1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO: Krijimi i ushtrisë çështje e Kosovës

13 Shtator 2018

NATO mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me mandatin aktual, por nëse FSK duhet të zhvillohet, atëherë Këshilli i Atlantikut të Veriut do të duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s në Kosovë.

https://p.dw.com/p/34pcI
Kosovo Jahrestag Unabhängigkeit
Paradë e Forcës së Sigurisë së Kosovës me rasti e pavarësisëFotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

NATO e shikon transformimin e forcave të armatosura të Kosovës në ushtri si një çështje që i takon autoriteteve të Kosovës. "Qëndrimi i NATO-s është i qartë: kjo është një çështje e autoriteteve të Kosovës," shkruan zyra e shtypit e NATO-s, në përgjigje të pyetjes së Deutsche Welles, se si i vlerëson NATO hapat e qeverisë së Prishtinës për kthimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në ushtri.

"Çdo lloj ndryshimi strukture, mandati dhe misioni të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kërkon ndryshime kushtetuese," shkruhet më tej dhe vlerësohet se: "Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale, që po bëhet gjithnjë e më shumë multietnike dhe është burim për stabilitetin në rajon."

Treffen der NATO-Verteidigungsminister in Brüssel
Takim i ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s, qershor 2018Fotografi: DW/I. Sheiko

Zyra e NATO-s në Bruksel vëren se: "Progresi i arritur është shembull për suksesin e NATO -s në krijimin e kapaciteteve në sektorin e sigurisë, por ku nevojitet  edhe më shumë për të bërë".

NATO mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me mandatin aktual, por shton se "nëse Forca e Sigurisë së Kosovës duhet të zhvillohet, Këshilli i Atlantikut të Veriut do të duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s në Kosovë."