1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndërrohet komanda e ISAF-it në Afganistan

Matthay, Sabina, New Delhi (NDR)10 Janar 2008

Asnjë vit tjetër qysh pas rrëzimit të Talibanëve në Afganistan nuk kanë gjetur vdekjen nga dhuna kaq shumë vetë sa në 2007. Në Veri Bundesveri përpiqet të garantojë siguri dhe stabilitet, por ende ka shumë për t´u bërë.

https://p.dw.com/p/CnA7
Ushtarë të Bundesverit në AfganistanFotografi: DW

Në Mazar-i-Sharif ndërrohet komanda: Gjeneral-brigade Dieter Dammjacob ka marrë në dorëzim nga gjeneral-brigade Dieter Warnecke drejtimin e komandës rajonale të ISAF-it në Veri dhe të kontigjentit të Bundesverit në Afganistan. Warnecke e mori komandën në gusht në një fazë të vështirë, gati gjashtë muaj më vonë vështirësitë sipas mendimit të tij nuk janë kapërcyer.

E kuptoj shumë mirë, që Afganistani ende nuk është i stabilizuar, thotë tani gjenerali: "Ende ka shumë faktorë destabilizues në vend, ka shumë rezerva armësh, kultivim droge, kriminalitet të organizuar dhe në përgjithësi ka korrupsion të madh në qeveri, në administratë dhe në forcat e rendit."

Gjatë muajve të fundit ISAF-i u është kundërvënë masivisht kryengritësve dhe kriminelëve në Veriun, që konsiderohet si relativisht i qetë. Lidhur me këtë gjenerali Warnecke nuk u shpreh direkt, por vetëm tha: "Unë besoj se muajt e fundit është bërë e qartë, që ne kemi kërkuar intensivisht armë të fshehura dhe nga informacionet tona kemi gjetur shumë të tilla. Tani ne jemi duke u përpjekur, që ta shmangim këtë kërcënim për vendin."

Duhet fituar besimi i poopullsisë afgane

Dieter Warnecke thekson, se rindërtimi në Afganistan presupozon në radhë të parë konsolidimin e forcave afgane të rendit. Popullsia duhet të ketë një partner të besueshëm tek policia, e cila duhet të garantojë sigurinë nëpër provinca.

Komandanti i ri rajonal i ISAF-it Dieter Dammjacob e mbështet këtë mendim. Detyra kryesore e tij muajt e ardhshëm do të jetë të mbështesë forcat afgane të rendit për krijimin e një terreni të sigurt: "Në radhë të parë synohet që të zgjerohet ushtria afgane. Siç e dini duhet të instalohet një brigadë dhe përveç kësaj duhet të avancojë procesi i kualifikimit të forcave të policisë. "

Paradhësi i tij Dieter Warnecke theksoi në fund, se vetëm një situatë e mirë e sigurisë mund të përmirësojë në mënyrë të qëndrueshme standardin e jetesës së afganëve: "Mos harroni, se pa siguri nuk ka rindërtim dhe këtë duhet ta kuptojë çdo afgan."