të Detit të Zi, e ngarkuar plot kthehet në Detin Mesdhe. Bosfori është vrima e gjilpërës për eksportin e naftës nga Uralet dhe rajoni i Kaspikut dhe prej kohësh është i mbingarkuar. Kjo ishte një nga arsyet kryesore përse u ndërtua naftësjellësi nga Bakuja nëpërmjet Gjeorgjisë e Turqisë në Detin Mesdhe, shpjegon zëdhënësi i BP-së Bilbo.

"Në njëfarë mënyre fiton kushdo. Shtetet fqinje janë marrë vesh për një itinerarin dhe kanë lidhur marrëveshje me njëri-tjetrin. Të gjitha marrin të ardhurat e tyre nga naftësjellësi. Azerbajxhani përfiton edhe prej faktit që atje nxirret nafta. Edhe përdoruesit e naftës do të përfitojnë, sepse në tregun evropian vjen naftë e re bruto nga Deti Kaspik dhe kjo në një çast kur së shpejti rezervat nën Detin e Veriut do të shterojnë."

Projekti i naftësjellësit u mbështet në mënyrë masive nga qeveria amerikane. Presidenti i atëhershëm Bill Clinton udhëtoi personalisht për të nënshkruar marrëveshjen. SHBA shpresonin për më shumë pavarësi nga nafta arabe dhe ajo ruse dhe ato duan t'i fuqizojnë përballë Rusisë republikat e reja në jug të Kaukazit. Që prej ndërrimit të pushtetit në Gjeorgji me presidentin e ri gjeorgjian SHBA kanë një partner politik, të besuar, i cili sa vjen e largohet nga Rusia. Sakashvili i venë mbarë të ardhurat nga biznesi i transitit, pasi ai u ka premtuar zgjedhësve hov të shpejtë ekonomik.

"Gjeorgjia po zhvillohet më shpejt se më parë. Buxheti ynë është sot tri herë e gjysmë më i lartë sesa në kohën e ish-presidentit Shevarnaxe, e ai sa vjen e rritet. Këtë vit do të kemi rritje të madhe të investimeve. Për shembull ne po nënshkruajmë një marrëveshje me vlerë gjysmë milion dollarë për një rafineri nafte në Axhari, buzë Detit të Zi.

Nga ana tjetër fqinji i Gjeorgjisë, Armenia, u përjashtua nga itinerari i naftësjellësit, megjithëse rruga përmes Armenisë do të ishte më e shkurtra. Konsekuencë e kësaj është që Armenia po orientohet strategjikisht edhe më shumë nga Rusia. Rruga e naftësjellësit duke e shmangur Armeninë e ka zanafillën tej konflikti midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për Nagorni Karabahun. Formalisht këto shtete janë thuajse në gjendje lufte, megjithëse në kufi nuk qëllohet; bashkëpunim nuk ka. Në Azerbajxhan fitimi prej biznesit me naftën derdhet në një fond shtetëror për naftën, por kritikët druhen se regjimi në Azerbajxhan do t'i përdorë paratë për të rivënë nën kontroll territorin e Nagorni Karabahut të kontrolluar nga armenët. E me të vërtetë, Zamir Sharifov, një i afërm i presidentit azerbajxhanas, nuk e përjashton këtë mundësi.

"Nuk mund të pohoj që paratë e fondit për naftën përdoren për të blerë armë dhe për tu përgatitur për luftë, por nga ana tjetër nuk mund ta përjashtoj mundësinë që këto para të na duhen. Ky është qëndrimi zyrtar i qeverisë azerbajxhanase dhe mendoj se durimi i njerëzve në Azerbajxhan nuk është i pakufishëm."

Me hapjen e naftësjellësit Baku-Ceyhan humbet para së gjithash Rusia, ekonomikisht dhe strategjikisht, pasi deri tani nafta e Kaspikut eksportohej kryesisht përmes naftësjellësve rusë. Duke qenë se eksporti kalon përmes Turqisë Rusisë i humbasin taksa transiti me vlerë milionëshe. Por atmosfera është shtendosur dukshëm, mendon zëdhënësi i BP-së, Bilbo.

"Transneft, shoqëria shtetërore ruse e naftësjellësave, e ka parë naftësjellësin Baku-Ceyhan, veçanërisht teknikën, sepse ajo qëndron më lartë se standartet ruse. Ata kanë mësuar prej nesh dhe tani duan të ndërtojnë naftësjellës të tjerë, ose përmes Turqisë ose përmes Bullgarisë dhe Greqisë. Rusia do ta eksportojë naftën e saj bruto në mënyrë të sigurt dhe pa e dëmtuar mjedisin. Dhe rusët e kanë kuptuar që kjo është më mirë sesa të dërgosh akoma më shumë anije cisternë përmes Bosforit."

Edhe British Petroleum ka menduar për zgjerimin e naftësjellësit Baku-Ceyhan. Në Detin e Zi po zhvillohen aktualisht shpime provë. Në rast se atje gjehet naftë, atëherë nevojitet një tub i ri nafte që kalon nëpër Turqi. Po ashtu do të zgjerohet naftësjellësi drejt lindjes. Atëherë nuk mund të rridhte vetëm naftë Kaspiku, por edhe naftë Kazakistani drejt perëndimit.