1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO duhet ta rishqyrtojë strategjinë e saj

Bernd Riegert6 Maj 2014

NATO-ja ndodhet para një ndryshimi rrënjësor. Mbrojtja kundër një sulmi nga Rusia mund të zhvendoset në qendër të strategjisë së saj. Modele të menduari të kapërcyera prej kohësh po rikthehen, mendon Bernd Riegert.

https://p.dw.com/p/1BuFh
Rubrikenbild Kommentar albanisch

Kriza e Ukrainës do ta detyrojë aleancën ushtarake NATO që ta rimendojë strategjinë e saj. Deri tani, NATO-ja e kishte vendosur pikërëndesën e saj në qenien "ushtri misionesh", që mund të angazhohet jashtë territorit të aleancës edhe në konflikte të gjata, për shembull në Afganistan. Kjo ka gjetur shprehje edhe në vendimet për armatosjen dhe pajisjen e forcave të armatosura evropiane: më pak ushtarë, më pak njësi të rënda luftarake, por në vend të kësaj njësi shumë të lëvizshme, të cilat mund të transportohen shpejt në zona të largëta misionesh.

Papritur në debatin publik rishfaqet fantazma frikësuese e një sulmi rus ndaj territorit të NATO-s, në krahun lindor të saj. Një skenar që ishte zhdukur nga kujtesa prej vitesh. Vërtet që ushtarakët e NATO-s nuk e kanë lënë jashtë vëmendjes edhe detyrën primare të NATO-s, mbrojtjen e aleancës kundër një sulmi teorikisht të përfytyrueshëm me forca të armatosura. Por shumë seriozisht këtë nuk e kanë marrë në udhëheqjen politike. Me Rusinë në NATO u përpoq të arrihej një raport sa më i mirë partneriteti. Sot ne e dimë se për fat të keq kjo nuk ka funksionuar.

Frikësimi sërish në modë

Udhëheqja ruse e ka kuptuar NATO-n që prej fundit të Luftës së Ftohtë si aleancë anti-Rusi. Tani, shteteve të NATO-s do t'u duhet të merren sërish me mbrojtjen nga sulme të mundshme ruse. Që prej disa javësh, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen flet sërish për "frikësim të trupave ruse" si dhe për aftësinë dhe vullnetin e palëkundur të NATO-s, për t'i mbrojtur fqinjët e saj lindorë, pra shtetet baltike, Poloninë dhe Rumaninë nga sulme të mundshme.

Pas luftës në Gjeorgji në vitin 2008, në qarqet e planifikimit të NATO-s u mendua gjatë për skenare të tilla, por me mbështetje politike plane të tilla nuk janë ndjekur. Edhe partneri më i rëndësishëm i NATO-s, SHBA kanë tërhequr në mënyrë masive trupa dhe armë nga Evropa. Ushtria ruse ka në kufirin perëndimor të Rusisë një trupë tankiste të transportueshme lehtë, e cila që prej manovrave në vazhdim mund të kalojë brenda pak ditësh në beteja reale.

Të mendohet edhe e pamendueshmja

NATO-ja ka pak çfarë t'i kundërvërë kësaj trupe për momentin. Brigadat e luftës duhet të transportohen njëherë që nga SHBA dhe Evropa Perëndimore në Lindje, në Poloni ose Estoni.

Bundeswehr-i, ushtria gjermane, zotëron aktualisht vetëm një të dhjetën e tankeve luftarake, që kishte 25 vjet më parë, para rënies së Murit. Ky ishte një hap i vullnetshëm dhe nuk është rastësi. Besohej se nga Rusia nuk do të vinte më rrezik ushtarak. Por gjendja ka ndryshuar. Më e vonta që në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në shtator, aleancës do t'i duhet të japë një përgjigje për gjendjen e ndryshuar të kërcënimit. Planet e mbrojtjes duhet të përpunohen. Evropianët duhet të shpenzojnë sërish më tepër për armatimin.

Rusia është një fuqi bërthamore. I ka modernizuar raketat e saj dhe disa i ka stacionuar në ekslavën e Kaliningradit, në kufi me Poloninë dhe Lituaninë. NATO-ja modernizon ato pak koka me mbushje bërthamore që janë në Evropë. Aleanca punon për ndërtimin e mbrojtjes raketore, e cila më parë do të drejtohej kundër sulmeve nga Irani ose nga shtete të tjera në periferi. Ndoshta tani, në kundërshtim me planet fillestare, kjo mburojë duhet të mbrojë tani edhe nga armët ruse. NATO-ja duhet të reagojë, që të mbetet e besueshme.

http://dw.de/p/1Btym