1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndërkombëtarët të kënaqur me mbarëvajtjen

Bekim Shehu/aca18 Nëntor 2007

Përfundojnë me sukses zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Kosovë. Afro 45 përqind e qytetarëve të Kosovës morrën pjesë në votime, ndërsa serbët i bojkotuan zgjedhjet pothuaj krejtësisht. .

https://p.dw.com/p/CIes
Selia UNMIK-ut në Prishtinë
Selia UNMIK-ut në PrishtinëFotografi: picture-alliance/ dpa

Procesi i zgjedhjeve në Kosovë cilësohet i sukseshëm nga autoritetet ndërkombëtare dhe vendore, mirëpo pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje nuk ishte e kënaqshme. Nga të dhënat paraprake të KQZ-ve, njoftohet se pjesëmarrja në votime ishte afro 45 përqind. Rezultatet paraprake të fituesve të zgjedhjeve nuk janë bërë ende të ditura nga KQZ-të, megjithatë një rrjet i organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim”, që vëzhgoi zgjedhjet, shpalli fituese PDK-së, të udhëhequr nga Hashim Thaqi, që mendohet të ketë marrë 34 përqind të votave. Partia e dytë radhitet LDK-ja, me 22 përqind, që shënon një rënie shumë të madhe të kësaj partie, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2004. Partia e tretë është AKR-ja, e biznesmenit kosovar Behxhet Pacolli, e cila fitoi 12 përqind. LDD, e udhëhequr nga Nexhat Daci, krah i ndarë i LDK, fitoi 10 përqind të votave. 10 përqind mori edhe AAK, ndërsa partia politike ORA e udhëhqur nga Veton Surroi, fitoi vetëm 4 përqind të votave.

Asnjëra nga partitë politike që nuk morrën numër të madh votash nuk ka kometuar këtë rezultat jozyrtar të dhënë nga organizatat joqeveritare. PDK-ja, që nga mesnata po feston fitorën e saj. Lideri i kësaj partie Hashim Thaçi, tha para simpatizantëve, se kjo fitore është historike për partinë e tij dhe një fillim i ri për Kosovën.

Organizatorët e zgjedhjeve të 17 nëntorit dhe krerët e administratës ndërkombëtare janë të kënaqur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, mirëpo nga deklarimet e tyre u pa qartë se ata nuk janë të kënaqur me pjesëmarrjen në votime. Shkaku kryesor sipas tyre, ishin kushtet e këqija atmosferike. Megjithatë, pjemarrjen e ulët në votime analistët e lidhin me zhgënjimin e qytetarëve, në radhë të parë me paqartësinë e statusit të Kosovës, zvarritjet e vazhdueshme dhe gjendjen e rëndë ekonomike e sociale e të qytetarëve, si dhe paralajmërimin e mëhershëm të koalicionit të mundshëm ndërmjet PDK-së dhe LDK-së.

Sidoqoftë, megjithë pjesëmarrjen e ulët në votime, zgjedhjet cilësohen legjitime sepse, para tyre nuk pati një rregullore e cila do të sanksiononte legjitimitetin e zgjedhjeve me pjesëmarrje të votuesve më pak se 50 përqind. Dëshpëruese për organizatorët e zgjedhjeve ishte pjesëmarrja shumë e ulët në zgjedhje e pjesëtarëve të komunitetit serb. Nëse flitet me shifra në nivel të Kosovës llogaritet se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje ishte nën një përqind. Shefi i UNMIK-ut, Joakim Rycker, tha se bojkotimi i zgjedhjeve nga ana e serbëve të Kosovës ishte pasojë e thirrjeve të autoriteteve të Beogradit të cilat kërkuan nga serbët e Kosovës që mos të dalin në zgjedhje. Pjesëtarët e komunitetit serb në pjesën veriore të Kosovës, penguan madje procesin zgjedhor duke kundërshtuar që në objektet publike të hapen qendrat e votimit. Zgjedhjet në Kosovë u mbikqyrën nga mijëra vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. 150 vëzhgues ishin nga Këshilli i Evropës dhe sipas tyre zgjedhjet në Kosovë janë cilësuar të jenë zhvilluar në një atmosferë të qetë demokratike dhe pa probleme. Rikutojmë se në zgjedhjet e 17 nëtorit garuan 97 subjekte politike. U votua për deputet për parlamentin e Kosovës, për asambletë komunale dhe drejpërdrejtë për kryetarët e komunave.