1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndihmë e vërtetë në vend të mosmarrëveshjeve të hapura; SHBA rishikon strategjinë e saj në Afganistan

2 Gusht 2009

SHBA po harton një strategji të re ushtarake për Afganistanin. Në vend që të punohet vetëm për shkatërrimin e talibanëve, tani do të investohet edhe në përmirësimin e kushteve të jetesës të popullsisë.

https://p.dw.com/p/J1uW
Komandanti i ri i forcave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan Stanley A. McChrystal.Fotografi: AP

Nga fillimi i qershorit komandën e trupave amerikane në Afganistan e ka marrë gjenerali Stanley McChrystal. Me të synohet një ndryshim themelor në strategjinë rajonale. Pak kohë pas marrjes së postit presidenti amerikan, Barack Obama, kishte dërguar 17.000 ushtarë amerikanë shtesë në Afganistan. Në vendet e veprimit nuk kanë mbërritur ende të gjithë, por që tani po bëhet e qartë, se detyra e tyre ka ndryshuar. Nën komandën e gjeneralit McChrystal po hartohet një strategji e re, e cila planifikohet të publikohet në mes të gushtit.

Synimi parimor në Afganistan mbetet i njëjti, dhe ministrja e Jashtme Hillary Clinton e përsëriti atë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kolegun e saj britanik David Milliband: Të shkatërrohet dhe të mundet organizata terroriste El Kaida në Afganistan. "Raportet e para janë premtuese, por e dimë se kemi një rrugë të gjatë përpara," - tha Clinton.


Por në taktikën konkrete në terren kanë ndryshuar theksat. Për gjeneralin Stanley McChrystal, prej fillimit të qershorit komandant suprem i trupave amerikane dhe atyre të NATO-s në Afganistan, kanë më pak rëndësi terroristët e vrarë sesa civilët, që mund të jetojnë në siguri. Richard Holbrooke, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Barack Obama për Pakistanin dhe Afganistanin, shpjegoi pas vizitës së tij të fundit në rajon, se një ndryshim të rëndësishëm përbën tashmë fakti, që trupat amerikane nuk i shkatërrojnë më fushat e hashashit të fermerëve afganë. "Në këtë mënyrë SHBA ka harxhuar qindra miliona dollarë. Të shkatërrosh një hektar fushë hashashi kushton 44.000 dollarë. E gjitha që arritëm me këtë ishte që zemëruam mbjellësit e hashashit. Këta njerëz janë të varfër dhe mbjellin atë, që ju sjell më shumë para. Kështu i çuam njerëzit në krahët e talibanëve."


Richard Holbrooke
I dërguari i posaçëm amerikan për Pakistanin dhe Afganistanin Richard Holbrooke.Fotografi: AP

Në vend të kësaj tani kapen korrierët e drogës, shpjegoi Holbrooke. Sepse kjo i prek më fort, sipas tij, baronët e drogës dhe të tjerët, që përfitojnë nga tregtia e drogës. SHBA do të mbështesin zgjerimin e bujqësisë afgane, shtoi i dërguari i posaçëm i Obamës, pasi afganët janë fermerë të mirë, që kanë tani nevojë për pak mbështetje. Lidhur me fuqinë e trupave ndërkombëtare dhe afgane, të cilat janë të nevojshme për qëndrueshmërinë e vendit, Holbrooke nuk deshi të shprehej përfundimisht. "Është e qartë, që numri i tanishëm i forcave afgane të sigurisë nuk mjafton në plan afatgjatë. Pas zgjedhjeve presidenciale ne do ta trajtojmë këtë çështje me qeverinë e re afgane. Do të përcaktojmë nevojat dhe do të shohim se si mund t'i mbështesim ata."


Plani i tanishëm amerikan parashikon një fuqi trupe prej 68.000 ushtarësh. Këtyre u shtohen rreth 30.000 ushtarë të NATO-s nga vende të tjera. Forcat afgane të sigurisë kanë aktualisht afro 100.000 ushtarë. Por Stephen Biddle, ekspert për mbrojtjen pranë grupit këshillues "Council on Foreign Relations" me seli në Nju-Jork e përllogarit fuqinë e nevojshme të trupës me 300.000 deri 600.000 ushtarë.

Autorë: Christina Bergmann, Elert Ajazaj

Redaktoi: Pandeli Pani