1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO-ja në unitet

Bernd Riegert20 Prill 2007

Shtetet anëtare të NATO-s diskutuan në Bruksel planet amerikane për ngritjen e një sistemi strategjik për mbrojtjen prej raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi. Pala ruse u tregua me gjithë kritikat e gatshme për bisedime.

https://p.dw.com/p/AqmT
Një nga raketat e sistemit mbrojtës strategjik
Një nga raketat e sistemit mbrojtës strategjikFotografi: dpa

Këshilli i Natos në Bruksel nuk ka rezerva ndaj ndërtimit të një sistemi strategjik për mbrojtjen prej raketave, i cili do të mbronte si SHBA-të edhe pjesë të tëra të Evropës. Madje në këtë projekt duhet të përfshihen sistemet ekzistuese në shtetet evropiane anëtare të NATO-s. Nga këndvështrimi ushtarak është krejtësisht e qartë se një pjesë e këtij sistemi mbrojtës duhet të instalohet në Evropë, ndër të tjera në Poloni, Çeki apo Britaninë e Madhe. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoof Scheffer theksoi se në radhët e NATO-s nuk ka ndryshime në qëndrime dhe në mendime sa i përket rrezikut prej ndonjë sulmi të mundshëm me raketa:

"Ka qenë e qartë dhe është e qartë se ne aleatët jemi të një mendjeje se prej raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi ekziston një rrezik." - tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoof Scheffer.

Fjala është për raketa që po zhvillojnë a prodhojnë apo që mund të zhvillojnë a prodhojnë në të ardhmen vende të tilla si Koreja e Veriut, Irani apo Pakistani.

John Roos, përfaqësues i MPJ të SHBA-ve informoi për planet amerikane jo vetëm 25 anëtarët e NATO-s por edhe ambasadorin rus pranë NATO-s. NATO-ja dëshiron që në këtë drejtim të bashkëpunojë me Rusinë në drejtim të këmbimit të të dhënave për marrjen e masave parandaluese si dhe në fushën teknike. John Rood la të kuptohet madje, se nuk përjashtohet as mundësia e krijimit më vonë të një sistemi të përbashkët për mbrojtjen prej raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi.

"Mundësitë janë të shumta. Ne jemi të gatshëm që të diskutojmë me kolegët tanë rusë për gjithçka, por tani jemi në fillim dhe do të shohim se ç'drejtim do të marrin gjërat dhe si do të reagojnë kolegët rusë."

Ambasadori rus pranë NATO-s i kritikoi planet amerikane për ngritjen e një sistemi strategjik për mbrojtjen prej raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi si prishtje të balancës strategjike, por u tregua i hapur për bisedime të mëtejshme. Në rast se vërtet ekziston një rrezik i mundshëm prej tij do të ishin të kërcënuar si NATO-ja edhe Rusia, tha Kostantin Totskiji:

"Ky është fillimi i dialogut. Ne e përshëndesim këtë gjë dhe ndoshta në fund prej tij mund të rezultojnë bisedime të vërteta." - theksoi ambasadori rus pranë NATO-s.

MPJ të vendeve të NATO-s do të diskutojnë në takimin e tyre të pranverës, që do të zhvillohet javën e ardhshme në Oslo, në lidhje me sistemin strategjik për mbrojtjen prej raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, i cili në Gjermani ka ndeshur në qëndrime të kundërta. Partia socialdemokrate që bashkëqeveris vendin është kundër këtij sistemi dhe tërheq vëmendjen se me këtë hap mund të fillojë një garë e re armatimi. Dhjetë raketat mbrojtëse që janë të stacionuara në Evropë por nuk janë të pajisura me material shpërthyes, pritet të jenë të gatshme për funksion në vitin 2011 ose 2012.