1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndalimi i duhanit - Pjesërisht në kundërshtim me kushtetutën

Auron Dodi30 Korrik 2008

Gjykata kushtetuese gjermane i shpalli në kundërshtim me kushtetutën gjermane ligjet aktuale që ndalojnë pirjen e duhanit në pijetore të vogla.

https://p.dw.com/p/EmmT
Tabela e ndalimit të duhanit pranë Gjykatës Kushtetuese
Tabela e ndalimit të duhanit pranë Gjykatës KushtetueseFotografi: picture-alliance/ dpa

Gjykata më e lartë gjermane konstatoi në një vendim bazë të mërkurën, që pronarëve të pijetoreve të vogla u shkelen në një masë të madhe të drejtat, nga direktivat e ndalimit të duhanit. Ose duhet të ketë një ndalim të përgjithshëm të pirjes së duhanit, pa përjashtime, ose përjashtimet duhet të marrin parasysh gjendjen e pijetoreve të vogla.

Presidenti i Gjykatës Kushtetuese Federale, Hans-Jürgen Papier tha në shpalljen e vendimit: "Vendimi i sotëm prek ankesat për shkelje të të drejtave kushtetuese të dy pronarëve, që kanë pijetore të vogla. Ankesat drejtohen kundër ligjeve për mbrojtjen e jo-duhanxhinjve të Baden Vyrttembergut dhe Berlinit, ligje të cilat si shumica e ligjeve të landeve e ndalojnë parimisht pirjen e duhanit në pijetore, por parashikojnë përjashtime për dhoma të ndara të vogla. Këto direktiva shkelin të drejtat e pronarëve të pijetoreve që ankohen në të drejtën e tyre bazë të ushtrimit të lirë të profesionit."

Pronarët e dy pijetoreve të vogla në Berlin dhe një diskoteke në Baden- Vyrttemberg e kishin hedhur në gjyq ligjin e mbrojtjes së jo-duhanxhinjve për shkak të humbjeve në fitime. Prej fillimit të këtij viti, është ndaluar pirja e duhanit në pijetore, restorante ose diskoteka në thuajse të gjitha landet e Gjermanisë. Por në landet e Berlinit dhe të Baden-Vyrttembergut, si në shumicën e vendeve të tjera lejohet të pihet edhe më tej duhan, për aq kohë sa lokali tregon se ka një dhomë të ndarë në dispozicion. Pronarët e pijetoreve, që vajtën në gjyq treguan se për ta nuk qe i mundur krijimi i një dhome shtesë.

Edhe në rastin e një diskoteke të Baden-Vyrttembergut, gjykatësit e shpallën të pavlefshëm deri në një vendim të dytë ndalimin e përgjithshëm të pirjes së duhanit për diskotekat, që vizitohen vetëm nga të rriturit. Në to tani duhet të ngrihen dhoma të veçanta të pirjes së duhanit, në të cilat megjithatë nuk lejohet të ketë sipërfaqe vallëzimi.