1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndihmë miliardash për Libanin

Peter Filip25 Janar 2007

Konferencë për rindërtimin në Paris vendosi t'i japë Libanit 5,5 miliardë euro

https://p.dw.com/p/ArJZ
Rindërtimi në Liban
Rindërtimi në LibanFotografi: AP

Libani mund të shpresojë për ndihmë miliardash nga bota e jashtme. Në një konferencë donatorësh në Paris përfaqësuesit e rreth 40 vendeve dhe organizatave ndërkombëtare premtuan më shumë se 5,5 miliardë euro.

Kryeministri Fuad Siniora mund të jetë i kënaqur. Premtimet për ndihma në konferencën e tretë të donatorëve në Paris i tejkaluan ato që kishin parashikuar kryeministri libanez dhe bashkëpunëtorët e tij. Me katër deri në 5 miliardë dollarë do të jemi të kënaqur u tha, ndonëse njëkohësisht ato pranuan, që në të vërtetë nevojat janë për rreth nëntë miliardë.

Kryeministri libanez u bëri thirje përfaqësuesve të 36 shteteve dhe 14 organizatave ndërkombëtare në hapje të takimit njëditor, që të mos rezervohen prej problemeve që ka pasur vendi këto dy muajt e fundit dhe të vazhdojnë ta mbështesin atë: "Kostot e dështimit janë shumë të larta, aq sa duhej të shqetësoheshim. Këto kosto janë shumë më të mëdha se sa realizimi i suksesit."

Siniora bëri të qartë, se qeveria e tij do të zbatojë një paketë të gjerë reformash për të stabilizuar dhe përmirësuar gjendjen politike dhe ekonomike në vend. Për këtë nevojitet urgjentisht ndihma ndërkombëtare: "Mbështetja juaj na ndihmon ne në vendosmërinë për të mbrojtur lirinë tonë, për të nxitur demokracinë, për të forcuar pavarësinë tonë dhe për të reformuar ekonominë tonë."

Kur Siniora foli për pavarësinë kishte parasysh natyrisht rolin e Sirisë dhe të Iranit, por edhe më shumë atë të Izraelit, që me luftën vitin e kaluar e ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen në Liban. E kjo pikërisht në një çast kur mendohej se ish kapërcyer më e keqja. "Asnjë ngjarje tjetër në këto dy vitet e fundit nuk ka qenë më dramatike dhe destabilizuese sa lufta brutale dhe e pajustifikueshme e Izraelit kundër Libanit, që dëboi qindra mijëra njerëz, shkatërroi infrastrukturën, tronditi ekonominë, e në radhë të parë u kushtoi jetën mbi njëmijë civilëve libanezë. Një fenomen, që për fat të keq sot po vazhdon për shkak të një milion bombave që janë shpërndarë kudo në jug të vendit. Pasojat e brendshme të kësaj lufte janë serioze dhe po shfaqen vazhdimisht në mënyra të ndryshme."

Lufta verën e kaluar i ka shkaktuar Libanit dëme materiale në vlerën rreth katër miliardë dollarë, por kjo është vetëm një e dhjeta e borxhit të përgjithshëm të vendit, që ka nisur qysh nga koha e luftës civile, e luftës së parë izraelito-libaneze dhe e tensioneve latente në rajon.

Që këto probleme nuk janë krijuar tani kuptohet edhe nga fakti që dy konferencat e para të donatorëve për Libanin në Paris janë zhvilluar shumë kohë përpara luftës së fundit. Por "Paris III" - si edhe më parë konferenca në Stokholm, fitoi peshë prej luftës së fundit. Jo vetëm si konferencë donatore, por edhe si një shenjë e mbështetjes politike nga bota e jashtme për Libanin. Të gjithë pjesëmarrësit ishin të vetëdijshëm, se problemet në Liban pavarësisht nga vullneti i mirë nuk mund të zgjidhen nga jashtë.

Presidenti francez Zhak Shirak drejtuesi i konferencës theksoi:"Kushdo i kupton vështirësitë, me të cilat po konfrontohet sot Libani. Eshtë e kuptueshme që në radhë të parë mbetet detyrë e Libanit për të drejtuar një dialog konstruktiv të brendshëm për t´u bashkuar dhe për të përballuar vështirësitë."