1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nderim për filmin mbi vdekjen e një azilkërkuesi afrikan

Markus Westphal11 Dhjetor 2006

Ndahet në Nyrenberg çmimi gjerman për filmin me temë të drejtat e jjeriut

https://p.dw.com/p/AqyL
Të drejtat e njeriut mund të cënohen edhe në demokracitë perëndimore!
Të drejtat e njeriut mund të cënohen edhe në demokracitë perëndimore!Fotografi: AP

Në Nyrenberg në fundjavë u nda çmimi gjerman për filmin për të drejtat e njeriut. Ky çmim ndahet çdo dy vjet që prej vitit 1998 për filma dhe programe televizive me temën e të drejtave të njeriut.

Në këtë aktivitet janë përfshirë 16 organizatorë ndër të tjerë organizata Amnesty International, UNESCO gjermane etj. Me çmimin nderohen profesionistë të filmit, amatorë dhe studentë të degës së kinematografisë. Këtë vit juria nderoi krahas filmave mbi konfliktin në Lindjen e Afërme, gjendjen në Afganistan dhe Rumani edhe një reportazh televiziv mbi një rast aktual gjerman. Çmimi për prodhimin më të mirë amator ju dha një videoje muzikore.

"Akhona" titullohet videoja 5 minutëshe muzikore e regjizorit Michael Spengler dhe këngëtarit Rothenberger. Bëhet fjalë për fatin e një jetimi si pasojë e cdekjes së prindërve nga SIDA-s në Afrikën e Jugut, i cili pas humbjes së nënës hyn në një strehë për fëmijët. Dëshira e tij më e zjarrtë është të rikthehet në atdhe, prej nga është larguar me dhunë, të kthehet pranë familjes dhe shokëve të tij. Juria vlerësoi imazhet plot ngjyra të cilat nuk i nënshtrohen klisheve.

Këngëtari Steen Rothenberger thotë:"Ajo çfarë ne tregojmë është një pamje e Afrikës ndryshe nga ajo që ofrohet nga mediet këtu. Një imazh i lumtur, krenar por që edhe në këtë mënyrë tërheq vëmendjen ndaj problemeve. Qëllimi ynë është nxitja e komunikimit mes dy botëve, atje dhe këtu dhe ky është guri që shpresojmë do të vërë në lëvizje gjërat."

Edhe punët kërkimore mbi filmin fitues në kategorinë e profesionistëve ishin një gur lëvizës. "Vdekje në qeli - përse vdiq Oury Jalloh?" është prodhuar nga gazetarët e televizioni Marcel Kolvenbach dhe Pagonis Pagonakis. Titulli tingëllon sensacional por juria e vlerësoi me këto fjalë punën e gazetarëve:"Një rast i pabesueshëm në kuptimin e vërtetë të fjalës i treguar me kujdes dhe diskrecion nga autorët." Refugjati afrikano-jugor Oury Jalloh vdiq në janar të vitit 2005 në qelinë e burgut në qytetin Desau. Ai u dogj i gjallë.

Ajo çka nga autoritetet u shpall tepër shpejt si vetëvrasje, nën trsyninë e gazetarëve dhe grupeve aktiviste për të drejtat e njeriut u rihap për t'u përpunuar nga e para. Nga hetimet rezultoi se afrikano-jugori kishte qenë i lidhur në një dyshek materiali i të cilit në fakt nuk merrte zjarr. Ndaj thirrjeve të tij për ndihmë dhe sinjalit të aparatit kundër zjarrit nuk kishte reaguar askush. Ende sot rrethanat e sakta të vdekjes së tij janë të panjohura.

Ja si shprehet kineasti Marcel Kolvenbach mbi fatin e Oury Jalloh: "Ai ka vdekur disa herë. Në luftën civile në Sierra Leone vdiq fëmijëria e tij, më pas ai emigroi në Gjermani ku vdiq e ardhmja e Jalloh dhe së fundi ai u dogj në qeli. Në të vërtetë ne donim të shfrytëzonim këtë rast të tmerrshëm e dramatik për të treguar me hollësi mbi fatin e njerëzve që vijnë në vendin tonë. Ata të gjithë kanë një histori që ju paraprin."

Pikërisht filmi fitues nuk i dedikohet shkeljes së të drejtave të njeriut nëpër botë por trajton një rast të ndodhur në mes të Gjermanisë. Për ish presidenten e Gjykatës Kushtetuese Jutta Limbach nën patronazhin e së cilës u organizua ndarja e çmimit është ky një tregues: "Ne duhet të familjarizohemi me mendimin se fakti që të drejtat e njeriut janë të garantuara në kushtetutën tonë nuk përbën një traditë humaniste e cila të mbron nga çdo cënim i këtyre të drejtave. Të drejtat e njeriut janë vazhdimisht të kërcënuara dhe Gjykata Kushtetuese nuk do të kishte aspak punë nëse nuk do të ndodhnin herë pas here shkelje të këtyre të drejtave."

Në publik filmi mbi vdekjen e refugjatit në një qeli gjermane shkaktoi tronditje dhe reflektim, të cilat një vizitor i formulon me fjalët: "Mendoj se kështu bëhet i qartë skepticizmi ndaj shtetit e ndoshta edhe kujdesi për të mos thënë se në Gjermani gjithçka është në rregull dhe demokratike dhe se të drejtat e njeriut këtu nuk janë në rrezik."

Por një tjetër vizitore e vlerëson festivalin e filmit dhe aktivitetet për të drejtat e njeriut si një dëshmi të sinqeritetit me të cilin trajtohen në Gjermani mangësitë në respektimin e të drejtave të njeriut: "Duhet të them se unë kam besim në shtetin tonë ligjor. Tek ne është e mundur të flasësh mbi tema të tilla edhe kur janë delikate dhe kritike."

Një tjetër vizitor shpreh lëvdata për kineastët dhe bashkëpunëtorët e festivalit: "Shumë respekt për këta njerëz që realizojnë të tillë filma. Ka kaq shumë angazhim dhe kaq humanizëm në to. Janë një mesazh i mrekullueshëm."

Mirënjohje e merituar për kontributin e gazetarëve dhe kineastëve. Krahas shpenzimeve në kohë dhe para atyre u duhet të përballojnë shpesh edhe ngarkesa të jashtëzakonshme emocionale. Ashtu si rregjizorit Tobias Müller. Studenti 27 vjeçar mori çmimin e dhënë për herë të parë në kategorinë shkolla e lartë për kinamatografi.

Por megjithë kostot e larta, për autorët dhe rregjizorët e filmave me temë të drejtat e njeriut po bëhet gjithnjë e më e vështirë të sigurojnë një vend transmetimi në televizion. Filmat me përmbajtje tepër brizante nëse transmetohen spostohen gjithnjë e më shpesh në programin e orëve të vona. Numri dy në kategorinë e profesionistëve, Jutta von Stieglitz-Yousufy e cila në filmin e saj tregon mbi rifillimin e aktivitetit të teatrit në Afganistan kujton reagimin e një transmetuesi: Afganistani ishte para tre vjetësh temë. Nuk keni diçka nga Iraku!