1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndarje me emocione - Ish-porieri i kombëtares Oliver Kahn largohet përfundimisht nga sporti

Stefan Nestler 3 Shtator 2008

Oliver Kahn ishte njëri prej futbollistëve më të suksesshëm dhe më popullorë gjermanë i të gjitha kohërave.

https://p.dw.com/p/FAVd
Ndeshja e fundit e Oliver Kahn-it
Ndeshja e fundit e Oliver Kahn-itFotografi: AP

Bilanci tij pas 21 vitesh si futbollist profesionist është për t'u admiruar: 86 ndeshje ndërkombëtare, nënkampion i botës, 140 ndeshje në kupat e Evropës, 557 ndeshje të kampionatit kombëtar, tetë herë kampion i Gjermanisë me Bajernin e Mynihut, fitues i Champions League-ës, i kupës UEFA dhe i kupës së botës.


Kishte ardhur koha për t'i thënë lamtumirë Oliver Kahn-it


Time to say good-bye, këndoi tenori Paul Potts para 69.000 shikuesve për Oliver Kahn-in, kur ish-portieri i ekipit kombëtar doli nga fusha e lojës pas 75 minutash. 1:1 ishte rezultati edhe pas 90 minutave në ndeshjen zyrtare të lamtumirës të Kahn-it midis Bajernit të Mynihut dhe ekipit kombëtar gjerman. Por rezultati nuk kishte rëndësi. Tifozët kishin ardhur në Arenën e Mynihut për t'i dhënë një ndarje të denjë portierit të jashtëzakonshëm Oliver Kahn. Dhe 39-vjeçari ishte i prekur:


"Nuk di se ç'të them. Besoj, se ky ishte përjetimi më i fuqishëm në karrierën time, dhe kjo në mbyllje të saj. Mund të them vetëm që ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen gjatë kaq shumë viteve, për aq shumë ngjarje emocionale. Për mua sot ishte kulmimi. Ju heq keapelën. Shumë faleminderit. Bajerni i Mynihut do të edhe këtë sezon edhe vitet e ardhshme gjithmonë në krye. Faleminderit." - tha Kahn.

Oliver Kahn dhe Jürgen Klinsmann
Oliver Kahn dhe Jürgen KlinsmannFotografi: Daniel Martínez


Një i madh po largohet, mendon edhe trajneri i Bajernit Jürgen Klinsmann, i cili si trajner i kombëtares e pati bërë Oliver Kahn-in nga portier të parë, portier të dytë pas Jens Lehmann-it para Kampionatit Botëror të vitit 2006. "Ai është njëri prej sportistëve, atletëve dhe natyrisht futbollistëve të spikatur, që e kanë karakterizuar futbollin botëror në 15, 20 vitet e fundit gjatë gjithë karrierës. Thjesht ai e meriton një "Big bang" të tillë, një ngjarje të madhe." - tha Klinsmann.

Kahn disa herë portieri më i mirë i vitit në botë

Edhe trajneri aktual, Joachim Löw, e di që një futbollist si Oliver Kahn nuk është e lehtë të zëvendësohet: "Mbresëlënës për mua është fakti që ai ka qenë disa herë portieri më i mirë i vitit në botë, pra ishte në majë dhe megjithatë vazhdonte të përpiqej t'i përmirësonte arritjet. Ai ka një karrierë 15 vjeçare, gjatë së cilës ka luajtur pothuajse në nivelin më të lartë. Diçka të tillë e arrijnë sot shumë pak sportistë. Kur sheh Ronaldinho ose edhe dikë tjetër: bëhet fjalë për disa vite; por Olli Kahn ia ka dalë. Mendoj, se ia ka dalë t'i shijojë edhe të gjitha emocionet."


Kahn nuk do të largohet nga skena. Që të mërkurën e javës së ardhshme ai do të analizojë si ekspert televiziv ndeshjen eliminatore të ekipit kombëtar gjerman në Finlandë për Kampionatin Botëror.